Home KRYESORE Mejdani: Donald J. Trump kunder Edi Rama – Roundi 2

Mejdani: Donald J. Trump kunder Edi Rama – Roundi 2

Nga Denion Mejdani

Jo pak qesharake, por dhe për të ardhur keq, është shfaqja teatrale e radhës e kryeministrit të vendit tim, që deri para pak muajsh me pompozitet deklaronte në emër të shqiptarëve se Donald Trump, përveç etiketimeve denigruese të shumta “alla-rama”, ishte dhe kërcënim për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Madje, nëse ai do të fitonte atëherë “Marrdhëniet mes dy vëndeve kërcënoheshin dhe se Shqipëria do të rishikonte marrëdhëniet me SHBA”! Ndërsa, sot, në turravrap, ai ishte i pari që po uronte Presidentin e ri, duke garantuar që marrëdhëniet mes dy vendeve tona vetëm do të forcoheshin…

Arsyet e një deklarate të sforcuar, arrogante dhe të panevojshme të kryeministrit shqiptar mbi Donald Trump në Kosovë ose Amerikë, që në vetvete është dhe një incident diplomatik, janë akoma një mister. Madje, spekulimet kanë qenë të shumta; përfshirë dhe publikimin e disa informacioneve në media, kohët e fundit, se ka pasur transferta parash nga Fondacioni Clinton drejt Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ndoshta, ky është thjesht një spekulim, por sidoqoftë më shumë dritë do të hidhet si në këtë çështje, po ashtu dhe në çështje të tjera, përfshirë dhe atë të taksistit Bilali dhe aferës së tij me kryeministrin tonë në mbështetjen e huaj të fushatës së Presidentit Obama. Pak është e sigurt por asnjë lider tjetër sado i fuqishëm, egoist e arrogant nuk guxoi të bënte një gabim të tillë, qoftë dhe për arsye etike, dhe të ndërhynte në një çështje kaq delikate siç janë zgjedhjet e një vendi tjetër, ku vendimmarrja i takon popullit-votues. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ShBA, një vend që është pishtari i botës së lirë e demokracisë. Aq më pak kur ShBA nuk kane ndërhyrë kurrë në një formë e arrogancë të tillë në zgjedhjet shqiptare.

Imagjinoni pak për një moment çfarë do të ndodhte nëse Presidenti Trump, pak para zgjedhjeve tona të përgjithshme në qershor, të deklaronte se zgjedhja e Ramës do të ishte një kërcënim për marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve tona. Partia Socialiste, që tashmë është në tkurrje, do të merrte një goditje fatale e katastrofike elektorale. Ajo që është e sigurt është opinioni që kampi i Presidentit Trump ka për Ramën dhe grupin e tij parlamentar. Ai opinion u shpalos në TV Fox, ku u bë dhe një deklaratë e qartë nga ish zëdhënësi i Pentagonit J. Gordon, pjesë e fushatës Trump. Ajo deklaratë përmbante mjaft akuza konkrete, deri për korrupsion personal e parlamentar.

Sigurisht, siç kemi parë dhe herë të tjera, edhe në këtë rast Rama ka dalë jashtë kufijve dhe tagrit, që i jep pozicioni përfaqësues si kryeministër, deri duke mbajtur qëndrime radikale, ku më i fundit ishte dhe ai në Dibër. Aty, ai deklaroi që nëse nuk fitonte kandidati rilindas nuk do të kishte më fonde për atë zonë për sa kohë ai do të ishte kryeministër. Pra, duhet bërë e qartë, nga e gjithë politika mbarë-shqiptare, se Rama pavarësisht se pretendoi se po fliste e po shprehte një qëndrim si kryeministër i shqiptarëve, në fakt, mbajti një qëndrim personal, konfliktual, egoist, arrogant e tepër të dyshimtë në motivim, që nuk përfaqësonte aspak mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e pro- amerikane të kombit tonë, pavarësisht qeverisjeve konkrete.

Shpresojmë që Uashingtoni zyrtar do të vazhdojë sjelljen korrekte, diplomatike dhe mbështetjen e gjithanshme ndaj shqiptarëve. Aq më tepër do të na fali sjelljen radikale, autoritare e arrogante të kryeministrit tonë, deri duke na ndihmuar e caktuar një ambasador amerikan që të çojë në një nivel të ri marrëdhëniet dypalëshe. Sidomos një ambasador që do të mbajë një qëndrim të paanshëm duke punuar dhe pasur për zemër interesin e Shqipërisë e shqiptarëve, duke u angazhuar me të njëjtin kujdes, dashuri e intensitet si për vendin dhe popullin e tij. Mbi të gjitha, që të kërkojë me këmbëngulje të njëjtat standarde shtet-formuese e demokratike, duke dënuar qartë, me forcë e vendosmëri kriminalizimi e shtetit, kanabizimin e vendit dhe korrupsionin politik e administrativ…

Unë besoj tërësisht se Presidenti Trump, do ta ndihmojë Shqipërinë dhe popullin shqiptar në përpjekjet e saj për t’u çliruar nga një sistem i kalbur politik, nga një qeverisje e korruptuar, që po vret shpresën e popullit, që po atrofizon jo vetëm ekonominë, por dhe ndërgjegjen qytetare, kapacitetin për ndryshim dhe reagim ndaj padrejtësisë.

Share: