Nga Genc Pollo*
“Nëse nuk besoni në lirinë e shprehjes për njerëzit që përçmoni atëhere ju nuk besoni fare në të” ka thënë Noam Chomski, një filozof majtist nga ShBA. Meqë është bërë e udhës të çelësh një artikull me një citat nga ndonjë i famshëm global ky më lart, nga një dyzinë thëniesh që më nxori kërkimi në google, mu duk jo vetëm i goditur por edhe i prerë për Shqipërinë e kohëve tona. Eshe përtej kufijve të Republikës liria e shprehjes e ajo e medias duket se është nën presion e madje edhe në zbythje e për këtë nuk duhet medoemos të lexosh progresraportin e KE për Turqinë e Ballkanin Perëndimor.
Që të mbetemi tek hallet tona duke lenë mënjanë pretendimet e menddhenies globale po paraqes disa nga shqetësimet e problemet të cilat janë debatuar edhe në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Median.
Pluralizmi i medias, në radhë të parë ai politik, do të ishte virtyti kryesor i saj në një demokraci plurale. Ky virtyt tek ne ka ecur me shpejtësi drejt zhdukjes këto tre vjet, sidomos në mediat elektronike, televizonet, me pak ishuj redaksish objektive e profesionale, që rezistojnë ende. Përmes joshjes së pronarëve të medias me kontrata të majme, leje ndërtimi, reklama e të tjera është arritur një homogjenizim redaksional në linjën e propagandës qeveritare, që nuk ka ndodhur në këto 19 vjet të televizioneve private. Kujtoj se para 2013-tës nga dy TV kombëtare private, njëri ishte pranë qeverisë, tjetri pranë opozitës. Të tjerët, sa andej këtej. Këto tre vjet pothuaj të gjitha TV-të duken pranë qeverisë e disa syresh a priori kundër opozitës.
Në këto kushte do të pritej që TV publik të luante televizionin ballancues, objektiv e korrekt.
Ky ishte edhe synimi i kompromisit PD-PS mbi ligjin per median elektronike para zgjedhjeve parlamentare 2013: pra që Drejtori i Përgjithshëm i RTSh-së të mos ishte, si deri atëhere, një person i përcaktuar nga Kryeministri, por të emërohej me një konsensus më të gjerë politik, që do të përfshinte edhe opozitën. Edhe ky konsensus, si dhe të tjerë u ç’bë në mars të këtij viti, mazhoranca miratoi një amendim ad hominem për të emëruar në atë post një person të afërt të Kryeministrit. Të gjitha rrëfenjat me statute të reja e me lajme fair nuk mund të ringjallin besimin, sidomos tek mospërdorimi partiak në fushatën e zgjedhjeve parlamentare vitin që vjen.
Në këto tre vite kam denoncuar shpesh Qeverinë që, përmes emërimeve antiligjore të personave në konflikt interesi të mprehtë në krye të AMA-s e vuri rregullatorin e medias në shërbimin ekskluziv të një karteli mediatik, quasi monopolist, kuptohet pro qeverisë. Këta persona e provuan këtë duke votuar në janar të këtij viti për dhënien e liçencave të rrjeteve digjitale operatorëve në shkelje të pastër të ligjit. Ndonëse ky vendim u bllokua për pak kohë nga vota kundër e anëtarve të AMA-s të emëruar nga opozita, përsëri personat e kartelit e gjetën rrugën me veprime e mosveprime, që ta bënin deri në fund shërbimin, të legalizonin paligjshmërinë e të konsolidonin monopolin mediatik.
Është fjala për kufizimin e pronësisë në median private, si një mënyrë gjerësisht e përdorur në Europë, për të siguruar pluralizmin e saj. Këto norma ekzistuese në ligjin parë për median në mes të viteve 90 e më tej, u shfuqizuan nga përpjekjet zyrtare, me ligje e me gjyqe, të deputetit “krah i djathtë” i kryeministrit dhe të shefit të AMA-s.
Amalgama politikanë-biznese-media ka dhënë së fundi raste skandaloze të konfliktit të interesit me pasojë direkte dëmtimin e interesit publik dhe në dëgjesat para komisionit na është sugjeruar që pronarët e mediave të përjashtohen nga prokurimi publik. Por sado i vlefshëm ose jo të jetë ky propozim, kur nuk zbatohen ligjet aktuale siç janë, kuptohet si do të zbatohen ato që do të vijnë.
Përmenda reklamat si një mjet i zakonshëm i korruptimit të medias dhe një ndër kuajt e betejës së opozitës së djeshme, por që u harrua nga qeveria e sotme. Madje edhe një kallzim penal për këtë çështje nga një ministre rilindiste për parardhësin, u tërhoq pa shpjegime. Gjithashtu, nuk shpjegohet nga qeveria pse nuk inicion përmirësime më tej të legjislacionit për reklamat, sipas praktikave më të mira që na u paraqitën në një seminar të KiE-së para dy vjet e gjysmë në Tiranë. Që atëherë përsëris vazhdimisht se kjo nismë do të përkrahej nga opozita në Kuvend. Gjithashtu, nuk na shpjegohet, po marr vetëm një shembull, pse OShEE, operatori monopolist shtetëror i korrentit i përmbyti ekranet e TV-së me një reklamë vetëlavdëruese, pa të dhëna të dobishme për konsumatorin. Një deputet i Komisionit tonë para Krishtlindjes të vitit të shkuar i shkroi ministrit, madje i shkroi sërish pasi ministri u ndërrua në shkurt 2016, duke kërkuar info për shumën e shpenzuar dhe shpërndarjen e saj. Përgjigjja për maksimumi tre javë është detyrim ligjor. Deputeti druan se festat e këtij fundviti do të vine, por Santa Klausi apo Babagjyshi i Vitit të Ri nuk do ketë në çantën e dhuratave letrën e qeverisë.
Këtë legjislaturë kisha shpresuar se do të hiqnim shpifjen nga lista kundravajtjes penale dhe ta linim të trajtohej nga Kodi Civil, si çdo vend i BE-së, duke vijuar mazhorancë e opozitë ndryshimet ligjore konsensuale të vitit 2012. Dy ngjarje ma shuan këtë shpresë, e para kur në janar të 2015-ës kryeministri paditi për shpifje dy drejtues të lartë të PD-së opozitare, që kishin deklaruar se Rama i lidhur me banditë e kishte mbushur shtetin me këtë soj. Edhe pse, po citoj një rast nga disa dhjetra, kryeministri rikandidoi për një bashki një person të njohur, i cili u bë shumë i njohur kur u mësua se ishte dënuar nga një gjykatë në Itali për përdhunim në grup, e nga një tjetër në Zvicër për trafik droge, i cili u bë i famshëm kur deklaroi se ishte dënuar nga një gjykatë në Mynih, Bavari, por nuk mbante mend veprën penale, prapë dy drejtuesit e PD-së e humbën gjyqin. E dyta ngjarje, kur në nëntor 2015 përsëri kryeministri personalisht, inicioi ligjin për të anulluar ndryshimet e per ta kthyer shpifjen si vepër penale. Nismë që e tërhoqi për ta paraqitur më vonë.
Të gjithë e pranojmë se gazetaria investigative është një komponent i rëndësishëm i një demokracie të shëndoshë. Le të shohim një rast së fundmi se si e trajton demokracia jonë këtë gazetari: Ju të gjithë kujtoni vrasjen aksidentale të një adoleshenti në landfillin e bashkisë Tiranë, në fillim të gushtit, që zbuloi shumë gjëra, si mungesa e kontratave të punës, e kushteve të sigurisë teknike, për të cilat kishte garantuar publikisht kryebashkiaku, deri te caktimi i kompanisë së landfillit, pronë e një drejtuesi lokal socialist, natyrisht me precedentë penalë, pa garë dhe me një kontratë abuzive e lucrative.
Publiku nuk do t’i kish mësuar këto, nëse nuk do të kishte investiguar Alida Tota, drejtore lajmesh në një TV, ekipi gazetaresk “Publicus” dhe website “Hashtag Albania”. Pasoja për ta ishte se znj. Tota në gusht u pushua nga puna, pasi nuk pranoi të ndërpriste investigimin, se ekipit “Publicus” në shtator ju ndërpre papritur kontrata nga TV, pasi ju tha se emisioni i tyre nuk do të transmetohej dhe se websiti “Hashtag Albania” në tetor u mbyll, pas ankesës së një biznesmeni të afërt me kryeministrin e kryebashkiakun, përfitues i shumë kontratave te bollshme prej tyre. Çka i përkeqësoi gjërat nuk ishte thjesht baltosja e gazetarëve nga mediat pranë bashkisë Tiranë e PS-ja, por sidomos ministrat që folën në Kuvend, jo për të përgëzuar hulumtimin e dënuar censurën, por për të diskredituar profesionalisht e personalisht gazetarët investigues. Çka i bëri ato ekstreme, por edhe komike, ishin tentativat sistematike të deputetëve të PS të pengonin dëgjesën e këtyre gazetarëve para komisionit tone, me mjete nga bojkoti deri tek bllokimi fizik i dyerve të sallës së mbledhjeve. Rasti i fundit ishte pardje paradite ( e hënë, 21 nëntor)
Kujtoj se po kështu u veprua nga mazhoranca me dëgjesën në komision të gazetarit Telnis Skuqi, i cili në pranverë të 2014-ës zbuloi se, një, policia e Gjirokastrës arrestoi pa dashje një person të afërt me Ministrin e Brendshem të punësuar prej tij në këtë ministri, teksa ngiste një kamion plot me hashash, si dhe dy: pistat në Kardhiq të narkoavionëve njëmotorrësh. Këto gjëra atëherë raportoheshin për herë të parë dhe nuk ishin bërë bozë si sot. Skuqi u kërcënua atëherë familjarisht me jetë dhe sot po kërkon azil diku në BE. Uroj që kjo të mos ndodhë me gazetarët e landfillit.
Folëm për gazetari online. Websitet e shumta e rrjetet sociale janë një alternativë e mirëpritur ndaj mediave mainstream, shpesh të kapura nga interesa të veçanta, në mospërputhje me interesin publik. Edhe pse me pjesërisht problemet e njohura të resurseve të profesionalizmit e objektivitetit në kontekstin e Shqipërisë, ato janë një mekanizëm sa çlirues, aq edhe i dobishëm. Por nuk janë aq të pacenueshme siç dëfton rasti i “Hashtag Albania”, i cili u detyrua të ndryshonte adresë internetike (URL), duke humbur një pjesë të madhe të lexuesve. Por duke qenë se për portalet e lajmeve në Shqipëri rrjetet sociale, kryesisht facebook-u janë udha për te lexuesi, po shtohen përpjekjet që me denocime të rreme për gjuhë urrejtje etj., të pezullohen e të hiqen krejt postime, madje edhe profile e faqe në facebook. Kështu ndodhi me “çmendina.com” e “Lolita”, të njohura për satirën e tyre ndaj çdo aktori publik e ku pjesën e luanit e zë, kuptueshëm, qeveria. Dhe nuk është koincidencë që sipas praktikës së trolls-ve putinianë që në Kryeministri punojnë 18 aktivistë online, në bashkinë e Tiranës 23 syresh, të padeklaruar në organigramën zyrtare e të fshehur në drejtori të ndryshme, por gjithmonë të paguar nga taksat. Nja dy dyzina të tillë punojnë në PS, edhe ata me gjasë paguhen indirekt nga taksat. Detyra e tyre është të sulmojnë me libër shtëpie këdo që kritikon, ironizon apo denocon qeverinë, bashkinë e shefat e tyre. Shumë prej jush, përfshi edhe mua, kanë përvoja direkte me trollsat rilindistë. Prandaj edhe legjislacioni i ri që po përgatit qeveria për websitet qoftë apo mos qoftë në përputhje me praktikat më të mira apo me acquis communataire është e kuptueshme që pritet me mosbesim të thellë.
Shpesh bëhet fjalë për gjuhë urrejtje online. Ka edhe statistika të përndjekjes penale të këtyre rasteve. Por për të vendosur gjëra në perspektivë mjafton të kujtojmë se më 19 shtator, sivjet, kryeministri, duke folur para treqind oficerëve të Policisë së Shtetit, deklaroi se PD për policinë është një armik më i keq se krimi (deri dje pasdite ky citat ishte kështu në websit-in e KM). Unë nuk kujtoj ndonjë rast të ngjashëm nga viti 1997, 14 shtatori 1998 apo 21 janari 2011, megjithë tensionet politike e dhunën në rrugë, si dhe nuk kam ndonjë shpresë se ky rast do të përfshihet në statistikat e përndjekjes.
Dy fjalë për komunitetin ndërkombëtar. Fakti që në dëgjesat e gazetarëve investigativë në komision muajin e fundit kemi patur të pranishëm përfaqësues të selive tiranase të organizatave ndërshtetërore europiane, shpresoj të jetë shenjë e zgjimit nga gjumi dimëror ndaj lirisë së medias në Shqipëri. Gjithashtu, Progresraporti i Komisionit Europian i këtij nentori, nuk përdor më një gjuhë të rumbullakosur, por flet edhe për regres e i prezanton problemet më shkoqur se më parë. E them këtë, pasi raportet që kam lexuar këto tre vjet të paraqitura në Vjenë e Bruksel (përjashto ato parlamentare), përmbanin pasaktësira e gjysmë të vërteta, fshehje të problemeve dhe prezantime ala Potjomkin. Fatkeqësisht të tilla mënyra inkurajojnë transgresorët, njëlloj si heshtja e ambasadorëve euroatlantikë na servirej nga kryeministri gjatë debatit parlamentar në shtator si provë se problemi i kanabisit nuk ekziston, duke dhënë ai kështu një sinjal indirekt inkurajimi për narkobosët.
Ligjet e rregullat e shkruara mund të ndryshojnë, por pa vullnetin politik për t’i zbatuar ato, asgjë nuk ndryshon për mirë. Dhe po nuk ndryshoi pushteti politik në Tiranë, vështirë se mund të shpresojmë për të tjera ndryshime pozitive.
*Genc Pollo (PD), Kryetar i Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Median