Sizmiologët thonë se lëvizjet sizmike në Itali dhe Greqi mund të prekin edhe Shqipërinë. Në një intervistë për abcnews, sizmiologu Edmond Dushi shpjegon se vendi ynë ndodhet në pjesën, ku pllaka tektonike “Euroaziatike” është në kontakt me mikropllakën “Adria”.
Po cilat janë zonat që mund të preken nga lëkundjet e tërmetit në Shqipëri? Sizmiologu vizaton në hartë një segment që prek qytetet Vlore-Lushnje-Elbasan-Diber. Intensiteti i tërmeteve në Shqipëri ndryshon nga njëra zonë në tjetrën. “Shqipëria është e ndarë në disa kategori, flasim me intensitet nga 7-8 ballë maksimale, me përjashtim të disa zonave, që mund të arrijnë deri në 9 ballë” thotë Edmond Dushi.
Koha dhe vendodhja e saktë e një tërmeti nuk mund të parashikohen. Zona e Apenineve në Itali dhe Janina në Greqi, gjatë muajit tetor kanë qenë pika të nxehta sizmike, lëkundje tërmeti janë regjistruar edhe në pjesën jugore dhe qëndrore të Shqipërisë/ Abc News