Kandidatja humbëse e garës presidenciale në SHBA, Hillary Clinton doli para mediave për të thënë fjalën e saj të parë pas shpalljes së rezultateve. E shoqëruar nga bashkëshorti, Bill dhe e bija Celsi, kandidatja humbëse e demokratëve uroi fituesin Donald Trump dhe tha se ishte e gatshme të punonte me të.
“Më vjen keq që nuk i fituam dot këto zgjehdje. Ndjehem krenare për fushatën e mrekullueshme që ndërtuam së bashku. Të qënit kandidate për presidente ishte një nga nderimet më të mëdha që më është bërë në jetë. Fushata jonë nuk ishte kurrë kundër një personi, por ishte për vendin tonë. Ne duhet të pranojmë rezultatin dhe të shikojmë nga e ardhmja”, tha Clinton.
Në vijim të fjalës saj ajo u kujdes të theksonte edhe bindjen se Amerika është e të gjithëve, duke renditur këtu edhe njerëzit me ngjyrë, emigrantët e deri te komuniteti LGBT. Ky mesazh i saj nuk ishte pa qëllim, po të kemi parasysh deklaratat ksenofobe të Trump kundër emigrantëve.
Më pas Clinton falenderoi presidentin në ikje, Barack Obama për lidershipin e treguar dhe mbështetjen që i ka dhënë. Në fund falenderoi bashkëshortin dhe familjen, si dhe gjithë qytetarët që e mbështetën dhe bënë një fushatë të mirë.
“Mos ndaloni kurrë së besuari se lufta për atë që është e drejtë ja vlen”, tha Clinton në mbyllje të fjalës së saj./LAPSI.AL/