Nga Nikollaq Neranxi
Nëse dhimbja do të ishte njeri dhe ju do të donit ta njihnit, mjafton të takoni Arjanën dhe Renaton të cilët dje, në një ditë që edhe natyra qante për gjëmën, ia dorëzuan varrit, birin e tyre të shtrenjte, të bukurin, të ëmblin, engjëllin e familjes tonë, Kristin 18- vjeçar.
Kristi nuk vuante nga ndonjë sëmundje, as nuk ishte ndonjë djalë i shthurrur që te gdhinte pubeve i pirë, nuk ishte një i ri problematik që lëvizte me armë apo bënte sherr me të tjerë, Kristi nuk kishte asnjë ves që t’ia afronte orën e vdekjes. Por ska problem se, mendon tjetër kush që ai moment i zi të të vijë sa më shpejt.
Në këtë vend, të plaçkisin, të grabisin, të depersonalizojnë, por edhe të ngrenë pusi që të ikësh para kohe në botën tjetër. Edhe kur s’e kanë qëllim në vetvete këtë të fundit, papërgjegjshmëria jep të njëjtin efekt.
Kështu i ndodhi Kristit, i cili humbi jetën pasi makina ku ai ishte pasagjer, ra në një gropë të hapur në mes të rrugës, pa asnjë sinjalistikë.
Dhe kjo ndodh kur policia e shtetit, përgjegjëse për të kontrolluar këto sinjalistika, (jo vetëm për tu fshehur ferrave që të na ngreje pusi për të na vënë gjoba), kupton se është pjesë e krimit, bën vrasjen e dytë të Kristit, duke dalë me komunikatë zyrare, sipas të cilës makina na paska dalë nga rruga dhe drejtuesi i mjetit paska humbur kontrollin!!!
Madje shpall në kërkim drejtuesin e mjetit, i cili në fakt nuk ishte ikur gjëkundi, por ishte në spital, në luftë me jetën, njëlloj viktimë e papërgjegjshmërisë së shtetit, si Kristi, por më fatlum se ai. Dhe vetëm kur familjarët, në kulmin e dhimbjes, kërcënuan deri në vetëgjyqësi nëse nuk thuhej e vërteta, atëherë policia ndërroi komunikatën e shtypit dhe u detyrua të tregojë ngjarjen siç ndodhi.
Kristi Panajoti, për pak ditë do të jetë një statistikë në këtë vend, një nga ata të pafajshëm, që përgjakin rrugët e Shqipërisë dhe përveç familjes dhe miqve, askush nuk do kujtohet më për të.
Por problemi është, ne të gjallët, çfarë do bëjmë? Do reagojmë që ky realitet të ndryshojë, do vëmë gishtin mbi fajtorët e vërtetë, apo do presim që gropa e vdekjes të na përthithë për ditë një e nga një?
Në fund dua t’i shpreh edhe publikisht ngushëllimet Arjanës dhe Renatos! Zoti iu dhëntë forcë për të shkuar përpara! Nuk di çfarë fjale të gjej për të ngushëlluar tezen time Sofinë e cila mezi priste nipin t’i vinte në pushimet verore në Himarë dhe nuk do ta shohë më! Sa dhimbje për një grua të moshuar që fëmijët dhe nipërit i japin arsye për të jetuar!
Ngushëllime të gjithë famijarëve dhe miqve! Kristi, Engjelli jonë, na ndihmo nga atje lart, na jep pak force për ta pranuar këtë gjëmë që na ra!