Disa persona jane arrestuar pas nje aksioni të ndërmarrë mbrëmjen e djeshme në luftën kundër terrorizmit, nga ana e policisë kosovare. Sipas raportimit që bën Indeksionline, aksioni është ndërmarrë në Prishtinë dhe arrestimet janë bërë në banesën e personave të dyshuar për lidhjet me ISIS dhe mbështetje të terrorizmit.
Duket se një operacion i gjerë antiterror është zhvilluar mbrëmë edhe në Shqipëri e Maqedoni. Në Shqipëri, nga strukturat e specializuara të luftës kundër terrorizmit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë ndaluar 4 shtetas shqiptarë si dhe janë shoqëruar 16 shtetas të tjerë, nga këta 5 të huaj dhe 11 shqiptarë.
Operacioni është drejtuar nga Drejtoria Antiterror në Policinë e Shtetit bashkërendim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Shkodër, Dibër, Elbasan si dhe me Forcat e Lëvizshme Operacionale dhe është zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan.
Në përfundim të këtij operacioni u ndaluan shtetasit:
Xh. F, 34 vjeç, lindur e banues në Vranjt, Dibër.
B. P, 30 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Shkodër.
E.F, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër.
M. H, 46 vjeç, lindur në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë.
Ndalimi u bë pasi këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandojnë nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, mbështesin me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme.