Home KRYESORE Forcat e Armatosura, “beteja” për buxhetin

Forcat e Armatosura, “beteja” për buxhetin

Nga Azem Parllaku

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u është drejtuar me një letër deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në vijimësi të diskutimeve rreth projekt-buxhetit të vitit 2017. “Diskutimet për buxhetin në sektorin e mbrojtjes i konsideroj si ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit, kjo pasi demonstrohet përgjegjshmëri institucionale ndaj çështjeve që e tejkalojnë politikën dhe mandatin e një qeverie të radhës”, shkruan Kryetari i Shtetit, njëherësh dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si ushtrim i përgjegjësive kushtetuese.

Në mungesë të konsultimit paraprak nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, draft-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, Kryetari i Shtetit e gjen në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU), dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së.

Nga ana e saj Ministria e Mbrojtjes bën me dije se, i ka të gjitha kapacitet për të hartuar buxhetin e saj dhe vazhdon të ndjekë praktikat e mëparshme ku nuk rezulton të jetë konsultuar ndonjëherë Institucioni i Presidentit kur flitet për buxhetin.

Në ligjin nr. 121/2015 “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Siç vërehet nga informacioni që gjendet në faqet e internetit të Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Shqipërisë, në këtë draft buxhet janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së.

Krahas të qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e vendit Aspirant (1999), kjo është ajo çfarë ka konstatuar Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Por, le të ndalemi tek “Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, i cili është drafti që orienton hartuesit e projekteve të zhvillimeve në fushën e mbrojtjes. Ky plan gjithësesi, kalon në sitën e ekspertizës më parpara se të miratohet. Me të drejtë lind pyetja kush janë, dhe çfarë përfaqësojnë ekspertët hartues të tij? Përgjegjësit kryesor që merren me hartimin e planit në fjalë janë, Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandantët e Forcave. Plani diskutohet fillimisht në Komandat e Forcave (Tokësore, Ajrore, Detare), të cilat synojnë zhvillimin e kapaciteteve të tyre. Është interesant fakti që, ajo çfarë propozojnë gjeneralët e Forcave, nuk korrektohet nga ana e Shtabit të Përgjitshëm, ç’ka e bën planin të n’a qaset jo korrekt me ritmikën kohore të zhvillimeve. Propozuesit fillestarë të planit, janë tabori i kolonelëve, koloneleve dhe gjeneralëve të Ushtrisë më të varfër dhe më me pak përvojë në NATO. Më së shumti, propozuesit fillestarë e largojnë vëmendjen nga zhvillimi i kapaciteteve të mirëfillëta operacionale të strukturave të mbrojtjes, më konkretisht të atyre që kanë të bëjnë me organizimin dhe pajisjet.

Duke i hedhur një vështrim më të thelluar Tabelave të Organizimit dhe Pajisjeve (TOP), lehtësisht evidentohet se, Forcat tona të Armatosura në strukturën e tyre organizative, kanë me tepri, njësi, reparte e nënreparte të cilat nuk e justifikojnë misionin për të cilin janë ngritur. Ndonëse thuhet, që për përmirësimet strukturore dhe formulimin e misioneve dhe listëdetyrave të strukturave, merret në konsideratë ka konsulenca e ekspertëve të NATO-s, duhet pranuar që vendimarrjet definitive mbeten në dorën tonë.

Në Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025, përcaktohet se numri i personelit do të duhej të ulej. Sipas informacionit që gjendet në projekt-buxhetin e vitit 2017 rezulton se Ministria e Mbrojtjes parashikon të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personelit. Pse ndodh kështu?! Ka disa arsye që lidhen me mospatjen e vizionit të ngritjes, ringritjes dhe mbajtjes së strukturave të mbrojtjes, në të cilat rekrutohet një personel arsimimi i të cilit është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, ç’ka i shkon përshtat klimës politike. Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarte. Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëj krenarë aspak.

Këto ditë Forcat e Armatosura kremtojnë 104-vjetorin e tyre, e ironikisht “fuqia e zjarrit luftarak” të tyre, është më e vogël se në vitin 1912. Armatimi, teknika dhe pajisjet mbështetëse, që administrohen nga struktura ushtarake shqiptare, nuk janë ato që e kërkojnë standartet, për një instuticion të Sigurisë Kombëtare. Në buxhetet për mbrojtjen vazhdimisht janë planifikuar shifra marramendëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe nevojave të furnizimit me karburant-lubrifikante, për t’i lëvizur mjetet dhe teknikën e vjetër ushtarake.

Kërkesat për modernizimin e sistemeve dhe pajisjeve të luftimit, një rutinë kjo e përvitshme, nuk ka mundur dot të kaloj as në sekretarinë e Shtabit të Përgjithshëm, për faktin se, mbi këto kërkesa kanë fituar terren investimet për fasada dhe pajisje zyrash. Ndodh që pas çdo shiu të ngrihet zëri për lëvizjet në buxhet, me justifikimin e përfshirjes së Forcave të Armatosura në operacionet e mbështetjes së komunitetit. Mirëpo, as edhe në këtë përfshirje nuk ka rezultat, përpos vendosjes në kolonë të disa mjeteve ushtarake dhe parkimit të tyre përbri rrugëve në periferi të Tiranës, sa për të bërë self-image Ministrja dhe vartësit e saj.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 % të prodhimit të brendshëm bruto, ku përfshihen fondi i pagave dhe pensioneve, shpenzime për misione, investime, pensione të ish-ushtarakëve. Ky buxhet në asnjë rast nuk prek arritjen e objektivave tona në fushën e mbrojtjes dhe aq më pak detyrimet kushtetuese dhe angazhimet në NATO. Pra siç shihet në buxhet nuk flitet as për trajnim, stërvitje personeli, as për modernizim dhe standartizim të armatimit dhe pajisjeve ushtarake, thjeshtë thuhet që është negociuar me SHBA dhe Italinë, për kompletimin me armatim të lehtë dhe disa mjete të transportit të trupave. Çfarë cilësie dhe standarti do të “përmbushet” nëpërmjet negociatave mbetet për t’u parë, ashtu sikurse mbeten për t’u parë zhvillimet në NATO, gjatë vitit 2017

Share: