Nga Aristir Lumezi
Unë kam besim se do të gjenden 10 policë, 10 prokurorë dhe 10 gjyqtarë të ndershëm dhe me integritet moral e profesional, të cilët do të bëhen pjesë e institucioneve të reja, duke pasur paga më të mira, trajnime nga institucionet më të mira amerikane të së drejtës dhe monitorim nga misioni amerikan që monitoron këtë reformë”, ishte përgjigjja e Xhafajt ndaj pyetjes së deputetit Paulin Sterkaj, se njerëz të pavarur për të qenë pjesë e SPAK-ut mund të gjenden vetëm në Befotrof (shtëpia e fëmijës).
“Vetingu fillon punë brenda muajit dhe deri në mars konstituohen të gjitha institucionet”, i është përgjigjur Xhafaj pyetjes së deputetit Artan Gaçi, i cili pyeti se kur fillojnë nga puna institucionet e reja që krijohen nga kjo reformë. Një tjetër shqetësim i deputetëve socialistë ishte edhe fati i ligjit të vetingut, për të cilin Partia Demokratike është shprehur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Konsensusi
Opozita pritet të votojë të enjten vetëm ligjin për ngritjen e SPAK-ut, pas ndërmjetësimit të ekspertëve amerikanë të OPDAT-it, ndërsa të mos votojë asnjë nga ligjet e tjera, teksa do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut.
Ndërkohë që pesë projektligjet e tjera pritet të miratohen vetëm me votat e maxhorancës. Bëhet fjalë për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, projektligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nisma “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Po ashtu, nisma tjetër që pritet të kalojë pa konsensus do të jetë projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Këto nisma ligjore mund të miratohen vetëm me shumicë të cilësuar, vota të cilat maxhoranca e majtë, PS-LSI-PDIU, ka më shumë se 84 vota.
Maxhoranca dhe opozita arritën marrëveshjen për një prej projektligjeve më të rëndësishme të paketës së Reformës në Drejtësi. Kjo nismë, e cila kundërshtohej nga opozita, është ndryshuar sipas propozimeve të saj dhe për këtë arsye, demokratët konfirmuan votën pro vetëm për këtë projektligj.
Me këtë nismë ligjore parashikohet ngritja e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Nga tri çështjet e kundërshtuara prej demokratëve dy javë më parë, ishte lënë pa zgjidhur vetëm njëra prej tyre, ajo që lidhej me shqetësimin e opozitës për ndikimin e Qeverisë në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të SPAK-ut.
Marrëveshja e arritur bazohet tek amendamenti i paraqitur nga opozita në mes të shtatorit, e cila parashikon që kontrolli i figurës dhe i pasurisë fillimisht të bëhet nga organi që do të kryejë vetingun dhe më pas ky proces do të kryhet nga një komision “ad hoc”, i përbërë nga anëtarë të tri strukturave të SPAK-ut./Aristir Lumezi