Home KRYESORE Kreshnik Spahiu debat me Vasil Bollanon mbi pronat ne Himare

Kreshnik Spahiu debat me Vasil Bollanon mbi pronat ne Himare

Protestat për prishjen e pronave në Himarë, kanë sjellë deklarata të tensionuara nga Ministria e Jashtme greke dhe ajo shqiptare. Të ashpra kanë qenë edhe qëndrimet në studion e “Dritare me Rudinën”, në Vizion Plus ku janë hedhur akuza ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, se ka punuar kundër interesave të komunitetit. Ish kryetari i Bashkisë së Himarës Vasil Bollano tha:

“Për 6 muaj nuk kishim informacion se si do të rregullohej qyteti. Nuk është çështje vetëm e Bashkisë dhe qeverisë por është edhe e komunitetit, e njerëzve, pronarëve që jetojnë aty. Interesimi ynë nuk është politik. Jemi interesuar që në verën e vitit 2015, ndërsa përgjigje na kanë kthyer pas 6 muajsh.

Unë mund të rendis të gjitha kërkesat për takim dhe nuk na është dhënë mundësia. Është një ndërtim i fshehtë që po bëhet. Në dosjen që na është vënë në dispozicion, mungon leja e ndërtimit, mungon vendimi i këshillit bashkiak. Nuk keni asnjë tagër për zbrazjen e shtëpive. Fondi i Zhvillimit mban përgjegjësi penale për mospasjen e një dosjeje të plotë. Z.Beci do të përgjigjet penalisht.

Ne mbështesim deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, sepse kur nuk na dëgjon Ministria jonë, atëherë dikush na dëgjoi dhe na erdhi në ndihmë, pasi ne informojmë në mënyrë permanente Athinën zyrtare. Deklaratat dhe shkresat tona u dërgohen jo vetëm qeverisë greke, por të gjithë organizmave ndërkombëtare.

Plani për Himarën është shumë i keq dhe në interes të qarqeve të caktuara. Në Himarë ka diskriminim. Banorët po largohen nga Himara sepse po u prishen shtëpitë. I kërkojmë shtetit shqiptar të na japë një përgjigje për pronat tona, për zgjidhjen e çështjes në përputhje me legjislacionin shqiptar”, u shpreh Vasil Bollano.

Nën nënkryetari i përgjithshëm i OMONIA-s, Fredi Bejleri tha se Himara është pjesë e Shqipërisë dhe kërkoi që të respekohen të drejtat e tyre për pronën dhe besimin.

“Gjithë pronat që janë prishur për ndërtimin e qendrës së Himarës, janë të minoritetit grek. Këto investime janë në dëm të komunitetit himarjot. Himara është një njësi administrative ku jetojnë dy komunitete, ai shqiptar dhe ai grek. Ne jemi evropianë. Kemi interes si qytetarë që Shqipëria të bëhet BE. Ne duam tokat tona dhe besimin tonë”, tha Bejleri.

Analisti Mentor Kikia tha se Ministria greke është keqinformuar në mënyrë të qëllimshme duke u thënë se po bëhet spastrimi i minoritetit grek nga Himara.

“Jemi në kushtet kur autoritetet tona veprojnë rrumpall, ku nuk informojnë për veprimet e tyre. Këtu po flitet dhe po akuzohet se prishja e pronave është bërë në mënyrë tendencioze, për ta spastruar Himarën nga minoriteti grek. Nëse ka prova për këtë që po thuhet, duhet të merren masa edhe në Këshillin e Europës. Projekti për Himarën mund të jetë i keq, mund të jetë korruptiv, por nuk mund të pranohet që është në dëm të minoritetit grek. Sepse prishje pronash ka edhe në Tiranë, dhe në rrugën Tiranë- Elbasan dhe banorëvë që u janë prishur pronat, nuk janë dëmshpërblyer.

Ministria greke është keqinformuar, me qëllim apo keqdashje, duke i thënë se po shpërngulen nga Himara. Drejtuesit e minoritetit në Himarë po sjellin këtë rrëmujë pasi duke u mbështetur nga qarqet greke në Athinë ngrejnë pretendimet e tyre të paqena”, u shpreh Kikia.

Ndërsa Kreshnik Spahiu ka qenë shumë i ashpër në deklarata. Ai u shpreh:

Kjo çështje ka një problem ligjor, një politkë, dhe një diplomatik. Për interesa publike çdo pronë private shembet nga shteti kundrejt dëmshpërblimit. Është problem politik, sepse ka pasur një pretendim. Dropulli dhe Filiqi janë zona që u janë lënë komunitetit grek. Kam qenë kundër se nuk mund të ndahen nga Shqipëria. Ju keni pretenduar që Himara të deklarohet sikur popullohet nga minoriteti grek.

Diplomatik, sepse ju duhet ta ndani mendjen, Himara është greke apo shqiptare.

Qimen e bëni tra. Edhe kjo akuzë juaja është tendencioze. Një pjestar i komunitetit grek është aksidentuar dhe keni 10 vjet që e përmendni dhe e bëni tendencioz si rast. Por çfarë tokash kërkoni ju, çfarë pronash? Ju jeni të ardhur në atë tokë. Ju jeni diasporë. Keni ardhur si emigrantë dhe keni punuar në tokat tona dhe keni marrë pronësinë pa të drejtë.”

Në emision u diskutua gjatë për përplasjen e deklaratave të dy qeverive shqiptare dhe greke dhe Kikia e Spahiu, sulmuan Bollanon e Bejlerin për krijim të këtij sherri absurd mes Greqisë dhe Shqipërisë./ dritare.net

Share: