Home KRYESORE Viktimat e krimeve dhe mungesa e profesionalizmit ne Media

Viktimat e krimeve dhe mungesa e profesionalizmit ne Media

Nga Jeta Toçila Shkurti  Psikologe Ligjore

Nëse jeni viktimë e një krimi, media mund të dojë t’ju intervistojë. Është në dorën tuaj kur jeni në moshë madhore të vendosni të ndani ose jo historinë tuaj me publikun. Por nëse nuk doni, duhet të dini se të qënit viktimë nuk do të thotë se nuk keni të drejtë për privatësi.

Viktimat që nuk duan të flasin me median mund të refuzojnë në cdo kohë. Ndërkohë që viktimat që zgjedhin të ndajnë informacion me publikun duhet të përgatiten paraprakisht lidhur me ankthin që mund tu shkaktojnë pyetjet. Edhe pse ato mund të jenë në gjendje shoku ose të traumatizuar, gazetarët kërkojnë përgjigje për pyetjet dhe nuk duan të presin.

Ka shumë gazetarë që përpiqen të tregojnë respekt ndaj viktimave, por ka prej tyre që nuk kanë formimin e duhur mbi mënyrën e qasjes ndaj një viktime. Mund të ndodhë sic edhe ka ndodhur të paraqesin të dhëna vetjake dhe detaje që prekin thellë viktimën sidomos kur është i/e mitur dhe që mund të kenë ndikim negativ në të ardhmen e saj.

Por media nuk mendon pasojat e viktimës por vetëm impaktin e lajmit në audiencën e saj. Prandaj viktimave u duhen përsëritur vazhdimisht nga mbrojtësit e tyre, kujdestarët apo punonjësit që mund të kenë kontaktin e parë me to, se ndërveprimi me median pas viktimizimit mundet të cojë në riviktimizim dhe të ndikojë negativisht procesin e rikuperimit, prandaj duhen marrë në konsideratë informacionet e mëposhtme:

1. Ju gjithmonë keni mundësinë e zgjedhjes nëse do flisni ose jo me median për problemet tuaja. Nëse zgjidhni të flisni, është me rëndësi të dini se do të keni pak kontroll mbi atë se cfarë media do të përcjellë dhe se si do prezantohet në publik.

2. Asnjëherë mos flisni “off the record”. Gjithcka që thoni në një intervistë rregjistrohet. Përgatituni për intervistën dhe mbani një person mbështetës me vete. Ose ndoshta mund t’ju përfaqësojë dikush para medias.

3. Nëse po kryhen hetime mbi cështjen tuaj, mbulimi që i bën media mund të ndikojë në proces. Prandaj është me rëndësi të konsultoheni me zyrën e ndihmës ndaj viktimave pranë prokurorive se cfarë duhet e nuk duhet të thoni në media.

4. Kini kujdes se cfarë postoni në median sociale, pasi gazetarët mund ta përdorin për lajmin e tyre.

5. Privatësia juaj mund të jetë e vështirë për tu ruajtur. Media mund të raportojë natyrën dhe detajet e cështjes suaj edhe kur ajo është sensitive.

6. Kujtoni se media mund të raportojë mbi një proces penal në cdo kohë, madje edhe pas dhënies së vendimit mund të sillet në vëmëndjen e publikut disa herë, madje edhe pas disa vitesh. Ka patur raste në vendin tonë që u janë japur familjarëve plagët e vjetra të një krimi nga një emision pas shumë vitesh nga kryerja e krimit.

7. Interesi i medias dhe kronikat variojnë sipas rasteve. Nwse historia është konsideruar bombastike, mediat do tw konkurojnë me njëra-tjetrën qoftë edhe për vetëm një detaj.
8. Ngjyrimi i mbulimit të medias mund të ndryshojë në cdo kohë. Për shembull, fillimisht viktima përshkruhet me nuanca pozitive, pastaj papritmas mund të bëhet negative. Viktimat mund të fajësohen për cfarë u ka ndodhur, për shembull nëse zbulohet se viktima ka një precedent penal.

Nëse ti që po lexon këto rreshta je viktimë e një krimi duhet të dish se historia jote është dhimbja jote. Për shumë të tjerë është vec një histori debati televiziv ose kafeneje. Dhimbjen tënde përpiqu ta ndash me profesionistët që e kanë detyrim ligjor të kujdesen për ty.

Duhet të dish se në cdo komisariat policie, prokurori, njësi administrative, bashki apo qendër sociale do të gjendet një punonjës që do të të ndihmojë, edhe nëse 50 të tjerë nuk janë ndihmues. Fillo me rikuperimin e vetes e më pas historinë e suksesit tënd mund t’ia bësh me dije medias. Ti vendos!

Share: