Home KRYESORE Rritja e rrogave dhe pensioneve, një drekë jo falas

Rritja e rrogave dhe pensioneve, një drekë jo falas

Nga Eduard Zaloshnja

Nese nuk ke paguar për një drekë në restorant, gjasat janë që atë ta ketë paguar dikush (një mik apo pronari i restorantit), ose që do ta paguash më vonë.

Edi Rama ka deklaruar këto ditë se qeveria do të përdorë vitin tjetër një fond prej 100 milion dollarësh për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës dhe të pensioneve. Por a do të jetë kjo një drekë falas për qindra mijra njerëz?

Në kushtet kur banka qendrore nuk lejohet të prodhojë kartmonedha për të financuar qeverinë, çdo rritje e shpenzimeve e kësaj të fundit financohet ose duke rritur të ardhurat nga taksat, ose përmes rritjes së deficitit buxhetor. Por Rama ka deklaruar se deficiti buxhetor nuk do të rritet vitin e ardhshëm. Pra, i bie që financimi i rritjes së rrogave dhe pensioneve do të realizohet përmes rritjes së të ardhurave nga taksat.

Dhe Rama na e ka treguar tërthorazi sesi do të realizohet kjo gjë.

Kur dha sihariqin për fondin 100-milonësh, Rama deklaroi gjithashtu se do të rritet edhe rroga minimale nga 220 milë lekë të vjetra në muaj, në 300 mijë lekë. Përmes kësaj lëvizje, rritet praktikisht me 35% taksa e sigurimeve shoqërore e shendetsore që bizneset derdhin sot në shtet për punonjësit që figurojnë me rrogë minimale në borderotë e tyre zyrtare.

Pavarsisht se sa para marrin realisht punonjësit në sektorin privat për punën që bëjnë, shumica dërrmuese e bizneseve raportojnë rrogë minimale për shumicën dërrmuese të punonjësve të tyre. Me rritjen e rrogës minimale që duhet të raportojnë bizneset, rritet edhe detyrimi i tyre ndaj shtetit, pavarsisht se punonjësit do të vazhdojnë të paguhen realisht aq sa paguhen sot.

Në fakt, rritja e rrogës minimale ndikon tërthorazi edhe për një rritje tjetër të të ardhurave të shtetit. Specialistët me rroga të larta dhe të vetëpunësuarit në profesionet e lira kanë një tavan sa 5-fishi i rrogës minimale që u taksohet për sigurimet shoqërore. Deri më sot atyre u taksohen për këtë qëllim vetëm 1.1 milion lekë të vjetra të ardhura bruto në muaj , ndërsa vitin tjetër do t’u taksohen deri në 1.5 milion.

Por a i vlen ekonomisë ky tranferim parash nga bizneset dhe specialistët me rroga të larta tek punonjësit e administratës dhe pensionistët?

Ekonomistë me prirje të majta, duke filluar nga Kejnsi, kanë qenë gjithnjë të mendimit se një transferim i tillë nxit konsumin, pasi një masë e madhe njerzish me të ardhura modeste e përkthejnë rritjen e të ardhurave të tyre në blerje të menjëhershme. Në këtë mënyrë, rritet kërkesa për produktet dhe shërbimet që ofrojnë bizneset, të cilat kanë përfitime të mëvonshme kur ndodh një gjë e tillë.

Ekonomistë me prirje të djathta, duke filluar nga Hajeku, kanë qenë gjithnjë të mendimit se një transferim i parave përmes taksave nga bizneset tek popullsia frenon investimet, pasi bizneseve u mbeten më pak para për investime. Në këtë mënyrë nuk rritet punësimi, e për rrjedhojë, nuk rritet konsumi në afate të gjata.

Dhe cilat nga këto shkolla të mendimit ekonomik është e saktë?

Historia ka plot shembuj që disa herë i kanë dhënë të drejtë njërës, e disa herë tjetrës…

Share: