OSBE njofton se një ekspert i lartë për zgjedhjet filloi një vizitë tri-ditore në Shqipëri, më 7 nëntor 2016, si pjesë e ndihmës që Prezenca e OSBE-së i jep reformës zgjedhore në vend, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2017.
Zyra e OSBE ne Tirane njofton se gjatë muajve në vijim, Prezenca do t’i ofrojë ekspertizë teknike komisionit të posaçëm kuvendor për reformën zgjedhore, për të përmirësuar legjislacionin në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
“Jessie Pilgrim, ekspert i lartë në fushën e zgjedhjeve, me përvojë të gjerë në legjislacionin dhe proceset zgjedhore në Shqipëri, është kontraktuar nga Prezenca dhe po takohet gjatë këtyre tri ditëve me disa nga aktorët kryesorë në fushën e zgjedhjeve, për t’u njohur me mendimet dhe propozimet e tyre lidhur me ndryshime të mundshme në legjislacionin zgjedhor. Ndër ta janë bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, përfaqësues të partive kuvendore dhe jo kuvendore, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizata të vëzhguesve vendorë.” – shkruhet ne joftimin e OSBE duke shtuar se Pilgrim do të ofrojë komente ligjore, me shkrim, pasi komisioni i posaçëm të hartojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai do t’i shqyrtojë ato sa i takon respektimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, angazhimeve në kuadrin e OSBE-së dhe detyrimeve ndërkombëtare.