Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë shpenzojnë shuma marramendëse për udhëtimet jashtë vendit. Një shkresë e Kuvendit tregon se ata kanë udhëtuar me fluturime ajrore plot 362 herë nga janari në tetor të këtij viti. Shkresa e firmosur nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, e publikuar nga Shqiptarja.com i drejtohet Byrosë së Kuvendit. Ajo kërkon ndryshimin e procedurës së prokurimit për blerjen e biletave, duke vënë në dukje faktin se për dy muajt e ngelur të këtij viti fondi i Kuvendit për udhëtimet e deputetëve jashtë vendit është është 3.6 milionë lekë të reja.
SHKRESA
“Për procedurën e biletave ndërkombëtare për periudhën nëntor-dhjetor 2016.
Shërbimet e Kuvendit, në respekt të plotësimit të misionit, për krijimin e kushteve sa më të mira të punës për kryerjen e funksioneve kushtetuese të deputeteve dhe duke synuar disiplinimin e zërave të veçantë të shpenzimeve ndër të cilat dhe shpenzimet që kryhen për pjesëmarrjen në aktivitetet jashtë shteti, për përdorimin me ekonomi, eficencë dhe efektivitet të fondeve, ka mbështetur në saktësimin e kuadrit ligjor në fuqi duke miratuar rregulloren e brendshme “Mbi udhëtimet ndërkombëtare”.
Në zbatim të kuadrit të prokurimeve me “Marrëveshjen Kuadër”, me një fond limit në shumën 30 milion lekë nga data 03.12.2015 (data e nënshkrimit të marrëveshjes) ishte menduar/planifikuar që kjo të funksiononte deri në 31.12.2016. Por kjo procedurë me këtë fond limit u kontraktua deri në datat 7-10 nëntor 2016.
Gjatë periudhës Janar– 10 Nëntor nga Shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë janë ndjekur dhe realizuar 114 praktika udhëtimesh ndërkombëtare, ku kanë kryer 362 udhëtime deputetë dhe staf nga Kuvendi i Shqipërisë nga të cilat 14 praktike me 70 pjesëmarrës kanë qenë në vendet e rajonit dhe ka vijuar udhëtimi me makina.
Por sipas informacionit të Shërbimit të Marrëdhënieve me Jashtë, mbi Kalendarin e Veprimtarive me Jashtë të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën nëntor-dhjetor 2016, janë në ndjekje disa aktivitete të rëndësishme në të cilat pjesëmarrja është e domosdoshme, për realizimin e objektivave të veprimtarisë ndërkombëtare të Kuvendit si: intensifikimi i punës në nivel parlamentar për avancimin me agjendën evropiane të Shqipërisë; rritja dhe forcimi i kontakteve mes parlamenteve të vendeve të ndryshme me synim nxitjen e mëtejshme të diplomacisë parlamentare; intensifikimi i bashkëpunimit rajonal dhe organizatat shumëpalëshe etj.
Për vetë specifikën e udhëtimeve ndërkombëtare, parashikimi i aktiviteteve për një periudhë të gjatë është shumë i vështirë, kjo për shkak se ftesat për pjesëmarrje në aktivitete ose ftesat për vizita zyrtare dypalëshe mund të vijnë disa muaj para, në rastin më të mirë, ose disa javë para aktivitetit, apo vizitës zyrtare (por ka dhe raste më emergjente kur njoftimet vijnë vetëm pak ditë para aktivitetit).
Gjatë vitit janë realizuar vizita të cilat nuk kanë qenë të planifikuara për t’u kryer gjatë vitit 2016. Po ashtu janë të paparashikuara në kalendar deri më datë 10.11.2016 edhe vizita të tjera për periudhën e mbetur të vitit 2016. Të ndodhur përpara kësaj axhende të ngjeshur parlamentare është vlerësuar nga një grup pune që fondi për “Bileta për transport ndërkombëtare” kap shumën 3.600.000 për periudhën e mbetur të viti 2016.
Në zbatim të rregullave të prokurimit, si dhe mes një korrespondence zyrtare dhe komunikimi verbal me Agjencinë e Prokurimit Publik, kemi bërë detajimin në regjistrin e prokurimeve me ndarjen të fondit për të vijuar më procedure blerje vlere e vogël, një fond tjetër me procedurën për negocim pa shpallje paraprake e cila kërkon kohë për tu realizuar. Theksojmë që jemi në kushte emergjente duke vepruar”,-thuhet në raportin e Albana Shtyllës!/Lapsi.al