Home KRYESORE Ministrja e LSI: Negociatat nuk hapen në dhjetor. Kjo s’perben me lajm!

Ministrja e LSI: Negociatat nuk hapen në dhjetor. Kjo s’perben me lajm!

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, pranoi sot se Bashkimi Europian nuk do t’i hapë negociatat me Shqipërinë në dhjetor. Ne fakt kjo pothuaj dihet nga te gjithe, por ministria e LSI, ashtu si kryeministri Rama, ajo tha se kusht është vetëm zbatimi i ligjit të Vetting-ut. Por ndryshe nga shefi i saj, ministrja Gjosha ishte më e qartë, teksa tha se negociatat mund të hapen vetëm kur Vetting-u të japë rezultatet e para, çka nuk pritet të ndodhë përpara takimit të Këshillit të Ministrave të BE në dhjetor.

“Ligji i Vetting-ut është kusht dhe ne jemi të gatshëm të bisedojmë me opozitë për ta vënë këtë ligj sa më parë në zbatim. Data kur do të nisë zbatimi i këtij ligji dhe do të japë rezultatet e para do të jetë data kur Bashkimi Europian do të çelë negociatat”, tha ministrja e Integrimit.

Megjithëse u kujdes që t’i qëndrojë besnike versionit të kryeministrit për një takim “tejet pozitiv” me kancelaren Merkel, ashtu si kancelarja dhe ndryshe nga Rama, Gjosha përmendi zgjedhjet e vitit 2017. Por me të njëjtën gjuhë si ajo e Ramës i quajti kriter dhe jo kusht.

“Zgjedhjet nuk janë kusht, por janë një kriter që të gjithë vendet duhet të plotësojnë. Kështu që në këtë këndështrim janë shumë të rëndësishme. Do të duhet që reforma zgjedhore të përfundojë sa më shpejt dhe me konsensus”, u shpreh ajo.

Për të relativizuar faktin se në dhjetor nuk do të ketë çelje të negociatave, ministrja e Integrimit tha se data nuk është e rëndësishme.

“Shqiptarët duhet ta dinë, data nuk është aq e rëndësishme sa ç’është procesi. E rëndësishme është që Reforma në Drejtësi e shkruar në letër të kthehet në realitet dhe të ndryshojë këtë sistem të drejtësisë aq të dëshiruar nga shqiptarët dhe për t’i hapur rrugën integrimit”, deklaroi ministrja.

Nga kushtet tek kriteret, Shqipëria do të duhet t’i tregojë kështu Bashkimit Europian rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe drogës dhe po ashtu duhet të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve të Bashkimit Europian. Këto ishin edhe kushtet që i lexoi qeverisë shqiptare në Tiranë deputeti i Bundestagut, Gunther Krichbaum. Ministrja Gjosha u përpoq të sqarojë se kjo nuk është faza e vendimmarrjes së parlamenteve, por konkluzioni i konferencës së saj për shtyp është i njëjtë me atë të Krichbaum: nuk ka çelje të negociatave pa zgjedhje të lira, pa reformën në drejtësi, pa luftuar krimin, korrupsionin dhe drogën dhe pa treguar rezultate konkrete në këto fusha. Deputeti i CSU/CDU i partisë së kancelares Merkel e tha prerë se negociatat nuk do të hapen para vitit 2018. Edhe ministrja Gjosha e paranoi këtë.

“Shpresojmë që vendet anëtare të mirëpresin rekomandimin pozitiv të KE. Nuk do të ketë raport vjetor për vitin 2017 dhe vendet anëtarë mund të kërkojnë një raport të ndërmjetëm”, tha ajo. Por më pas nuk dha garanci nëse do të ketë realisht një raport të ndërmjetëm. “Ne nuk e dimë nëse do të ketë raport të ndërmjetëm. Por nëse do të arrihet në këtë konkluzion do të shikohet me shumë rëndësi nga KE”. /Lapsi.al

Share: