Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet me urgjencë më 30 nëntor për të diskutuar për Alepon, qytetin sirian të cilësuar si “katastrofë humanitare” nga ministri i jashtëm francez Zhan-Mark Ajro.
Qyteti mishëron tragjedinë siriane: mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar nëpër lagjet ku zhvillohen luftime dhe janë kthyer në shënjestra të bombardimeve të pandërprera, në pritje të ndihmës humanitare, mijëra të tjera kanë marrë arratinë në përpjekje për t’u shpëtuar luftimeve.
Përballë një drame të njohur prej muajsh, bashkësia ndërkombëtare duket e pafuqishme kurse takimet përfundojnë me dënime solemne dhe komunikata të indinjuara. Kurrë, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara, Franca e Mbretëria e Bashkuar nuk kanë qenë kaq të dobëta përballë Rusisë, e cila është kthyer në arbitrin e parë të lojës në Siri.
Kur Rusia pushtoi Çeçeninë, pak njerëz u mobilizuan për të denoncuar masakrat në republikën e Kaukazit. E majta dhe organizatat myslimane organizohen më shpejt kundër SHBA-së dhe Izraelit. Kjo po vihet re edhe në rastin e Sirisë.
Regjimi i Asadit është alauit, një pakicë e afërt me shiitët, e gjykuar si heretike nga pushtetet sunite që e rrethojnë, ndërkohë që rreth tij janë mbledhur dhe e mbështesin tani edhe mjaft pakica vendase fetare dhe etnike, të cilat e shohin si shpëtim nga fundamentalizmi islamik.
Kjo gjendje ka bërë që të kemi civilë që i ikin luftës në kahe të kundërta, disa nga lagjet rebele drejt atyre që kontrollohen nga pushteti dhe anasjelltas.
Ka disa ngjashmëri sipërfaqësore me betejën për Mosulin në Irak, por dallimet janë thelbësore. Në Mosul, luftohet kundër Shtetit Islamik dhe Iraku mbështetet nga forcat ndërkombëtare. Kurse në lagjet e Alepos kemi rebelë të opozitës që luftojnë si kundër Shtetit Islamik, ashtu edhe kundër ushtrisë qeveritare të Asadit.
Është e qartë se Alepoja tregon pafuqinë e OKB-së. Rusia ka një Produkt Kombëtar Bruto jo më të madh se Italia, që do të thotë se nuk është fuqi vërtet e madhe, por e di mirë se ç’kërkon dhe i përdor me zgjuarsi mjetet ushtarake për të krijuar në terren një “fait accompli”, ku perëndimorët nuk kanë më hapësira veprimi pa miratimin e rusëve.
Perëndimi tani po paguan katër vjet mungesë vendosmërie mbi këtë dosje e sidomos qëndrimin e Obamës i cili, megjithëse foli për “vijë të kuqe”, nuk veproi në vitin 2013, kur regjimi i Asadit përdori gazin sarin mbi civilët./360grade.al