Home KRYESORE “Call Center”/ Flet sipërmarrësi italian Caparrotta: “Qeveria të nisë tratativat

“Call Center”/ Flet sipërmarrësi italian Caparrotta: “Qeveria të nisë tratativat

Ditët e fundit është folur shumë në media për një amendament që pritet të kalojë në Parlamentin Italian që lidhet me funksionimin e kompanive të Teleperformancës ose siç ne i njohim “Call Center”, por që prek edhe filialet në Shqipëri, ku janë përqendruar një numër i madh i tyre. Miratimi me gjasa i këtij amendamenti në Itali pritet të sjellë pasojat e veta në ekonominë shqiptare ku sot janë të punësuar afro 25 mijë të rinj në kompanitë Call Center. Roberto Caparrotta, sipërmarrës Italian në Shqipëri thotë se nga ky amendim rrezikohen 850 Call Center që ndodhen në Shqipëri.

“Amendamenti synon të rikthejë biznesin në fjalë në Itali dhe këtë e arrin me vendosjen e taksave mëse të larta për bizneset jashtë Italisë, si psh. 150 mijë euro për mos deklarim të biznesit jashtë territorit Italian. Është mëse e vërtetë që forca kryesore nëpër Call Center janë të rinjtë të cilët mbajnë veten dhe paguajnë shkollën që janë duke ndjekur. Por realiteti shkon edhe më tej.

Aty ka shumë të diplomuar të cilët nuk gjejnë mundësi tjetër punësimi dhe shumë familjarë. Të gjithë këta punonjës rrezikojnë jo vetëm vendin e punës por dhe humbjen e mundësisë për të gjetur diçka tjetër për të ardhura vetjake dhe familjare.” Sipas sipërmarrësit Caparrotta “Kalimi i këtij amandamenti nuk do të ketë aspak pasoja të mira sepse nëse nuk rrezikon mbylljen e të gjithëve kompanive do të ndikojë me patjetër në reduktimin e fuqishëm të këtij lloj biznesi.” Dhe për këtë pasojat do ti vuajë ekonomia shqiptare.

“Ekonomia shqiptare do të marrë një ndër grushtet më të fuqishme ekonomike nga e cila mund të them se do e ketë të vështirë të ringrihet në mënyrë të shpejtë. Amandamenti do të sjellë dëme dhe për sipërrmarrësit dhe jo vetëm për punonjësit, por këta të fundit absolutisht do të jenë më të prekurit.”

I pyetur se kur do të kalojë ky amendament në Parlamentin Italian, Caparrotta thotë se ende nuk ka një datë të saktë, por flitet se do të kalojë nga datat e para te dhjetorit. Ikja e kompanive Call Center nga Shqipëria do të favorizonte një treg tjetër, sikundër është përfolur Rumania. “Flitet për tregun rumun vetëm për faktin se është pjesë e BE-së sepse amandamenti flet për vendet jo pjesëmarrëse të BE dhe Shqipëria nuk është në këtë grup. Sigurisht është pjesë që do të vlerësohet nga sipërrmarresit nëse do e shofin me leverdi transferimin në Rumani.”

Në përfundim të bisedës me Opinion.al sipërmarrësi Caparrotta i kërkon qeverisë shqiptare që të ndërhyjë sa më shpejt, sa nuk është vonë. “Qeveria shqiptare minimumi që duhet të bëjë është të hyjë në tratativa me shtetin fqinj dhe jo të rrijë në heshtje totale siç është duke vepruar sepse në fund të fundit ka të bëjë në mënyrë direkte me ekonominë e vendit dhe mbi të gjitha me ata që nesër do të jenë e ardhmja e këtij vendi.”/ Opinion.al Dritan Laci

Share: