Home KRYESORE Arnida Çapi: Unë, “avokatja seksi”

Arnida Çapi: Unë, “avokatja seksi”

Nga Arnida Çapi

Të jesh tërheqës seksualisht. Çdo specie evoluon në drejtim të së bukurës dhe në drejtim të aftësimit intelektual. Dhe të gjithë përpiqen për t’u dukur sa më mirë. Vishen bukur, punojnë për të qënë të paraqitshëm, hanë shëndetshëm, bëjnë sport, palestër, frekuentojnë sallone bukurie, blejnë dhe përdorin makiazh.

Të gjithë përpiqen të duken bukur dhe të jenë të pëlqyeshëm, përpiqen çdo ditë, por ama për të tjerët të njëjtën përpjekje e quajnë të turpshme.

Dhelprën me rrushtë na i shpjegon psikoanaliza, se sa e rrezikshme është xhelozia femërore dhe akoma më e rrezikshme se ajo, është inferioriteti mashkullor përball femrës që nuk e arrin dot. Ndërsa Frojdi na ka shpjeguar se si ndrydhjet seksuale në moshë të hershme apo eksperiencat e këqija jetësore seksuale prodhojnë devijanca në sjelljet e mëvonshme dhe vetë në karakter.

Çfarë po ndodh me një pjesë të mediave që prodhojnë lajme “seksi”. Kjo seksi, ajo seksi, avokatja seksi, ministrja seksi, deputetja seksi, aktorja seksi, femra seksi, etj., tregon se ka një babëzitje për seks, pra deficencë seksuale.

Gjithçka kthehet në seks, shitet me seks, sulmohet me seks, pra, seksi si një nga instiktet bazike përbën akoma lajm ekskluziv. Prodhon vëmendje, klikime? Vëmendja krijohet, orientohet, ndryshohet.

Të dashur njerëz, të jesh seksi nuk është turp. Të gjithë bëjnë seks. Falë saj jemi lindur, sikurse të gjithë plotësojnë nevojat e tjera bazike që mundësojnë mbijetesën e species. Disa edhe mund të mos bëjnë për arsye të ndryshme, por kjo s’ka të bëjë me moralin. Seksi s’ka të bëjë me moralin. Karakteri ka të bëjë me moralin. Të jesh i vërtetë me veten dhe t’i qëndrosh besnikërisë së marrëveshjeve ka të bëjë me moralin.

Prandaj, hiqeni nga mendja se po i thatë dikujt seksi e keni fyer, apo keni fyer këdo që bashkëpunon me të.

Po pse jemi specie superiore, ne dhe falë kësaj edhe ju? Për shkak se kemi lëvizur nga veprimet bazike te mëndja, të intelekti.

Atëherë, flisni për njeriun. Boll bëtë lajme për gjëra bazike. Jetoni në Tiranë dhe bëni media fshatareske. Filloni të formoni opinione, të ngrini diskutime. Trajtojeni individin si subjekt, pra me të drejta për shkak të intelektit, jo si objekt. Vlerësojeni për atë që bën jo për atë që ka lindur apo që duket.

Të jesh tërheqës seksualisht apo të jesh e bukur e thoni sikur më keni fyer. Më keni fyer moralin apo intelektin? Më keni fyer që jam femër? Pse nuk shkruani për meshkujt që janë seksi?

Dhe unë duhet të intimidohem prej jush sepse më thoni seksi? Çfarë keni thënë me “avokate seksi”? Keni thënë se dukem tërheqëse seksualisht. Dhe keni thënë një gjë që s’ka lidhje me punën që bëj. Ç’lidhje ka ngjyra ime e syve me punën time?

Çfarë dini ju për mua?

S’dini asgjë dhe shkruani pa ditur asgjë. Nëse doni të dini më pyesni dhe do ju tregoj për atë që jam, jo për atë që ju doni të shihni. Ja ku po ju flas pak për veten. Kam investuar në intelekt dhe karrierë, jam diplmuar ekselente, kam marrë nga përvoja e njerëzve të suksesshëm dhe kam krijuar një punë të suksesshme.

Më pëlqen çdo gjë e bukur, më pëlqen të kërkoj dhe ta gjej të bukurën kudo, brenda njeriut, në natyrë dhe në çdo gjë që një mëndje e palimituar mund të krijojë. Kujdesem për veten, sepse jam detajiste dhe kam kërkesa të larta ndaj vetes për çfarë bëj. Po, sipas disave jam seksi. Besoj se është vlerë e shtuar për mua si individ, por që nuk ka lidhje me jetën time profesionale.

Ju mund të vazhdoni të ‘korrni grurin e fshatit tuaj’ për ata që ju ndjekin, por kurrë s’do jeni në gjëndje të drejtoni intelektin. Pushteti, të dashur gazetarë të medias, është përgjegjësi. Dhe pushteti juaj i medias është përgjegjësi për të vërtetën dhe për të kontribuar për shoqërinë tuaj me opinione të vërteta dhe modele pozitive.

Kush jam unë që ju them këto? Jam një individ që jam dhunuar nga injoranca dhe dashakeqësia juaj, jam ajo që ju nuk njihni. Por, nëse truri juaj proceson me gjykime pa njohur kjo është sëmundje e arsyes, nuk është as paragjykim.

Në dimensionin e kubit, katrori është i rrafshët e derisa nuk më njihni, unë mund edhe t’ju injoroj, por e vlerësova të nevojshëm këtë gjykim, jo thjesht si përgjigje për rastin, që tashmë është bërë sjellje e vazhdueshme nga ana juaj, por si qëndrim ndaj një kauze, për të drejtat e individit e të femrës shqiptare.

Share: