Home KRYESORE 13 rreziqet e botës sot sipas gazetes britanike “The Guardian”

13 rreziqet e botës sot sipas gazetes britanike “The Guardian”

Ditorja prestigjioze “The Guardian”, ka botuar një artikull të shkrimtarit që prek temat politike, Xhorxh Monbiot, e ku preken krizat që rrezikojnë njerëzimin. “Ju lutem, mos e lexoni këtë nëse nuk jeni gati. Kjo është lista e 13 krizave të mëdha që na presin. Ndoshta janë më shumë. Më vjen keq, po ky nuk është tekst i lumtur”, thotë ai.

1. Donald Trampi

Presidenti i ri amerikan nuk është i aftë për vetëpërmbajtje, për baraspesha e dhembshuri, por vetëm për hakmarrje. Në xhep mban Senatin dhe Gjykatën e Lartë. Rrethohet me njerëz që kanë një pikëpamje të kufizuar për botën. Ai do të ketë nën kontroll arsenalin më të madh në botë.

2. Këshilltari i tij për sigurinë

Te vendimet strategjike mund të bëjë ç’të dojë, madje edhe pa Kongresin. Këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Majkëll T. Flin, është tepër i rrezikshëm.

3. Pjesa tjetër e ekipit të tij

Ekipi i tij është i përbërë kryesisht nga lobistët profesionalë (për karburante fosile, për duhan, për kompani kimike dhe financiare). Këta njerëz janë në pushtet. Përveç ndikimit në botë, në shëndetin publik, në financat publike dhe stabilitetin financiar, mund të instalojë modelin politik të kompanive të duhanit të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Pra, nëse harxhoni para dhe bashkëpunoni me media, mund të blini politikanët. Demokracia bëhet shkronjë e vdekur në letër, ndërsa shuhen alternativat politike.

4. Sfondi transatlantik

Në anën tjetër të Atlantikut, tentimet e britanikëve për t’u ndarë nga BE-ja duken të komplikuara. Ndoshta nuk ka përgjigje për këtë problem politik. Por, dy opsione shihen si zgjidhje: a) Pajtohet me lëvizjen e lirë të njerëzve në këmbim të tregut të përbashkët, gjë që do të ishte e pakëndshme për mbështetësit e Brexit-it; b) BE-ja mbyll dyert e saj. Jo vetëm që mund të refuzojë të gjitha kërkesat e Qeverisë, por BE mund t’i ndëshkojë me gjobën e daljes prej 60 miliardë eurove. Kjo vështirë se do të paguhej, ndaj është varianti më i rënd i Brexit-it.

5. Rreziqet e Eurozonës

Kriza e bankave në Itali duket e rëndë, askush nuk e di se si do të ndikojnë ato në mbijetesën e Eurozonës.

6 Pasojat e tyre globale

Mbetet për t’u parë a mjafton kriza financiare në Itali për të nxitur krizë globale. Por, nëse ndodh kjo, qeveritë nuk mund të përdorin programin e viteve 2007 dhe 2008, sepse arkat janë bosh.

7. Automatizimi që rrëmben vendet e punës

Automatizimi do të shkatërrojë vendet e punës dhe është e vështirë të dihet si të zgjidhet problemi i punonjësve të “tepërt”. Duket se asnjë qeveri apo parti politike nuk e kupton se sa i madh është ky problem.

8. Nëse fiton Marine Le Pen…

Marine Le Pen ka shanse të mira të bëhet presidente franceze. A do të jetë e mjaftueshme kjo për të minuar Bashkimin Evropian? Këtë askush nuk e di! Nëse nmjafton kjo krizë, ka disa tjera pas qoshes në formëne reaksionit zinxhir. Po nisi, do të vazhdojë me shpejtësinë që askush s’e pret. BE-ja do të mund të pushojë së ekzistuari brenda një muaji.

9. Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk jep shumë shpresë për njerëzimin

Nëse Le Pen fiton, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë Donald Trampi, Vladimir Putini, Xi Zhinpingu, Tereza Mei dhe Marine Le Peni. Kjo nuk është shumë inkurajuese.

10. Shkatërrohet Konventa e Parisit për Ndryshimet Klimatike

Programet shtetërore për ndryshimet klimatike ndërlidhen me marrëveshjen e nënshkruar në Paris. Edhe nëse këto programe qeveritare veprojnë në mënyrë të plotë (që nuk do të ndodhë), rruga është e gjatë me ato që parashikon Marrëveshja e Parisit. Plus që Trampi synon ta ndërpresë këtë rrugë!

11. Pasojat e klimës në emigrime

Një nga efektet e shumta të krizës klimatike do të jetë shpërngulja masive e njerëzve në mënyrën që emigrimi i sotëm do të duket asgjë me atë që na pret.

12. Vetëm 60 të korrura të mbetura

Sipas organizatës së OKB-së për bujqësi, kanë mbetur vetëm 60 vite me të korrura!

13. Shuarja e shpejtë

Çdo herë e më shumë ka banorë pleq, e më pak të porsalindur. Bota po vdes me shpejtësi të madhe!

A doni ende?

Një nga veçantitë e këtyre krizave është se nuk ka ‘anë tjetër’ për të kaluar. Është vështirë të imagjinohet që qeveritë do të heqin dorë nga kontrollet, se miliarderët do të ndalen së manipuluari me opinionin publik, se BE-ja e shkatërruar do të bashkohet, se do të kthehen speciet e zhdukura. Çështja kryesore është se si t’i shmangim krizat dhe a mund t’i shmangim? Çfarë duhet bërë për t’ia dalë? E di që ky shkrim ju fusë në depresion, por ky nuk ishte qëllimi im. Synoja t’ju bëja që të përqendroheni në detyrat që kemi përpara.

Share: