Home KRYESORE Çfarë i ka premtuar fshehtas Rama, Majlinda Bregut?

Çfarë i ka premtuar fshehtas Rama, Majlinda Bregut?

Çfarë i është propozuar në Bruksel deputetes disidente të PD?

Edhe një herë mediat i kanë bërë jehonë qëndrimit të ndryshëm që deputetja Majlinda Bregu, e cila kryeson komisionin e integrimit, ka patur kundër partisë së saj lidhur me hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë në BE.

Nëse partia e znj. Bregu ka kërkuar t’i lidhë ato me zgjedhjet e ardhshme, vetë ish ministrja e Integrimit ka kërkuar në Bruksel se “kura me e mirë kundër armiqve të demokracisë, është më shumë demokraci”. Në mbledhjen e komisionit të përbashkët Shqipëri- BE, Bregu ka kërkuar hapjen sa më parë të këtyre negociatave.

Po si shpjegohet ky qëndrim i ri i Majlinda Bregut? A ka të bëjë ai thjeshtë me një bindje të saj? Apo ka të bëjë me nje flirtim politik me Ramën sikurse mendon shumëkush brenda PD ?

Lapsi.al ka investiguar pak më tepër dhe ka mësuar se angazhimi i znj. Bregu shkon përtej bindjes së saj politike. Ai lidhet me një propozim joshës që ajo ka marrë në Bruksel, që para kohës kur do të votohej reforma në drejtësi, verën e shkuar.

Majlinda Bregut i është propozuar roli i kryenegociatores së Shqipërisë me BE, pas hapjes së mundshme të negociatave. Përveçse një vend tejet prestigjoz, ai është gjithashtu edhe një vend i paguar me një shpërblim disa mijra eurosh, pasi fondet jepen nga BE.

Por, jo vetëm kaq. Që Bregu ta arrijë këtë objektiv, “Ok” duhet të thotë edhe qeveria e Tiranës.

Deri në këtë pikë qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian kanë rënë dakord parimisht. Duket se Majlinda Bregu ia ka marrë fjalën Ramës gjatë një takimi jo publik me të në fillim të korrikut në Paris.

Por fakti se kompromisi Bregu- Rama ka përfunduar lumturisht, nuk ka qenë i mjaftueshëm për vazhdimin e projektit.

Sepse sipas informatave të Lapsi.al, në lojë është shfaqur edhe Ilir Meta.

Gjatë një takimi në Bruksel, bashkëbiseduesit e saj i kanë thënë ministres së LSI, Klajda Gjosha se ata ishin ne një mendje me kryeministrin Rama për të caktuar si kryesuese të delegacionit shqiptar që do dialogonte me BE, Majlinda Bregun.

Gjosha, si një bijë besnike e LSI, nuk është prononcuar dhe menjëherë ka dalë nga takimi për të pyetur me telefon Ilir Metën.

Por ky i fundit e ka refuzuar propozimin, duke vënë dy kushte. Së pari sepse kryenegociatori sipas praktikës vendoset rëndom një diplomat karriere (pra jo një politikan i lartë), me prirje bipartizane. Dhe e dyta, se nëse zonja Bregu e donte këtë post, për këtë duhet të jepte miratimin edhe partia e saj.

Kështu topi shkoi tek Lulzim Basha, i cili ndodhej përpara dilemës: ose t’i prishte karrierën njërës prej ish kolegeve të tij në qeveri, ose të bëhej shtojcë e vendimmarrjes së Ramës, i cili do e shiste këtë lëvizje si një veprim konsensual duke u mburrur se këtë post të rëndësishëm po ia “dhuronte” opozitës.

Natyrisht Basha mund të vepronte edhe ndryshe. Mund të shkonte edhe me idenë: më mirë Bregu sesa një socialist i thekur, por historia aspak miqësore me Majlindën, kritikat e saj dhe ftohja mes të dyve, kanë ndikuar në mospëlqimin e tij. Sipas informacionit që ka Lapsi.al, kreu i opozitës është treguar i ngurtë dhe nuk e ka miratuar këtë plan. Praktikisht ai i ka humbur PD-së edhe një deputete.

Dhe nga ky moment Ilir Meta, që luan rolin e garantit të opozitës brenda shumicës, nuk jep dakordësinë për paktin që ka arritur Brukseli, Rama dhe Bregu.

Pikërisht kjo ambicje e prerë në mes nga familja e saj politike, e ka ftohur Bregun me PD. Pikërisht kjo gjë e ka afruar ish ministren e Berishës në qëndrime me kryeministrin. Prandaj edhe njëherë, që pas reformës në drejtësi, Majlinda Bregu ishte të hënën në Bruksel më pranë idesë së shumicës për hapjen e negociatave sesa asaj të PD, në të cilën militon ende. /Lapsi.al/

Share: