Home KRYESORE Do të dorëzohet LSI për Kodin Zgjedhor?

Do të dorëzohet LSI për Kodin Zgjedhor?

Nga Artur Zheji

Eksponentë të LSI e kanë përmendur disa herë çështjen e Kodit Zgjedhor dhe kanë shprehur parapëlqimin e tyre për një sistem të ndryshëm nga ky që është sot. Një sistem që numuron dhe i jep të drejtë përfaqësimi çdo vote, një Proporcional Kombëtar, që nxjerr në plan të parë pushtetin e votës së çdo individi dhe vlerëson për programet alternative çdo forcë politike në Shqipëri.

Kupola drejtuese e LSI, e ka me të drejtë përzemër një Ligj Zgjedhor të ri. Madje kundër këtij Ligji që kemi sot, në vitin tashmë të largët 2008, Meta me shokë, u ngujuan në një grevë urie, në Kuvendin e Shqipërisë. Nje grevë urije që mbahet mend, si një betejë politike me një kauzë të admirueshme, por që nuk pati sukses, për arsye të diktatit dhe koalicionit politik, të dy partive të “mëdha”, PS dhe PD.

Sot që flasim kanë ndryshuar shumë gjëra, por jo kompleksi i superioritetit, i të dy partive, që kanë kushtëzuar shiun, borën, stuhinë apo kohën me diell në politikën shqiptare.

Ndërkohë që tani, kanë dalë në skenën politike edhe filiza të reja politike, si një shenjë e dukshme e lodhjes dhe rraskapitjes nga lidershipi i përjetshëm i PD, apo i PS që me sherrnajën e tyre dhe dështimet, më të shumta se arritjet, kanë krijuar një pengmarrje të së ardhmes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Sot që flasim LSI krenohet dhe u përsërit të gjithëve se ka një kapital të ngurtësuar dhe besnik zgjedhësish, me një hambar prej 250,000 deri në 300,000 votash. Mirëpo me këtë Ligj Zgjedhor egzistues, kjo forcë politike, ashtu si edhe siglat e tjera politike, shumë më të kufizuara në numër votash se ajo, janë për taktikë politike, të kushtëzuara të bëjnë, duan s’duan, koalicione parazgjedhore ose me PS ose me PD, duke vënë në dispozicion, ose të PD ose të PS, votat e veta besnike. Sepse po të dalin të vetme, për të fituar 1 deputet në Kuvend, u duhet tre fishi i votave.

Kjo e shndërron LSI, në një parti politike të përkëdhelur dhe me plot shkues e sekserë në paradhomën e saj, për “koalicione, oferta apo skema konspiracionesh” dhe kjo situatë, është politikisht e rehatshme.

Por a do të pajtohet Ilir Meta deri në pafundësi me këtë rol, gjithësesi dytësor në politikën shqiptare? Me këtë pozicion të rehatshëm, ashtu si e përkufizoi deputeti Spahiu, “që prodhon kryeministra”, që ka vrejtje e pakënaqësira, por që nuk merr ende vendimin e duhur, për tu thënë shqiptarëve, se është gati për lidership kombëtar?
Apo do të presë Ilir Meta, të plaket politikisht nga rehati dhe të kënaqet vetëm duke “urdhëruar” kryeministrat, që të bëjnë vizita speciale në zyrën e tij dhe ata, kryeministrat, të shpikin formula kortezie nga më të ndryshmet, për të kënaqur edhe njëherë tjetër aleatin e rëndësishëm?

Sigurisht ky është një vendim që i përket Metës dhe vetëm atij. Por gjithësesi ai e ka detyrim të deklarohet hapur për Kodin Zgjedhor, që shtyp dhe deformon votën e shqiptarëve, si edhe u shtyp, u vodh dhe u tjetërsua vota e tij në vitin 2009.

Sepse ka bërë një grevë urije, kundër kësaj që kemi sot dhe pamvarsisht se sot LSI, i gëzohet përfitimeve të Koalicionit, e ka për mision natyral, çlirimin e votës së shqiptarëve, nga vargonjtë e partive të “mëdha”.

Sepse vota e shqiptarëve u duhet kthyer shqiptarëve!
Ose përndryshe Meta dhe LSI, do të vazhdojnë përjetësisht, jetën në çift apo në koalicion, pamvarsisht sherreve, pabesive dhe kurtheve politike, që kërkojnë ta heqin qafe politikisht atë.

Mirëpo Shqipëria duhet tua ndryshojë panormën e vet politike, herët a vonë dhe duhet të kalojë në një Republikë të Dytë, me një Reformë të thellë të përfaqësimit të Ri politik.

Edhe Lulëzim Basha duhet ta mendojë mirë këtë opcion të Proporcionalit Kombëtar, sepse sot PD, pamvarsisht krizës së gjatë të brendshme, tradhëtimeve dhe dezertimeve, është një forcë politike në rritje dhe ka veçse përfitime nga një ndryshim thelbësor i përfaqsimit.

Sigurisht që nga Rama, që nuk ka lënë papagall pa hedhur në fushë që ta thërrasë “Ramë reformatori”, nuk pritet, pikërisht kjo Reformë, që është në të vërtetë, Reforma Nënë, e të gjitha reformave që duhen bërë në këtë vend.

Ndërkohë që 2017 është te dera dhe Fushata Elektorale ka filluar me të gjithë motorrët ndezur. Të paktën nga PS, sigurisht!

Share: