Nga Sulejman Abazi
Miku im Sheradin Berisha shkruan dicka për psikologjinë, për mendimin pozitiv dhe negativ që pushton trurin e njeriut, ku midis të tjerave ai shkruan me shunë elokuencë:
“Psikologët thonë se humori ndikon shumë tek mendimet. Kur njeriu ka humor pushtohet nga mendimet pozitive, madje e ndihmon atë që gjërat negative të shndërrohen në pozitive. Njeriun e ndërtojnë mendimet! Rrjedhimisht çdo veprim i njeriut pasohet nga mendimi pozitiv apo negativ. Për mua mendimi negativ nuk i bën keq askujt, përveç vetvetes. Psikiatri amerikan dr. Daniel Amen në librin e tij: “Ndryshoni mendjen tuaj, ndryshoni trupin tuaj”, mendimet negative i përshkruan si,”zërat e vegjël që gjenden në kokën tuaj dhe ju thonë që nuk jeni të mirë sa duhet”! Ndërkaq mendimi pozitiv krijon vetëbesim te njeriu për t’u përballur me sfidat e jetës. Diku e kam lexuar se, mendimi pozitiv është mbret i gjithë botës, ndërsa mendimi negativ është vetëm mbret i budallenjve!”
Ky është një trajtim por dhe një konstatim shumë i bukur dhe domethënës.
Kjo është pjesë e një psikologjie individuale dhe kolektive që ka kapluar trurin tonë, duke na hedhur me ose pa dashje në krahët e së keqes.
Do të jem me ju i drejtëpërdrejtë.
Deri tani më rezulton se jemi bërë të gjithë “mbretër” mbi vetveten kundër të tërës, jemi kthuer në “budallenj” të cartur dhe trima, duke injoruar me ose pa dashje zgjuarësinë dhe trimërinë tradicionale të kanuneve të herëshme shqiptare, që na kanë sjellë me veshtirësi, por me sukses, në mbijetesën tonë.
Ta kthejmë këtë konkretisht tek vetja jonë.
Ne shqiptarët, për kundër mendimeve të mbrapshta që bartim brenda vetes për arësye politike, partiake, historike, krahinore etj. duhet të orientohemi të gjejmë dhe pranojmë PAQEN midis nesh, që ta ndryshojmë rrënjesisht jeten tonë, duke respektuar vetveten.
Vetëm duke menduar kështu, kundër hidhërimit të trurit tonë sistematikisht prej këtyre paragjykimeve midis nesh, vetëm kështu do të mendojmë shumë pozitivisht në interes të unitetit kombëtar, të mbrojtjes së interesave tona, të lirisë, pronës, kufijve atdheut dhe të përmirësimit të jetës tonë, kundër atij agresioni shumë negative, të realizuar mediatikisht në të gjithë format prej kundërshtarëve tanë tradicional.
Shikoni si jemi ndarë kudo më dysh: politikisht në të majtë e në të djathtë, ekstremisht duke harruar dhe injoruar unitetin kombëtar, pro dhe kundër historisë dhe figurave kombëtare, të përcarë në ekstrem dhe me rritje të urrejtjes brendashqiptare, në ballistë, legalistë, komunistë, nacionalist, demokratë, pacifist e ekstremistë, duke harruar se jemi kombi më i nëpërkëmbur dhe më shumë se sa për cdo gjë tjetër, sot kemi nevojë për paqe brenda nesh dhe unitet. Ky është shërimi ynë: Paqe dhe unitet mbarëshqiptar.
Ta fitojme PAQEN midis nesh, të arrijmë të themi bashkërisht “NE”, kundër “UN-IT” vrasës dhe vet do ta kuptojmë se kjo është rrugëzgjidhja që na ka munguar deri më sot, është ajo situatë e trishtuar dhe e dhimbëshme që na ka bere t’i harxhojmë energjitë kombëtare në rrugë të gabauara dhe të humbasim pa e kuptuar kohën tonë shumë të çmuar.
Po na e shplajne trurin dhe memorien dhe po na e zëvendësojnë me cilësitë me negative të një personaliteti të shpërfytyruar, që ka humbur rrugën e të ardhmes.
Nën diellin jetëdhënës ka vend për të gjithë per t’u ngrohur dhe për ta adhuruar atë.
Shqipëria dhe Kombi kanë nevojë për të gjithë ne, pa ndasi, pa urrejtje e përcarje midis nesh, por vetëm duke pranuar dhe bërë të qenësishme mendimet e mira pozitive për gjenezën tonë të ndritur, por sot tragjikisht të vënë në shënjeshtrën e asgjësimit.