Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka plotësuar vendet vakante në disa gjykata në vend.
Në mbledhjen e sotme (18 nëntor), KLD shqyrtoi dhe votoi kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e një vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Durrës, e dy vendeve vakant, në Gjykatën e Apelit Vlorë, e një vendi vakant, në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.
Me shumicë votash në krye të gjykatës së Tiranës është vendosur Enkelejdi Hajro e cila pak ditë më parë ishte komanduar në këtë post.
Pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, anëtarët e KLD-së vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës, të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Lushnjë dhe gjyqtarit Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda, të z. Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së, shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e gjashtë vendeve vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë votash, vendosi të transferojë z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Shkodër, znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Lushnje.
Gjithashtu Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht Inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish gjyqtarë.
Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë, Pogradec.
Gjithashtu Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të Ministrit të Drejtësisë bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Lushnjë.