Nga Kasem Seferi
Shumë analistë dhe studjues të politikës, shumë herët, është dashur ta bënin dallimin ndërmjet turmës, si një grup me tiparet më të këqia të shoqërisë, dhe popullit, që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë.
Arsyeja e këtij dallimi është fare e qartë: ndërsa populli në të gjithë lëvizjet e mëdha lufton për një përfaqësim të vërtetë, turma gjithnjë brohoret për “njeriun e fortë” dhe “liderin e madh”.
Kjo ka qenë dhe mbetet arsyeja që dëshmon përse “teatri” i politikës shqiptare është mbizotëruar nga mohimi, sharja, zhvlerësimi.
Nga njëra anë mohimi i punës së kundërshtarit politik dhe, nga ana tjetër, servilizmi, lavdet, hyjnizimi i kultit të individit për menaxhimin e proçesit politik dëshmojnë psikologjinë zotëruese të turmës që influencohet nga iluzionet e liderit në lidhje me marrjen e pushtetit.
Te çdo mbështetës dhe kundërshtar, me bindje të caktuara politike, rregullisht, ndërhyn qëndrimi i liderit me modelin e tij politik. Kësisoj, psikologjia individuale bëhet gjithashtu dhe psikologji shoqërore e grupeve të caktuara politike.
Për rrjedhojë, skena politike mbizotërohet nga një gjuhë e ashpër që urren gjithçka që i përket liderit kundërshtar dhe, për këtë arsye, kundërshtarët ia mveshin gjithçka të keqe njëri – tjetrit.
Për liderin e tyre, turma hedh lavde me nota të forta servilizmi, duke thirrur në korr emrin e tij, duke e shoqëruar atë me ovacione të herëpasherëshme.
Secili lider është “betuar” se do t’u shërbente të gjithë qytetarëve. Por, që një lider t’i dojë njësoj të gjithë qytetarët, është iluzion. Pikërisht, një mendim i tillë është konceptuar dhe përdorur si mjeti më i përkryer për të gjetur iluzionin te çdo njeri ku iluzioni vepron.
Mungesa e identitetit politik të liderit, shpejt, nxjerr në pah individualizmin radikal të tij, vetëm e vetëm për të qenë kundërshtar politik i të ngjashmit të tij, dukuri që është vënë re gjatë këtyre dy dekadave.
Në jetën politike shqiptare po bëhen gjëra të pazakonshme që imitohen nga turma e përkrahësve, madje edhe nga gazetarët, ndryshe nga ajo që ka ndodhur në të bërit politikë në Europë. Në këtë mënyrë, është dëshmuar se “risitë” e tyre nuk kanë qenë të vërteta, por trille të liderëve që, më pas, janë bërë mënyrë veprimi për masën e përkrahësve.
Në skenën politike shqiptare zorr se gjen një pakicë politikanësh të kulturuar që të ngjizin parime të shëndosha të menaxhimit politik. Asnjë parti politike, ose koalicion nuk ia ka dalë me sukses të fitojë përkrahjen e opinionit të përgjithshëm qytetar.
Dështimi për ta kthyer opinionin e përgjithshëm qytetar drejt objektivit të vet politik dhe prosperitetit e ka bërë të përkohëshme kauzën politike të çdo partie politike.
Zhvillimi i duhur i çështjeve madhore politike, si reforma në drejtësi dhe rregullsia në zgjedhje, nuk mund të arrihet me anë të qëndrimeve despotike, që bindjen e opinionit të përgjithshëm qytetar e ngatërrojnë me nënshtrimin e tij.
Në ndërthurrjen e politikës me ekonominë tashmë shfaqet vetëm një patologji: korrupsion dhe klientelizëm. Nga njëra anë, vazhdim i një monopoli të krijuar herët në periudhën komuniste dhe, nga ana tjetër, fillimet e një kriminalizimi të ri të shtetit.
Këto dukuri, tregojnë qartë se grupe të fuqishme interesi kërkojnë të ndikojnë apo të sundojnë proçeset e demokratizimit të vendit. Padrejtësitë shoqërore dhe ndjenja e pasigurisë, së bashku, kanë krijuar terrenin më të favorshëm për demagogji autoritare populiste.
Si rezultat, jo rrallë, shihen simptomat për të ngjallur kërkesën për konsolidim të njeriut të fortë, njeriun e dorës së hekurt në politikë (ndokush me idenë e një mandati të dytë si domosdoshmëri për zhvillimin e ideve të liderit të fortë).
Por, sfida më e madhe para elitës politike, sot, është lufta kundër ndjenjës së pasigurisë, si një rrezik tepër i madh.
Politika duke ndikuar te drejtësia, e ka bërë qytetarin e thjeshtë të mos ketë besim te ajo te e cila duhet të besojë se e mbron. Pra, zorr se mund të pranohet që politika sjell më shumë paqe dhe rend në shoqëri, sikurse lypset të jetë misioni i saj i vërtetë.
Në shoqërinë shqiptare sëmundja më e rëndë është ajo se njerëzit nuk guxojnë të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë, sikundër flasin për shumë çështje të tjera që i preokupojnë ato.
Heshtja, që mbështet një mashtrim, ose një dhimbje që duhet lehtësuar, duhet hedhur poshtë, për arsye se nuk mbetet rrugë tjetër për të zgjedhur përveç asaj për të folur pa dorashka dhe për të nxjerrë në shesh pisllëqet që fshihen nën petkun e fjalëve.
Zgjatja e pajustifikuar e periudhës së tranzicionit demonstron se në Shqipëri nuk janë plotësuar disa nga aspektet themelore të sistemit politik demokratik dhe, një gjë e tillë, bëhet e dukshme kur pushteti politik dhe ekonomik mbetet i perqendruar në duart e ekzekutivit, me një mbikqyrje të vogël nga degët e tjera të pushtetit, çka, pa vështirësi, mund të vërtetohet edhe nga plaformat dhe politikat pothuajse të njëjta të të gjitha qeverive në këto dy dekada.
Fushata e ndërsjellë e akuzave të paturpshme për korrupsion që partitë politike kryesore i bëjnë njëra – tjetrës, tregon se arena politike vazhdon të karakterizohet nga marrëdhënie konfliktuale dhe agresive, sjellje kjo e trashëguar nga e kaluara autoritare.
Kësisoj, çdo zgjidhje e re politike e premtuar, shpejt, është bërë një ëndërr e pashpresë. Prej shumë vitesh, kjo dukuri tregon se ajo që i mungon klasës politike është vlerësimi i pikëpamjeve të kundërta.
Një demokraci ku mungon kultura liberale është e barabartë me demokratizim plus zbatimin e varfër të ligjit:
mbrojtjen e varfër të të drejtave të pronës;
të drejtave të investitorëve si kontratat e ndryshme etj;
rënien e efektivitetit të qeverisjes;
zbatimin e varfër të legjislacionit tatimor;
zgjerimin e ekonomisë informale;
rritjen e ulët të të ardhurave dhe shpenzimeve;
dështimin në shpërndarjen e ndihmës në favor të grupeve shoqërore në nevojë;
trajtimin e njëanshëm të subvencionimit të bizneseve në lidhje me papunësinë;
institucione të dobta;
mungesën e konsensusit në lidhje me defiçitin e buxhetit;
akumulimin e borxhit;
përqindjen e këmbimit dhe zhvlerësimin e monedhës vendase.
Të gjitha këto kanë çuar:
në një pabarazi të paparë në lidhje me të ardhurat;
në polarizimin e shoqërisë;
në përqindje më larta të krimit;
në parashikueshmëri më të ulët për jetën;
në investime më të ulta; dhe
në ngadalësimin e rritjes ekonomike.