Nga Kasem Seferi*
Shkrimi i ditëve më parë i një gazetareje investigative italiane, ndër të tjera, kishte edhe një hamendje të arsyeshme se vendin e dërgesave të parasë nga jashtë (njohur me termin remitanca) e ka zënë paraja që vjen nga trafiku i drogës, gjë që më nxiti të kërkoj ato arsye që nuk janë bindëse për të argumentuar rënien e rrjedhës së dërgesave së parasë nga jashtë vendit për në Shqipëri.
Sasia e dërgesave të parasë nga jashtë, para krizës financiare dhe ekonomike botërore, nga emigracioni, etj, në shumë vende të botës, me kohë, ka tërhequr fort vemendjen e qarqeve akademike, politikëbërëse, bankierëve, organizatave joqeveritare etj. Por, me të rënë euforia fillestare, mbi bazë analizash të hollësishme morën rrugë vlerësime më realiste në lidhje me kontributet zhvillimore të dërgesave të parasë.
Puna mjaft e madhe që u bë mbi këtë subjekt ngriti aq shumë pyetje sa edhe përgjigje, veçanërisht, për ata që u interesuan. Në këtë aspekt dërgesat u konsideruan në linjën e rrjedhave të tjera të kapitalit (investimet e huaja direkte). Përsa i përket rritjes në mënyrë të shpejtë të dërgesave, në Shqipëri, nuk u nxorrën përfundime që do të mund identifikonin çfarë dihej dhe çfarë nuk dihej rreth pasojave ekonomike, politike dhe shoqërore të dërgesave.
Dërgesat bënë të mundur që qeveritë e pas viteve 90 – të t’i zvogëlonin shpenzimet për shërbimet publike, që duhet të gëzojnë mbështetjen publike në lidhje me kapitalin njerëzor dhe shërbimet shoqërore; kështu dërgesat kanë mbuluar gabimet e qeverive në më shumë se njëzet vjet në lidhje me politikat e dobta të luftës kundër varfërisë, që zakonisht nxisin çrregullime shoqërore.
Në qoftë se analizohen dërgesat (aq sa edhe janë regjistruar zyrtarisht) në raport me PPB dhe të ardhurat e importit, besoj se do të rezultonte se kanë qenë relativisht më të rëndësishme, veçanërisht, për vendet me të ardhura të ulta si Shqipëria.
Numri i emigrantëve shqiptarë në vendet e BE – së nga 380 978, ose 12,47 për qind në vitin 2000 u rrit në 872 064, ose 27,56 për qind në vitin 2007, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe krahasuar me numrin e emigrantëve të Bosnje – Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Sllovenisë.
Dërgesat e emigrantëve shqiptarë nga 12,41 për qind në vitin 2000 u rritën në 20,33 për qind të PBB – së në vitin 2006. Në vitin 2007 dërgesat ishin më shumë se dy herë më të mëdha se sa rrjedhat e ndihmës së zhvillimit administrativ dhe pothuajse sa gjysma e investimeve të huaja direkte dhe investimit portofol. Për vendet e vogla, sipas Bankës Botërore, dërgesat kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave, pasi dërgesat konsiderohen më pak të avullueshme se sa rrjedhat e tjera ndërkombëtare të kapitalit privat.
Është i padiskutueshëm fakti që menjëherë sapo njerëzit i plotësuan nevojat e tyre bazë, dërgesat më pas i përdorën për kursime, për pagimin e borxheve, për mjete konsumi afatgjatë, për blerjen e shtëpive dhe tokës, për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe agrobiznesit. Në të vërtetë këto efekte të duhet të bëheshin objekt i interesit të veçantë të politikëbërësve.
Remitancat mbështesin lloje të ndryshme të investimeve dhe kjo është e rëndësishme, por arritjet në këto investime duheshin vendosur në një kontekst më të gjërë, sidomos kur nga të gjithë dihet se shteti dhe sistemi bankar zyrtar, për një kohë të gjatë dhe ende nuk i ka i ka kredituar siç duhet bizneset e vogla dhe fermerët.
Pavarësisht fakteve të mësipërme është e arsyeshme që të merret me mend se këto boshllëqe të mëdha përsa i përket ndihmës së biznesit të vogël, fermerëve dhe kapitalit njerëzor, nuk do të mund të plotësoheshin vetëm nga dërgesat, pasi vetëm një përqindje e caktuar e dërgesave ka ardhur në vendet të varfëra si Shqipëria, ku koncentrimi i tyre është bërë në rajone të veçanta të vendit ku numri i emigrantëve ka qenë më i madh.
Qeveritë, duke parë se dërgesat zgjidhnin pjesërisht vonesat në proçesin e zhvillimit nuk i inkurajuan ato në kuadër të injorimit të përgjegjësive tradicionale, pasi qeveritë i perceptuan (ose shpresuan) se dërgesat do të mbushnin boshllëqet e ndryshme.
Ka dëshmi që dërgesat kanë mbështeturn investimin publik duke siguruar kapital për puset dhe shkolla në qytetet dhe fshatrat e origjinës (deri para vitit 1939 dukuri kjo që shihej në Shqipëri me emigrantët shqiptarë në SHBA e gjetkë, por nga viti 1991 e këtej nuk ka ndonjë dëshmi publike.
Roli shumë interesant që kanë luajnë dërgesat është se ato funksionuan si një nga format e siguracionit shoqëror duke mbështetur konsumin dhe investimet familjare për kapitalin njerëzor, duke siguruar mbështetje kritike gjatë krizave politike, financiare dhe ekonomike, si dhe në rastet e fatkeqësive natyrore.
Përsa i përket marrëdhënies ndërmjet dërgesave dhe politikave të mangëta që kanë ndjekur qeveritë duhet thënë se janë të tilla për shkak të rudhjes së programeve sociale dhe përgatitjeve publike institucionale. Në mungesë të thithësve publikë të goditjeve, dërgesat kanë funksionuar si mekanizma privatë që e zhvendosën barrën e korigjimit për goditjet në rrjetin e familjeve të ndryshme.
Dërgesat që financuan skemat piramidale tërhoqën një sasi paraje pothuajse sa gjysma e PPB – së së vendit në 1996 dhe kolapsi i skemave piramidale çoi në destabilizim serioz politik dhe ekonomik të vitit 1997, i cili u stabilizua vetëm me anë të një raundi të ri migrimi dhe të dërgesave prej tij.
Një efekt i paparashikuar i dërgesave është fakti se ato në Shqipëri kanë furnizuar marrjen hua të qeverive nga publiku i gjërë nëpërmjet letrave me vlerë (bonuset e thesarit) me përqindje më të larta se depozitat bankare, por niveli i borxhit publik në ditët e ndikimit të krizës ekonomike botërore nuk ua bëri të qartë politikëbërësve se ata duhet të ushtronin kujdes shumë të madh në konsiderimin e dërgesave për qëllime të huamarrjes publike.
Deri tani janë bërë pak analiza (në mos fare) mbi pasojat politike të angazhimit financiar nëpërmjet dërgesave të bëra nga komunitetet e diasporës ndërkohë që shumë vende kanë pasur politika aktive për ta mbajtur diasporën të angazhuar me vendin nëpërmjet dërgesave.
Këto dy – tre vite të fundit janë larguar shumë qytetarë nga vendi me shpresën për një jetë më të mirë, të cilët në kuadër të politikave të çdo qeverie duhen parë si mundësi jo e vogël në qoftë se për ata, në kuadër të integrimit të vendit në BE, do të bëhen lobingje të fortë për pranimin e tyre në gjirin e vendeve ku ata janë strehuar dhe kërkojnë të legalizohen, duke ia bërë të qartë BE – së faktin se “Nuk faji i stacionit të fundit (Shqipërisë) që treni (demokracia) mbrriti me vonesë.“.
Kasem Seferi – ekonomist