Home KRYESORE Durrës, burri i hedh ujë të nxehtë gruas…

Durrës, burri i hedh ujë të nxehtë gruas…

Konfliktohen për punë parash e më pas sherri degjeneron në sulm fizik të rëndë nga ana e një burri kundrejt bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur në një familje në Durrës, ku bashkëshorti i ka hedhur ujë të nxehtë në fytyrë e trup gruas së tij.

Sipas policisë, Erion Bregasi 35 vjeç, pas një konflikti me bashkëshorten e tij 32-vjeçare, shtetasen F.B., i ka hedhur ujë të nxehtë në trup duke e djegur në disa pjesë të trupit.

Pasi ka marrë ndihmën mjekësore gruaja është larguar për në banesë, ndërsa bashkëshorti është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje.

Por si nisi sherri i rëndë mes këtij çifti?

Nga burimet policore, “DurrësLajm” mëson se pasi Erion Bregasi ka vajtur në shtëpi, gruaja ka nisur t’i kërkojë llogari se ku i kishte shpenzuar paratë. Teksa bërtiste duke i kërkuar llogari të shoqit, gruaja kishte vënë në zjarr tenxheren për të përgatitur ushqimin, dhe në një moment, ai e ka marrë atë dhe ia ka hedhur mbi fytyrë dhe kurriz.

Por jo vetëm gruaja është dhunuar nga ana e të shoqit, pasi dhe ajo ka marrë çfarë i ka dalë përpara dhe ia ka hedhur në trup e fytyrë burrit. Me gota, pjata e sende të ndryshme në kuzhinë, 32-vjeçarja ka sulmuar të shoqin, i cili po ashtu ka marrë disa dëmtime.

Pasi janë përleshur me njëri-tjetrin, gruaja e ka denoncuar ngjarjen në komisariat, e më pas uniformat blu bënë arrestimin e 35-vjeçarit.

Çifti jeton në lagjen nr. 15 në Spitallë, e mësohet se burri është nga Përmeti e gruaja nga Kavaja./Durreslajm/

Share: