Nga Kasem Sfeferi
Rritje pagash dhe pensionesh në vitin 2017 – deklaratë tipike elektorale, manipulim politik, fshehur pas një historie tejet të lashtë, por me lëkurë “kafshe” të shekullit 21, do të ishte vlerësimi i vërtetë për një sakrifice trevjeçare të një populli me një aftësi blerëse për t’i qarë hallin se dhe kur i vejnë opangën në gojë nuk thërret e nuk bërtet sikundër ka thënë i pathyeshmi At Zef Pllumi. Le ta shohim këtë premtim në dritën e një analize që daton me fakte shumë herët. Në librin “Dyzet shekuj kontroll i çmimeve dhe pagave”, në mënyrë kronologjike, tregohet se si ra mbretëria e faraonëve në Egjypt për shkak të kontrollit të çmimit të drithrave të bukës; se si perëndoi Perandoria e Babilonisë sepse Hammurabi vendosi një kontroll të gjërë mbi çmimet dhe pagat; se si ra nga froni për të njëjtën arsye perandori i Romës Diokleciani pas katër vitesh.
Të dhënat e një anketimi (survey) publikuar në vitin 1992 në SHBA, pyetjes: “A janë një opsion I dobishëm i politikës kontrollet mbi pagat?”, 73.9 për qind e ekonomistëve iu përgjigjën negativisht. Arsyeja që ekonomistët janë skeptikë në lidhje me kontrollin e çmimeve dhe pagave është se ato shtrembërojnë caktimin e burimeve; për shembull, çmimet tavan, që parandalojnë çmimet të kapërcejnë një maksimum të sigurt, shkaktojnë pamjaftueshmëri; çmimet dysheme, që parandalojnë çmimet të zbresin poshtë një minimumi të sigurt, sigurojnë sufiçit për një kohë të caktuar.
Pjesa më e madhe e atyre që nuk janë ekonomistë besojnë se ligji i pagës minimum mbron punëtorët nga shfrytëzimi i punëdhënësve dhe zvogëlon varfërinë. Por pjesa më e madhe e ekonomistëve beson se ligji i pagës minimum shkakton vështirësi të panevojshme për të gjithë ata njerëz që ai supozohet se i ndihmon. Arsyeja është e thjeshtë: megjithëse ligji për pagën minimum mund të vendosë pagat, ai nuk mund të garantojë vende pune, sepse në praktikë ai, shpesh, i çmon punëtorët me aftësi profesionale të ulta jashtë tregut të punës.
Në mënyrë tipike punëdhënësit nuk janë të gatshëm të paguajnë një punëtor më shumë se sa vlera e produktit shtesë që ai prodhon. Kjo nënkupton faktin se një punëtor i ri që prodhon 15000 lekë/muaj vlerë të produktit do të kalojë një kohë të vështirë për të gjetur punë në qoftë se duhet, sipas ligjit, të paguhet me 20 000 lekë/muaj. Në tre vjet punëmarrësit në Shqipëri kanë pasur pagë (dhe pension të njëjtë). Ekonomisti i Universitetit të Princeton David F. Bradford thotë: “Ligji i pagës minimum mund të përshkruhet si t’i thuash një punëtori potencial: Në qoftë se ti nuk gjen një punë që të paguhesh të paktën me pagën minimum, ti nuk mund të pranosh punësimin.”. Disa dekada studime, duke përdorur të dhënat agregate të serisë së kohës nga vende të ndryshme, kanë gjetur se ligjet e pagës minimum zvogëlojnë punësimin.
OECD – ja rezultatet e kërkimit ekonomik për pagën minimum i përmblodhi në këtë mënyrë: “Në qoftë se paga dysheme, e vendosur nga pagat e detyrueshme minimum, është tejet e lartë, kjo mund të ketë efekte të dëmshme, veçanërisht, ndërmjet të rinjve.”. Sipas një artikulli të botuar në “American Economic Review” në vitin 1978, 90 për qind e ekonomistëve që u anketuan ranë në ujdi se paga minimum rrit papunësinë ndërmjet punëtorëve me aftësi profesionale të ulta. Përveç faktit të vështirësisë për të gjetur punë, ligji i pagës minimum vështirëson pagimin e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, lejen e zakonshme vjetore të punës dhe të tjera përfitime sociale si trajnimi në punë.
Kur paga minimum rritet, punëmarrësit mund të kontrollojnë kostot e kompensimit total me anë të shkurtimit të përfitimeve; në raste të skajshme, punëdhënësit i konvertojnë vendet e punës me kohë të plotë me paga të ulta me përfitimet për vendet e punës me kohë të pjesshme me pagë të lartë, pa përfitime dhe me pak orë. Që nga koha që trajnimi në punë është mënyra që njerëzit të ngrenë aftësitë e tyre profesionale, rritja e pagës minimum bën që të zvogëlohen mundësitë e ardhshme për punë të punëtorëve të pakualifikuar. Rritja e pagës minimum i bën punëtorët e pakualifikuar më të shtrenjtë lidhur me të gjithë faktorët e tjerë të prodhimit. Në qoftë se punëtorët e kualifikuar marrin 60 000 lekë/muaj dhe punëtorët e pakualifikuar 15 000 lekë/muaj, punëtorët e kualifikuar janë katër herë më të shtrenjtë se ata të pakualifikuar.
Vendosja e një page minimum në 20 000 lekë/muaj i bën punëtorët e kualifikuar relativisht më tërheqës duke i bërë ata rreth tre herë më të shtrenjtë se punëtorët e pakualifikuar; kjo shpjegon përse sindikatat (në vendet perëndimore dhe jo në Shqipëri), anëtarët e të cilave kanë qenë historikisht të kualifikuar kanë mbështetur pagën minimum dhe rritjen e saj. Shumë punëdhënës në sektorin e ndërtimit dhe prodhimit të fabrikuar për rieksport (fason dhe riciklim) e kanë gjetur më pak të shtrenjtë që të punësojnë punëtorë të pakualifikuar me pagë të ulët dhe t’i trajnojnë ato në punë, sepse duke pranuar paga më të ulta me kusht trajnimin e tyre, punëtorët e pakualifikuar rrisin të ardhurat e tyre të pritshme në të ardhmen; në fakt pagat më të larta minimum zvogëlojnë konkurrencën në tregun e punës.
Natyrisht punëdhënësit mund t’i përgjigjen gjithashtu pagës minimum dhe rritjeve të saj me anë të zvogëlimit të përgjithshëm të punësimit, duke zevendësuar njerëzit me makinat, duke e lëvizur prodhimin jashtë vendit, ose duke mbyllur vendet e punës intensive në biznese të tilla si ato me fason dhe riciklim. Ndërkohë ata që bëhen të papunë nga rritja e pagës minimum janë shumë shumë të padukshëm dhe është e lehtë të kalkulohen të ardhurat e rritura që gëzojnë ata të cilët i mbajnë vendet e punës pas rritjes. Shumë nga mbrojtësit e pagës minimum, kjo asimetri, në mënyrë të gabuar, i ka çuar te hamendja se rritja e pagës minimum është një mënyrë efektive për të luftuar varfërinë.
Rritja e pagës minimum rrit si probabilitetin që një familje e varfër t’ia mbathë nga varfëria nëpërmjet pagave më të larta ashtu dhe probabilitetin që një familje jo e varfër do të bëhet e varfër pasi paga minimum rrit çmimin e kësaj jashtë tregut të punës. Papunësia e shkaktuar nga rritja e pagës minimum, përgjithësisht, rishpërndan të ardhurat ndërmjet familjeve me të ardhura të ulta më saktë se sa e lëviz atë nga ato me të ardhura të larta, duke rritur kështu përpjestimin e familjeve të varfëra dhe familjeve diku aty afër tyre.
Studimet tregojnë se rritja e pagës minimum zvogëlon gjithashtu përpjestimin e familjeve me të ardhura ndërmjet një e gjysmë deri në tre herë nivelin e varfërisë, që sugjeron se ata e kanë më të vështirë t’ia mbathin nga varfëria. Shpesh ata që përgatisin strategjitë e kontrollit mbi pagat dhe çmimet nuk shikojnë lidhjet ndërmjet kontrolleve dhe problemeve që ato krijojnë, sepse kontrollet rrisin burokracinë, kostot e kontrollit dhe ndërhyrjet arbitrare në punët e biznesit; në këto kushte shumë biznese janë gati të paguajnë më shumë rryshfet për të korruptuar dhe për t’i mbajtur punëtorët jashtë listave zyrtare të punësimit, si dhe për të shmangur tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore. Në përgjithësi kontrolli mbi pagat vendoset kur inflacioni del jashtë kontrollit (në formën e disinflacionit) dhe, megjithëatë, nga shumë studjues është argumentuar se kontrolli mbi pagat është një prej rrugëzgjidhjeve më ekstreme të politikës së të ardhurave.
Me anë të kontrollit të çmimeve dhe të pagave, qeveria shpreson se mund të kontrollojë inflacionin dhe të parandalojë ekstremet në ciklin e biznesit, por në mënyrë të vazhdueshme ekonomistët kanë vërtetuar se në qoftë se qeveria dëshiron që kontrollet të jenë të suksesshme, ato duhet të jenë plotësuese dhe të mos zevendësojnë masat e politikës shtrënguese monetare dhe fiskale.
Megjithëatë, disa ekonomistë mendojnë se kontrollet janë një mjet për të kaluar një moment të vështirë në ekonominë e vendit për shkak të çmimeve të larta dhe pagave të rritura që, në këtë mënyrë, lehtësojnë tranzicionin në një inflacion më të ulët; shembulli më i qartë i dështimit të përpjekjeve për kontrollin e pagave janë kontrollet e ushtruara në vitet 1950 – 1960 në një numër vendesh të Europës Perëndimore dhe në SHBA në vitin 1970, në kohën e Presidentit Nikson. Ish – Guvernatori i Federal Reserve Bank, Alan Greenspan, në librin e tij “Age of turbulencies” thotë: “Në Komitetin e Politikave Ekonomike ekzistonte konsesusi se t’ia lije tregut vendosjen e pagave dhe të çmimeve, ishte e papërshtatëshme, e pabesueshmme dhe duhej të mbështetej nga “politikat e të ardhurave”.
Këto ndryshonin nga një vend në tjetrin, por në përgjithësi përbënin direktiva udhëheqëse për zhvillimin e negociatave ndërmjet manaxherëve dhe sindikatave, që në atë periudhë ishin shumë më të përhapura e më të fuqishme se sot. Politikat e të ardhurave nuk përfaqësonin kontrollin e plotë të pagave dhe të çmimeve, vetëm e vetëm sepse ato ndërtoheshin mbi baza gjoja vullnetare. Megjithatë, direktivat kryesore, në përgjithësi, mbështeteshin nëpërmjet levave qeveritare, të cilat ndërhynin sa herë që duheshin “bindur” shkelësit. Kur këto politika dështonin, atëhere, shpesh, vazhdohej me kontrollet formale të pagave dhe të çmimeve.
Presidenti fatkeq Nikson, megjithëse në fillim ishte shumë popullor, me vendosjen e kontrollit të pagave dhe të çmimeve në vitin 1971, mbeti ndër figurat e fundit të pasluftës për ndërhyrjen e përgjithëshme në fushën e pagave dhe të çmimeve në botën e zhvilluar.”. Kush do ta ketë fatin e Presidentit Nikson në Shqipëri, pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur buxheti i shtetit do të ketë rritur defiçitin, sikundër njihet dhe pranohet se në çdo vit elektoral defiçiti rritet? Mos vallë edhe kjo do të jetë risi e një rilindjeje në fushën e ekonomisë? Të presim, sikundër u prit rritja e pagave në këta tre vite nga kontrolli i qeverisë mbi to.
Besoj se e kam pëlqyer esenë e Profesor Artan Fugës mbi nëntë modelet ekonomike të vendit tonë (botuar te Gazeta Panorama), por pavarësisht se ai nuk është ekonomist u përqaset shumë atyre ekonomistëve që nuk u kanë bërë “fresk” qeverive në këto dekada. Mesa duket, si filozof Profesor Fuga ka kuptuar fort mirë se çdo të thoshte dhe ende thotë ajo barcaleta e para viteve 90 – të, kur një qytetar i thjeshtë i tha një vjedhësi kur e kapi me dorë në xhep në autobus “si nuk ke turp”, ky i fundit iu përgjigj “turp të kesh ti që nuk ke pesë lek në xhep”.
Kasem Seferi – ekonomist