Home KRYESORE Donald Trump në New York për ekspozitën e Edi Ramës!

Donald Trump në New York për ekspozitën e Edi Ramës!

Nga Arian Galdini

Ai u nis. Vuri këmbën në avion dhe fluturoi drejt New Yorkut. Sa mirë që New Yorku është edhe Seli e OKB. Aty mund të shkonte edhe Ahmedinaxhadi kur ishte President i Iranit.

Sot në New York do të jetë Edi Rama. Në Shqipëri, New York është Amerikë. Në Amerikë, New York është një shtet i madh me 29 vota elektorale. Kemi edhe New York city që është qytet shumë i rëndësishëm për jetën kulturore dhe financiare që zhvillohet në të.
Pardje Edi Rama ishte bërë gati të na thoshte neve se Kryeministri i Shqipërisë po shkonte në Amerikë.

Sot Edi Rama nuk mund të jetë dot Kryeministri që shkon në Amerikë. Është thjesht njeriu që përdor Kryeministrinë si agjensi promovimi për pikturat e Edi Ramës, i cili ia ka dalë të blejë mundësinë e hapjes së një ekspozite në qytetin e New York.

Dy ditë kanë kaluar e gjithçka ka ndryshuar thellësisht e rrënjësisht.

Amerikanët zgjodhën një President të ri dje dhe sot Edi Rama nuk shkon dot si Kryeministër në Amerikë.

Ai vetëm mund të përdorë biletën e avionit dhe faturat e blerjes së të drejtës për të hapur ekspozitë në New York, para se djeshmes.(Qofshin këto fatura edhe kortezi ndaj një Kryeministri.)

Lojën me Kryeministër që shkon në Amerikë, nuk e bën dot. Kaq mjafton për të kuptuar se një stinë e re sapo ka nisur për Liderin tonë Global të Rilindjes.

A është Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump, njeriu që ia ka hapur llogaritë e ekomomisë së frikës Edi Ramës? Nuk e besoj.

Donald Trump nuk e ndjek CNN e aq më pak emisionionin e Baton Haxhiut apo të Muç Nanos. As Kuvendin e Shqipërisë nuk besoj se sheh në TVSH. Deklaratat që Edi Rama ka bërë pak javë a muaj më parë ndërsa në SHBA ishte ndezur fushata presidenciale, kanë qenë në frekuencë aq të ulët saqë veshët e një njeriu që kandidon për në Shtëpinë e Bardhë, duhen pajisur me receptorë ultratingujsh për ta dëgjuar.

Kryeministri Edi Rama përfaqëson një vend që ka hapësirë dhe popullsi, aq sa gjithçka e të gjithë bashkë mund të hyjmë e strehohemi në njërin nga Hotelet e Trump.

Asnjë shans nuk ka që mesazhet e Kryeministrit tonë dhe frekuenca e tyre të mbërrijnë deri tek fuqia për të vendosur në vend dinjitetin e shqiptarëve, përderisa nuk ka veshë që ti dëgjojnë ato.

Atëherë kujt ia drejtoi mesazhin Edi Rama? Nëse Donald Trump paskërkësh cënuar a lënduar dinjitetin e shqiptarëve dhe Kryeministri i Shqipërisë shkon e i turret me një gjuhë e frekuencë që nuk mbërrin fare as në vëmendjen e as në veshët e Trumpit, a ka vend këtu që ky të vetëmburret se na ka dalë për zot neve shqiptarëve?

Kjo është njëlloj si të shohësh në tv, filmin Kumbari 3 ku luan Al Pacino, të shkosh në Top Channel e të shash nga studio e Sokol Ballës, Pandi Laçon e Tv Klanit me arsyetimin se ky kishte bërë gabim që kishte shkuar në Opera kur e dinte që Don Lukese kishte porositur vrasës me pagesë për ti vrarë gocën Michael Corleones. E pasi ta kesh bërë këtë, të pretendosh se je kritik i hollë arti.

Trushkulje më të epërme se kjo, nuk besoj se ka. Një Kryeministër që e ka nisur politikën si Ministër me çitjane, ka dalë me sopatë në dorë kur u bë Kryetar Bashkie, është paraqitur me megafon për të kënduar këngën Qingji vogël fle mendueshëm, kur e thërriste Kuvendi për dëgjesë, hungërinte si i ndërkryer kur kërkonte Doktorin në mitingun elektoral të PS, e që nga dita e parë e deri sot ka me dhjetra e dhjetra akte e gjeste publike jashtë normales, vjen kjo ditë e na thotë se shkoi ne CNN, tek Batoni dhe Muç Nano për të na treguar neve shqiptarëve dhe mbarë botës sesa rrezik të madh paraqiste Kandidati për President i SHBA Donald Trump.
Haluçinante.

Edi Rama ndihet normal dhe ka vetësugjestionimin se ai duhet të bëhet një nga shtatë boritë biblike për të paralajmëruar fundbotën që po vjen nga Trumpi.

O Zot, jepna fuqi të mos qeshim, sepse do të na pëlcasin mushkëritë nga gajasja.

Është po ky njeri, që në fjalorin e tij të përditshëm përdor sharjet, fyerjet, etiketimet më të rënda, shpërfillëse, poshtëruese për këdo që e ka kritik, kundërshar, opozitar apo që nuk e ka në xhepin e tij të vogël këtu në këtë Hotel Shqipërinë tonë, e papritmas na u ndjekërka intelektualisht dhe humanisht i ngacmuar nga një Kandidat për President në SHBA për shkak të fushatës me deklarime skandalistike e bombastike që ai bën.

Është po ky njeri që në sjelljen e tij si njeri dhe si Kryeministër, nuk ka ditë të mos dëshmojë arrogancë, përdhunë, represion, përçmim, veçim, dasi, krahinalizëm, seksizëm dhe ja ku ia beh ai momenti kur na çudit me alarmin që vë në CNN, tek Batoni dhe Muç Nano, se Donald Trumpi është rrezik për botën.

Është po ky njeri që e mbush Shqipërinë me kanabis, do ta mbushi edhe me plehra, grabit buxhetin e shtetit me 3 P, qeveris si plaçkitës, e kërcen si Sanço Panço prej gomarit të pandërgjegjes nëpër studio televizive për të bërë duel në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarëve, me Donald Trumpin që na paskërka sfiduar.

Është po ky njeri që Kosovën e sheh si shprehje gjeografike dhe paqen e Serbëve me Shqiptarët e sheh si paqe mes tij dhe Vuçiçit, e në mes të fushatës presidenciale në Amerikë kacavirret nëpër Tv që ti çjerrë maskën Donald Trumpit i cili na paskërka folur kundër Kosovës.

Është po ky njeri që ka bërë deputetë, Kryetarë Bashkie, e ka mbushur administratën shtetërore me horra, trafikantë, tutorë, cuba e laca dhe shkon në CNN për tu thënë amerikanëve se sa zgjedhje e keqe është Donald Trumpi.

Është po ky njeri që shqiptarëve u ka asgjësuar zgjedhjet duke i kthyer në mall tregu ku vota shkëmbehet me para, kanabis dhe hu, e guxon e shkon nëpër tv që të fusë hundët në një fushatë presidenciale në vendin më të madh, më të lirë, më demokratik të botës ku zgjedhjet dhe vota janë të shenjta.

A ka në botë situatë më psikedelike se kjo?

Nuk e besoj.

Ndaj, mendoj se nuk është Donald Trump ai që ka hapur ndonjë defter hesapesh për tu larë me Edi Ramën. As sot dhe me shumë gjasa as nesër nuk do të ndodhë.

E sigurtë është që Edi Rama, prej ditës së djeshme ka hyrë në katakombet e nënvetdijes së tij dhe aty po bën luftën e tij të re me Donald Trumpin.

Donald Trumpi që është zgjedhur President i SHBA as e ka dëgjuar, as ka për ta dëgjuar ndonjëherë ç’ka thënë, ç’do thotë, e ç’është Edi Rama.

Problemi i vërtetë i Edi Ramës ka për të qenë ai Donald Trumpi që kërkon brenda tij Kryeministri ynë për ta bërë copë copë.

Lufta e re e Edi Ramës do të jetsë edhe lufta e tij e fundit, sepse duke luftuar me Donald Trumpin brenda tij, ai ose do të bëjë lolon siç bën gjithmonë me më të fuqishmit, ose po nuk i eci loloizmi do ti shpallë luftë edhe Amerikës.

Dhe do të jetë tepër vonë për të kur ai të kuptojë se Pandi Laço nuk është Al Paçino dhe Donald Trumpi brenda Edi Ramës, nuk është ai që është zgjedhur President i SHBA.

Share: