Home KRYESORE I MIRI, I KEQI DHE I BIRI I KURVËS

I MIRI, I KEQI DHE I BIRI I KURVËS

Nga: Enriko Ceko

Një nga dukuritë që vihet re kryesisht në vendet e varfra dhe në zhvillim ku ka mangësi të shumta në aspektin e etikës dhe vlerave morale e respektimit të tyre është se një pjesë e mirë e individëve që përbëjnë kombin dhe shoqërinë në këto vende nuk bëjnë asnjë përpjekje reale dhe serioze që të arrijnë të mësojë e të kuptojnë se ç’është e mirë e ç’është e keqe, ç’do të thotë të jesh njeri i mirë, ç’do të thotë të jesh njeri i keq, e të tjera koncepte të ngjashme me këto, dhe kjo duke nxjerrë në dukje padyshim edhe nivelin e lartë të injorancës së tyre individuale dhe si shoqëri e si komb.

E mira dhe e keqja kryesisht i referohen vlerësimit të objekteve, dëshirave, sjelljeve, ngjarjeve, etj, në një aspekt dualist, ku njëra anë është pozitive dhe tjetra negative. Përgjithësisht e mirë është çdo gjë që sjell përmirësime në jetë, në vazhdimësi dhe në arritjet njerëzore, ndërsa e keqja është e kundërta.

Në varësi të kontekstit, e mira dhe e keqja përfaqësojnë gjykime personale, norma shoqërore apo vlera absolute të lidhura me natyrën njerëzore dhe standartet e shoqërisë në një kohë të dhënë. Ata që mbështesin të keqen dhe që duan të justifikojnë njerëzit që bëjnë të këqija shpesh thonë se e keqja vjen nga mungesa e perfeksionit të njeriut dhe meqënëse njeriu nuk është perfekt le të jetë i keq sepse përmirësohet gjatë jetës, duke argumentuar në mënyrë të gabuar me qëllim me konceptin e përmirësimit të vazhdueshëm.

Koncepti i përmirësimit të vazhdueshëm është i vlefshëm si në lidhje me individët ashtu edhe me organizatat, por vlen dhe aplikohet kur gabimi apo dështimi ndodhin një herë dhe jo me qëllim e në vazhdimësi. Me këtë justifikim kohët e fundit, gjithandej, po bëhen përpjekje të mëdha për të mbuluar paaftësinë, korrupsionin, mashtrimin, qëndrimin në krye të grupeve të ndryshme ekonomike, kulturore, sociale e politike të individëve që e dinë fare mirë se ç’farë bëjnë, duke qenë tërësisht koshientë për veprimet e tyre dhe që nuk kanë më se ç’farë t’i ofrojnë vetvehtes, familjes së tyre, organizatës ku marrin pagën, shoqërisë, kombit, etj.

Me këtë pikëpamje në kokë për pjesën më të madhe dhe më injorante e të pandërgjegjëshme të shoqërisë shqiptare dëgjojmë shpesh të thuhet: “Sa i mirë është ai biri i kurvës, Më ndihmoi që t’a regjistroja djalin në shkollë, se e kisha jashtë liste”. Apo: “Ajo është një rrufjane që se ka shoqen, është shumë e mirë, sepse më ndihmoi që të shmangia pagesat e taksave vitin që shkoi. Unë do i flas për ty dhe ajo do të ndihmojë. Është një mjeshtre ajo që…” Ose: “Sa i mirë është ai profi. Nuk më pyeti fare në provim.

E takova më pas shejtanin, i shtira në xhep ca euro.” Dhe: “Shefi edhe pse më pa hashiqare duke pirë raki në orarin e punës, nuk më tha gjë fare edhe pse kam nja një javë që vij me vonesë e iki më shpejt mga zyra. Ku do me dit’ ai për ministrin. E ka në kllapa qerratai.” Apo: “Ai gjykatësi do e mbyllë çështjen në favorin tonë edhe pse nuk kemi asnjë dokument të saktë. Sa i mirë që është. Mjeshtër.” Dhe: “Ai politikani edhe pse në opozitë po i luan fenë me viza e patenta fallco. Është nëntëdhjetë e nënç ai.”

Për një qytetar normal, që përpiqet me mish e shpirt për përmirësimin e cilësisë së jetës së përditëshme të tij dhe të familjes së vetë është mjaft e pranueshme që të jetë diçka e keqe për shembull kur një kolege e tij, punonjëse e paautorizuar fare, shkon mëngjez për mëngjez tek drejtori me dekolte të zbërthyer për të raportuar gojarisht se ç’u bë dje në mjediset e punës, kush i tha kujt dhe ç’farë i tha, cili shkoi në tualet dhe sa herë, kush kërkoi paracetamol, cili iku para orarit (edhe pse në fakt mund të ketë ikur më pas), e të tjera si këto.

Dhe e tërë kjo ndodh kur shefi ka në tavolinë me shkrim dore letra të nënshkruara nga disa punonjës seriozë të organizatës që drejton, ku tregohet hapur për ligësinë dhe paaftësinë e koleges që raporton gojarisht, së cilës shefi pas çdo raportimi i thotë: “T’i je punonjësja më e mirë që kam. Jepi. Vazhdo. Vetëm kështu me këtë lloj dekolteje bëhet karierë”.

E keqe e madhe në konceptin e qytetarit të rregullt është për shembull kur dikush që nuk pyet fare për vargun e makinave në rrugë, del në krye në drejtim të kundërt, pa përdorur sinjale, duke ecur jashtë rregullave të qarkullimit rrugor dhe, për këtë, pa pikë turpi, të nesërmen, u mburret shokëve të punës apo në kafene dhe këta të fundit, pa asnjë dilemë, i thonë: “Sa i madh që je, mirë ia bëre more shkërdhatë!

Pse kot e ke dajën shef të madh te policia rrugore?”. E keqe për normat qytetare është edhe kur përdor dokumenta fallco për të hyrë në një punë në një institucion ku ka interesa të mëdha dhe pas kësaj fillon të vjedhësh e të ngatërrosh punët, aq sa dikush atje lart në karriget e shtetit thotë: “Ai qenka ç’qenka. Po i luan fenë!

Ta bëjmë kryetar të partisë në lagje. Bravo i qoftë asaj kurvës që e ka pjellë?” Pra, të tërë këta kodoshe e kodoshë qenkan “të mirë”, “të fortë”, “të shkathët”, “inteligjientë”, e të tjera si këto vetëm e vetëm sepse kanë shkelur rregullat dhe ligjet dhe sepse vetëm sipas disave paskanë bërë “të mira”, që nuk harrohen lehtë. Por, harrohet ajo që është më e rëndësishmja se duke bërë “mirë” jashtë rregullave e ligjeve, është bërë keq për të tjerë që nuk e meritojnë këtë gjë dhe në rastin ekstrem i është bërë keq tërë shoqërisë dhe kombit.

Por, nga ana tjetër, kur dikush kërkon që të zbatohen rregullat e punës dhe ligjet, fatkeqësisht dhe pa aspak të drejtë nga një pjesë e mirë e shoqërisë i vihet epiteti “njeri i keq”. Kur dikush kërkon të drejtën e tij me forcë dhe sipas ligjit është “i keq” sepse shkoi në prokurori apo në gjykatë e polici për të deklaruar një krim e një shkelje ligji dhe nuk pagoi nën dorë që të zgjidhej çështja, ashtu siç paskan bërë më parë disa të tjerë, që tashmë “qenkan në rregull” dhe “të zgjuar” sepse e zgjidhën problemin pa halle e kokëdhimbje vetëm duke bërë pagesa nën dorë.

“I keq” pra është ai doktor që nuk jep raport kur dikush që nuk është i sëmurë dhe që nuk do që të shkojë në punë, kërkon të marrë paratë qyl nga sigurimet shëndetsore. “I keq” pra del se është ai gazetar që, investigon me mundim dhe nxjerr në shesh të palarat e një biznesmeni apo punonjësi të korruptuar, dhe, “i mirë” na qenka ai gazetar që, edhe pse e di ku fshihet e vërteta e shëmtuar dhe korruptive, nuk e nxjerr atë por përdor presionin se do e nxjerrë në shesh të vërtetën për të patur përfitime personale.

“I keq” u dukërka që është një njeri që demaskon hapur pisllëqet që bëjnë punonjësit e administratës publike dhe / ose politikanët e nivelit të lartë dhe, “i mirë” del se qenka një palaço që edhe pse e di se është krim dhe ka korrupsion, nuk del hapur të thotë të vërtetën për një çështje të caktuar. “I keq” paskesh qenë një punonjës policie rrugore që zbaton ligjin dhe vendos gjobën ashtu siç duhet dhe, “i mirë” qenka një koleg i tij që fsheh kundravajtjet dhe aksidentet, duke marrë rrushfet.

“I mirë” qenka për shembull një mashkull palaço, që edhe pse nuk e ka idenë se cila është ajo bukuroshe që kalon në rrugë, i mburret tjetrit në kafene se ç’farë nuk i ka bërë asaj dje në një motel dhe bashkëbiseduesi pa pikë turpi i thotë: “Sa mirë ia paske bërë! Do i them tërë lagjes. T’a marrin vesh se kush është kjo plehra që ecën kështu drejt e drejt e bën si e ndershme”.

“I keq” rezulton një stacion televiziv që transmeton emisione edukuese, ndërsa “i mirë” na qenka një stacion televiziv që transmeton tërë ditën e ditës videoklipe që tregojnë pamje skandaloze e me tekste që përmbajnë fjalë e shprehje nga më vulgaret për pjesën e qytetëruar të shoqërisë, të realizuara nga “artistë shumë të mirë” që, mezi presin të japin intervista televizive ku tregojnë “vlerat e tyre të mëdha e të pamohueshme artistike, morale, letrare”, etj, duke qenë të mbuluar vetëm me një copë leckë minimaliste në trup e duke bërë tre a katër gabime ideore e në të folur në çdo fjali që mezi e artikulojnë nga buzët e fryra artificialisht, skandalisht.

Si rezultat, në kombe të tilla ku të keqes i thuhet e mirë dhe të mirës i thuhet e keqe dhe në shoqëri të tilla ku bijtë e kurvave, rrufjanët, shejtanët, nëntëdhjetë e nënçat, shkërdhatat, etj, gëlojnë si minjtë në gjiriz, punët patjetër që shkojnë së prapi dhe nuk ka asnjë shpresë për përmirësim në aspektin e periudhës afatshkurtër e afatgjatë dhe, për këtë shkak, e keqja futet thellë e më thellë në jetën e përditëshme të individëve që përbëjnë shoqërinë e atij vendi.

Po ç’është e mira? E mira është një koncept që përfaqëson shpresën natyrore të njeriut për të përmirësuar jetën në të tëra aspektet. E mira është një projeksion i pafundëm i dashurisë, manifestim i mirësisë në jetën e njerëzve dhe në fund të fundit është edhe një koncept i Perëndisë. E mira është çdo gjë që prodhon konseguenca pozitive në jetën e njerëzve, kryesisht në lidhje me gjendjen dhe mirëqënien e tyre. E mira është harmonia e komunitetit, dashuria, miqësia, shpirti dhe virtutet njerëzore.

E mira është një forcë që rrjedh në çdo qenie njerëzore, ku më shumë e ku më pak. E mirë është çdo gjë që shton shanset që të rritim pozitivisht gjendjen tonë emocionale, ekonomike, shpirtërore, sociale, etj. Të mira janë ato virtute që na bëjnë që të arrijmë potenciale sa më të mëdha e t’i shfrytëzojmë ato, virtute të tilla që janë unike për njerëzimin si për shembull përdorimi i arsyes, pra, të qenit i ndërgjegjshëm në atë që bën.

E mira dhe e keqja përcaktohen nga aftësitë, produktiviteti, kriteret sociale dhe obligimet legale që ka dhe duhet të përmbushë cilido. Këto janë vlerat që duhet të arrijë t’i mishërojë sejcili prej nesh sepse ato janë shumë të nevojshme për të na dhënë fuqinë për të gjykuar për një zhvillim të qendrueshëm ku ekonomia dhe mjedisi të ecin së bashku pa dëmtuar interesat e brezave që vijnë dhe pa dëmtuar të ardhmen e tyre.

Por, për të arritur një zhvillim të qendrueshëm kërkohet krijueshmëri, inovim, zbulime, që janë aktivitete të mira fundamentale pa të cilat shoqëria perëndimore, ku kërkojmë të shkojmë, nuk do ishte e nuk do ekzistonte. Në shoqërinë tonë ka pak krijueshmëri, pak inovime dhe pak zbulime jo sepse të tjerët i kanë bërë para nesh dhe nuk po na lënë gjë të bëjmë, por sepse midis nesh ka mjaft nga ata që e kultivojnë të keqen dhe duan të mbysin të mirën, ka shumë nga ata që të keqen e quajnë të mirë dhe e kundërta, ka nga ata që duan përtacinë e jo punën, duan llafet e shumta e jo fitimin me djersë, ka nga ata që duan të bëjnë hile dhe jo t’i dalin punës përballë, ka shumë e kryesisht këta janë politikanë që duan që të shmangin të aftët, që të na drejtojnë të paaftët që s’dinë të ndezin as kompiuterin e që mburren para shefave për ide dhe për punë që i bëjnë vartës të tjerë kokëulur, ka nga ata që duan prapaskena e jo ballafaqime, ka nga ata që duan që në orarin e punës të pinë raki e birra, duke i mbajtur këmbët në ujë të ftohtë në mes të ditës me diell, ka nga ata që duan … të keqen, shkërdhatat e bijtë e kurvave, rrufjanët, shejtanët, nëntëdhjetë e nënçat, etj.

Si rezultat i këtij mjedisi, për të justifikuar gjendjen dhe për të etiketuar apo përshkruar njerëz të ndryshëm, që duket sheshit se janë kryekëput të këqinj, mbizotëron pikëpamja se ata na qenkan njerëz të saktë dhe të aftë, të aftë për gjithshka, për të mira dhe për të këqija, njerëz të cilëve në gjuhën shqipe u atribuohen çuditërisht, pozitivisht, mirësisht dhe totalisht padrejtësisht epitetet “rrufjan”, “shejtan”, “nëntëdhjetë e nënç”, “shkërdhatë” apo “bir kurve” në kuptimin e mirë dhe në konotacionin pozitiv të tyre.

Biri i kurvës, rrufjani, shejtani, nëntëdhjetë e nënçi, shkërdhata, etj, janë tipa që nuk njohin korrektesën edhe pse të tjerëve ua kërkojnë atë. Këta zakonisht janë tipa agresivë për të kërkuar gjëra të cilat nuk u takojnë. Ata përpiqen që t’i shtrijë këmbët shumë më tepër se sa jorgani. Këta tipa janë të aftë të bëjë presione e të krijojë skema kundër të tjerëve. Gjithashtu, biri i kurvës, rrufjani, shejtani, nëntëdhjetë e nënçi, shkërdhata, etj, është i aftë të marrë nëpër gojë të tjerët dhe të krijojë probleme dhe vështirësi midis kolegëve, pra, praktikisht është njeri i keq.

Bir kurve, rrufjan, shejtan, nëntëdhjetë e nënç, shkërdhatë, etj, është edhe ai që përdor takimet me zyrtarë të lartë shtetërorë për përfitime biznesi e të natyrave të tjera, duke shkelur ligjet e duke bërë njëmijë e një të zeza, kur zyrtari i lartë as që e ka idenë se përse e ka takuar atë person. Tip i tillë është ai që shtyn të tjerët në veprime e mosveprime të jashtëligjëshme, duke përdorur gjendjen emocionale, sociale dhe ekonomike të tyre. Bir kurve është ai që edhe pse e di ligjin, vepron kundër tij. Rrufjan është ai që kërkon para për të bërë diçka, edhe pse nuk ka asgjë në dorë për të bërë diçkanë. Shejtan është ai që fsheh dokumente zyrtare e që bën mishmashe në administratën publike.

Nëntëdhjetë e nënç është edhe ai që e dërgojnë për kontroll e inspektim dhe që përpiqet që të gjejë patjetër gjilpërën nën kashtë për të bërë presione apo për t’u mburrur përpara shefit për aftësitë e tij. Shkërdhatë është ai që ankohet se pedagogu i ka kërkuar përfitime materiale e jomateriale gjatë e pas provimit kur në fakt ky shkërdhatë as që e ka idenë se ç’farë lënde jep ai pedagog në shkollën ku ky shkërdhatë është regjistruar për të studiuar dhe që nuk ka qenë as edhe një ditë në mësim, ndoshta duke përjashtuar në ndonjë rast vetëm ditën e parë të fillimit të mësimit.

Në biseda nga më të ndryshmet pothuajse të tërëve ka bërë vaki të na thuhet nga disa: “Sa i fortë është ai. Bir kurve E pe dje mbrëma ç’i bëri kundërshtarit në debatin televiziv për çështjen e …? Nuk e la fare të fliste. Po kur i bërtiti atij tjetrit? Ia mbylli gojën. Sa i mirë që është. Po sa i bukur. Nëntëdhjetë e nënç.” Ose: “Ç’është ai rrufjani. I fitoi të tëra tenderat.” Apo: “Nga na dole kështu kaq i zoti more bir kurve, u bëre që u bëre drejtor.”

Ose: “Ai nëntëdhjetë e nënçi mirë ia bëri që i kërkoi atij aq shumë para që t’a merrte në punë, sepse aty del me thasë.” Dhe, meqënëse midis nesh ka me shumicë nga ata që thonë “Ah ç’është ai biri i kurvës!”, “Sa i mirë që është rrufjani, shkërdhatë klasike”, “Shejtan u bëre fare, me thasë i nxjerr paratë nga droga.”, “Ky shkërdhata bukurosh po bën namin te zyra e biznesit të vogël”, etj, atëhere askush nuk e ka fajin për shumë nga gjërat “shumë të mira e të këndshme” që u ndodhin qytetarëve në jetën e tyre të përditëshme, përveçse vetja e tyre dhe … bijtë “e mirë”, të kurvave të tyre, rrufjanët “e mirë”, shejtanët “e mirë”, nëntëdhjetë e nënçit “e mirë”, shkërdhatat “e mirë”, e të tjerë “të mirë” si këta, që sipas shumicës tejet injorante dhe super të varfër mendërisht të këtij vendi të mbytur në të tëra drejtimet nga pisllëku gjigand etik dhe moral, na qenkan pjesa “e mirë”, “e ndershme” e “me vlera madhore” e shoqërisë tonë.

Pra, sipas tyre, këta shkërdhata, plehra, nëntëdhjetë e nënça, bij kurvash, e të tjerë si këta qenkan ata që duhet të drejtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt integrimit, përmirësimit të cilësisë së jetës e zhvillimit të qendrueshëm dhe jo qytetarët e mirë, të rregullt, të ndershëm e me shkollë, që respektojnë etikën, moralin e vërtetë të mirë të shoqërisë shqiptare dhe ligjet e shkruara të këtij këtij vendi.

Share: