Home KRYESORE SKANDALI/ Të sëmurët me kancer shtohen, buxheti për ilaçet ulet

SKANDALI/ Të sëmurët me kancer shtohen, buxheti për ilaçet ulet

Nga Arlinda Gjypi, gazeta “Shëndet+”

Numri i të sëmurëve me kancer po arrin shifra të frikshme. Në fakt, sipas mjekëve, pritet që së shpejti kanceri të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri, duke kaluar edhe sëmundjet kardiovaskulare që tashmë janë në vend të parë. Pavarësisht këtij alarmi, të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë nga mungesat në trajtimin e tyre dhe që pothuajse gjithmonë duhet t’i blejnë vetë ilaçet. Investigimet kanë treguar se këta të sëmurë trajtohen zakonisht me ilaçe të cilat i blejnë vetë dhe që shpesh janë sjellë në Shqipëri kontrabandë.

E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, deklaroi se futja kontrabandë e ilaçeve nxitet pikërisht nga mungesat që shteti shqiptar ka në plotësimin me medikamente të spitaleve.

Nisur nga kjo deklaratë, gazeta “Shëndet+” iu drejtua Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajtimin që u bëhet të sëmurëve me kancer, duke kërkuar një informacion të plotë për gjashtë vitet e fundit 2011-2016 lidhur me: numrin e të sëmurëve me kancer, buxhetin e kërkuar nga Spitali Onkologjik, buxhetin e akorduar për këtë spital dhe përgjegjësinë që ky institucion mban për mungesat.

Spitali Onkologjik

Spitali Onkologjik

Pacientët: Na mungojnë ilaçet

Hysni Zhuli i cili ka bashkëshorten të sëmurë me kancer gjiri thotë: “Kemi nisur të bëjmë kimioterapitë dhe problemi fillon pikërisht tani. Medikamentet qenkan hall më vete. Që kur erdhëm për të bërë ciklet e kimioterapisë, na kanë thënë që disa prej ilaçeve nuk gjenden në QSUT. Na thanë se duhet t’i blejmë vetë. Kemi pyetur pacientët e tjerë se si t’ia bëjmë dhe na kanë orientuar ata se ku duhet t’i blejmë. A na dhanë faturë për ilaçet? As që bëhet fjalë. Shkojmë atje dhe e kërkojmë si të kërkojmë drogë, fshehurazi, sepse me sa dimë futen fshehurazi. Po edhe ne ku t’i gjejmë ndryshe? Kimioterapia duhet bërë”. Hysni mban në dorë ilaçin “Adrimisin”, i cili është pa pullë, i blerë në një nga farmacitë ku e kanë adresuar të tjerët.

Xhuljana Elmasllari, 19 vjeçe, është nga Pogradeci. “Më kanë thënë se kam gjendra turbekulare në mushkëri. Pasi bëra dy kimiot e para, ndjeva goxha përmirësim. Por kimion e parafundit nuk e bëra dot të plotë, pasi nuk kishte medikamente. Edhe kimion e sotme nuk e bëj dot pasi në onkologjik nuk ka ilaçe. Mjekët më dhanë një recetë dhe më thanë se, nëse dua ta bëj kimion, duhet t’i blej vetë këto medikamente, pasi spitali nuk ka. Recetën mund ta shikoni. Familja ime e ka të pamundur t’i blejë këto ilaçe. Një cikël kushton 1.5 milion lekë (të vjetra).

Dëshmia e babait të Ornela Dervishit: “Ilaçet e kimios i kam blerë të gjitha vetë nga Turqia. Një cikël shkon rreth 4 milionë lekë (të vjetra) kosto, pasi ilaçet për një seancë janë rreth 700 mijë lekë dhe janë pesë seanca kimioje për çdo cikël. Por nuk fillon dhe as nuk mbaron çdo gjë këtu. Kjo për faktin se nuk flitet thjesht për ilaçet e kimios. Të ishin vetëm ato, do të kishim gjetur derman. Por vajza ka edhe një numër i madh analizash të cilat është dashur t’i bëjë disa herë. Dhe analizat duhen kryer në privat, sepse këtu në shtet nuk bëhen. Dhe mjekët kur t’i japin për të bërë analizat, i duan që të dalin të gjitha nga një laborator dhe jo pjesë-pjesë, se kështu arrijnë të përcaktojnë më mirë problemet. Unë këto analiza që ju shikoni tani, i kam bërë të pjesshme, pasi nëse do t’i bëja të gjitha, shkojnë një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë lekë. Nuk mundem ta përballoj. Është shumë shtrenjtë. Bashkë me ilaçet e kimios janë aq shumë sa nuk dimë ku të përplasemi”.

Onkologjiku pergjigje buxheti fq 1

Përgjigjja e QSUT-së për Spitalin Onkologjik

Numri i të sëmurëve me kancer rritet në mënyrë drastike

Informacionet e siguruara nga drejtoria e QSUT-së pasqyrojnë një shifër të frikshme të kancerit. Tabela në vijim, e cila është zyrtare, flet për një rritje shumë të madhe të kancerit vitet e fundit. Ndërsa vitet 2011-2013 përfshijnë shifrat edhe të spitaleve të tjera të Tiranës, përveçse QSUT-së, vitet 2014 dhe 2015 tregojnë vetëm shifrat në Spitalin Onkologjik. Kështu, rezulton që nga viti 2014 në vitin 2015 ka një rritje prej 56,9% të të sëmurëve me kancer, ndërsa numri shkon nga 3286 në 5158, duke treguar kështu nevojën urgjente për shtimin e buxhetit për këtë kategori.

Periudha kohore Nr i rasteve
2011 3317*
2012 3619*
2013 3936*
2014 3286
2015 5158

*) Vitet 2011-2013 përfshijnë numrin e rasteve të reja me sëmundje tumorale, të paraqitur në të gjitha spitalet, përfshirë këtu QSUT, Spitalin Ushtarak, Spitalin e Sëmundjeve Pulmonare dhe maternitetitet 1 dhe 2 Tiranë.

Të sëmurët shtohen, buxheti ulet

Në kërkesën e gazetës “Shëndet+” lidhur me buxhetin 2011-2016 për të sëmurët me kancer, QSUT është përgjigjur vetëm me buxhetet e viteve 2012-2015. Në një vëzhgim të parë rezulton se buxheti është rritur nga viti në vit, por ky buxhet i krahasuar me numrin e pacientëve, rezulton të ketë rënie të ndjeshme. Kështu, ajo çka ëshët tepër e dukshme dhe e pakuptueshme është fakti se teksa numri i pacientëve nga viti 2014 në vitin 2015 është rritur me 56.9%, buxheti nga viti 2014 në vitin 2015 nuk është rritur, por madje është ulur me 1.5%, siç tregohet edhe në tabelën e mëposhtme.

Viti Konsumi/Lekë
2012 530.281.602
2013 589.417.091
2014 714,894,607
2015 704,024,013

Onkologjiku pergjigje buxheti fq 2

Përgjigjja e QSUT-së për Spitalin Onkologjik

Rastet në rritje drastike, ilaçet në rritje qesharake

Lidhur me uljen e buxhetit për vitin 2015, drejtoria e QSUT-së është justifikuar me faktin se “në dy vitet e fundit (çka nënkupton edhe vitin 2016 për të cilin nuk disponojmë shifra), bazuar në reformën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me uljen e çmimeve të barnave dhe heqjen e TVSH-së së barnave, është rritur ndjeshëm sasia e barnave citostatikë të prokuruara dhe vënë në dispozicion të këtij shërbimi për trajtimin e sëmundjeve tumorale”.

Për të treguar se është rritur “ndjeshëm” sasia e prokuruar e barnave, drejtoria e QSUT-së në përgjigjen e saj ka ofruar një shembull:

“Bari Transuzimab (Herceptinë), medikament i përdorur si terapi në Kancerin e gjirit me përdorim në Shërbimin Onkologjik në rrugë venoze, në njësi flakon me dozë 150 mg, në përdorim nga pacientë të diagnostikuar me tumore malinje, kryesisht të kancerit të gjirit, për vitin 2013 ishte në sasi 833 flakonë, në vitin 2014 në sasi 2300 flakon, në vitin 2015 në sasi 2400 flakon dhe në vitin 2016 sasia e barit është rritur në 3100 flakon ose me 3.6 herë më shumë se viti 2013”.

Duke marrë të mirëqenë atë çka thotë drejtoria e QSUT-së, do të rezultonte që kishte rritje të ilaçeve për çdo të sëmurë. Ndërkohë nga shifrat e dhëna rezulton se të pacientët me kancer në Shërbimin Onkologjik nga viti 2014 në vitin 2015 janë rritur me 56.9% (nga 3286 në 5158), ndërkohë që sasia e flakonëve për herceptinën (përkatësisht barin transuzimab) është rritur me vetëm 4,34%, (nga 2300 flakonë në 2400 flakonë). Një gjë e tillë nënkupton se në fakt ka një rënie të theksuar të sigurimit të barnave nga viti 2014 në vitin 2015 për të sëmurët me kancer.

Ndërkohë, rritja e vitit 2016, që sipas drejtorisë është 3,6 herë më shumë se viti 2013, pretendohet t’i përgjigjet një numri shumë herë më të lartë se ai i vitit 2013, çka ashtu si dhe në rastin e vitit 2015 në fakt nuk rezulton të jetë rritje, por rënie. E thënë në gjuhë shifrash, siç i pëlqen të shprehet QSUT-së, ndërsa në vitin 2014 sigurohej ky ilaç për rreth 70% të të sëmurëve, në vitin 2015 ilaçi sigurohet për vetëm 46,5% të të sëmurëve. Pra një rënie me mbi 20% e sigurimit të ilaçit Herceptinë.

Periudha kohore Nr i rasteve Trasuzimab (Herceptinë)
2013 3936*   833
2014 3286 2300
2015 5158 2400

Onkologjiku pergjigje buxheti fq 3

Përgjigjja e QSUT-së për Spitalin Onkologjik

QSUT nuk ka dijeni për fatin e të sëmurëve

Drejtoria e QSUT-së ndërkohë nuk ka pranuar të japë asnjë përgjigje lidhur me pyetjen se si mbulohen nevojat për pjesën që nuk arrin t’i mbulojë buxheti i dhënë nga shteti dhe as se sa ndryshim ka mes buxhetit të akorduar për Shërbimin Onkologjik dhe kërkesës së bërë nga drejtuesit e këtij institucioni për periudhën kohore 2011-2016.

Ndërkohë lidhur me një regjistër i cili të provojë të dhënat statistikore për efektshmërinë e shërbimit onkologjik, drejtoria e QSUT-së deklaron:

“Për të vlerësuar efikasitetin e trajtimit të pacientëve onkologjikë në QSUT, ju sqarojmë se mekanizmi bazë i ndjekjes së ecurisë së sëmundjes tek pacientët është kartela klinike e tyre, e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku personeli mjekësor plotëson të gjitha rubrikat e saj sipas Udhëzimeve përkatëse. Të dhëna të pjesshme lidhur me ecurinë e pacientëve dhe efektshmërinë e medikamenteve, janë pjesë e studimeve shkencore të specialistëve onkologë të botuara në revista shkencore dhe kongrese, për të cilat mund t’i drejtoheni Fakultetit të Mjekësisë”.

Një gjë e tillë tregon se edhe vetë QSUT nuk ka dijeni nëse trajtimi që ajo ofron në Shërbimin Onkologjik ka rezultate të kënaqshme apo jo.

QSUT: Pacientët zgjedhin vetë të kurohen me ilaçe të blera jashtë spitalit

Në investigimet e kryera nga gazeta “Shëndet+” rezulton se një pjesë e mirë e kimioterapive realizohen me ilaçe të blera nga vetë pacientët, kjo për shkak të mungesës së tyre në spitalin onkologjik.

Ndërkohë, shumë prej këtyre ilaçeve janë pa pullën e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe megjithatë ato blihen nga pacientët dhe u jepen mjekëve për t’i trajtuar, duke qenë se vetë spitali nuk i siguron këto ilaçe.

E pyetur lidhur me lejimin e barnave të blera nga vetë pacientët dhe përgjegjësinë e saj në këtë çështje, drejtoria e QSUT-së deklaron: “Lidhur me pyetjen nëse lejohet përdorimi i ilaçeve të blera nga vetë pacientët, ju sqarojmë se bazuar në informacionin e ardhur nga Shërbimi Onkologjik, ekziston një kategori pacientësh të cilët zgjedhin të trajtohen në spital me medikamentet e tyre të siguruara privatisht. Në rregulloren e Shërbimit Onkologjik është parashikuar rasti kur kjo ndodh sipas një procedure specifike.

Agjencia Kombëtare të Barnave dhe pajisjeve mjekësore është institucioni që lejon qarkullimin e barnave në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe monitoron cilësinë e barnave që tregtohen në sistemin shëndetësor publik dhe privat”.

Me këtë përgjigje, QSUT e konsideron si “zgjedhje” të vetë pacientëve blerjen e ilaçeve jashtë spitalit, dhe jo si detyrim për shkak të faktit se këto ilaçe mungojnë në qendrën spitalore.

Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe Qendra Kombëtare e Barnave, e cila e pyetur për ilaçet kontrabandë të blera nga pacientët me kancer shprehet thjesht që “qytetarët duhet të kenë kujdes kur përdorin ilaçe të pakontrolluara”.

Lidhur me përgjegjësinë e shtetit, i cili sipas ligjit, duhet t’u sigurojë ilaçet të sëmurëve, dhe jo t’i detyrojë ata që t’i blejnë jashtë spitalit, as Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe as Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie.

Share: