Home KRYESORE PATRIOTI I “SUMMITIT”

PATRIOTI I “SUMMITIT”

Nga Sokol Shameti

Monologu teatral i Edi Ramës përpara një grushti të seleksionuar emigrantësh, të cilin ai e quajti “summit” erdhi në kohën kur kryeministri ka hyrë përfundimisht në situatën psikiatrike të mohimit të së pamohueshmes.

Përballë asaj që shohin të gjithë – braktisjes faktike të interesit shqiptar në rajon dhe në botë, ajo që i ka mbetur të bëjë kjo qeveri është e vetmja gjë që di të bëjë: hipokrizi të pompuar me spektakël.

Që Shqipëria e Edi Ramës është një dështim në politikën e jashtme, këtë s’ka nevojë ta deduktojmë kur shohim urinë e tij për të konfirmuar të kundërtën përmes një “summiti”.

Interesi shqiptar dhe “shqiptarja” si element që ka nevojë të shërojë plagët e një tranzicioni diskreditues dhe të rifitojë më në fund respektin e reputacionin e një poli magnetik kulturor është siç e dimë, prej dy dekadash të paktën, në pikiatë të plotë.

Mirëpo me qeverinë Rama, kemi cekur fundin. Kemi arritur në atë fazë të studiuar nga psikanaliza, kur situata jo vetëm vazhdon të jetë po aq e rëndë sa në fillim, por ndërkohë realiteti virtual që pacienti ka në mendje, i imponohet audiencës më me arrogancë se kurrë.

Ja një provë e shpejtë se gjendja është pikërisht kështu. Shtatëmbëdhjetë ditë më parë, Astrit Dehari, një veprimtar 26 vjeçar i çështjes shqiptare në Kosovë u gjet i vdekur në burgun e Prizrenit.

Vetëm pak javë përpara se të bëhej baba, dy provime larg diplomimit të tij si mjek dhe disa ditë pas kërcënimit tipik mafioz të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës ndaj aktivistëve të opozitës: “kujdes mos vrisni veten”, djaloshi u shpall nga policia si i vetëvrarë nga një overdozë medikamentesh.

Mirëpo një autopsi e pavarur provoi se muret e qelisë nga ku e nxorrën djalin pa jetë kanë qenë dëshmitare të një llahtari që na solli ndërmend masakrimin e Ilir Karelit nga GESTAPO-ja greke. Policia gënjente. Në fytin e këtij fatziu, ishte futur me forcë një shishe plastike. Në gjymtyrët e tij u gjendën hematoma, ndërsa brenda damarëve në gjak, fije të holla metalike në trajtë brisku, të përgatitura nga xhelatët ndoshta me një pajisje prerëse të posaçme.

E gjithë situata tragjike ka elektrizuar mbarë opinionin në Kosovë dhe janë të përditshme marshimet e protestës që kërkojnë drejtësi për Astrit Deharin. Deri edhe ministri i jashtëm britanik Boris Xhonson shprehu indinjatën për atë çfarë kishte ngjarë me këtë shqiptar të mirë e të drejtë i cili si shumë të rinj të tjerë aktivistë, mbahej në paraburgim prej dy muajsh, përtej çdo afati, duke iu nënshtruar presioneve të përditshme me synim thyerjen e tij përballë një akuze absurde: terrorizëm.

Të mbajmë parasysh se veprimtaria e vetme e Astrit Deharit ishte thjesht mbrojtja e interesit të Shqipërisë dhe identitetit shqiptar aty ku ai është vënë në pikëpyetje e po sfidohet më brutalisht sot: në Kosovën e nxjerrë në shitje prej lidershipit të saj të gjunjëzuar ndaj Beogradit.

Të akuzosh për terrorizëm pra, një veprimtar që lufton për Shqipërinë kudo në botë, e jo më në Kosovë, kjo është një dëshmi se sa armiqësore është qeveria e atjeshme ndaj interesit tonë kombëtar. Shqiptarja barazohet me terrorizmin nga kjo qeveri.

Përndjekja që u bën ajo bashkëkombësve tanë, atyre që ndjejnë të fortë identitetin e tyre shqiptar dhe luftojnë për ta mbrojtur përkatësinë shqiptare në këtë krahinë të martirizuar shqiptare, vërteton se po të ishte patriote, politika e Tiranës do të shihte një armik në figurën e qeverisë së Prishtinës.

E teksa të gjithë, deri edhe siç thamë ministri britanik i qeverisë së BREXIT, po flasin, ajo që stonon është heshtja skandaloze e zyrtarëve tanë. Me pretekstin e mospërfshirjes në punët e Kosovës, “qeveria e kujdesit të diasporës,” po i braktis si jetimë në duar mizore të gjithë ata që e duan Shqipërinë në Kosovë.

Indiferenca bashkëpunuese e Ramës përballë këtij realiteti, po i shndërron edhe shqiptarët në Kosovë në një “diasporë”. Ajo e kthen në nul propagandën për mbajtjen gjallë të vlerave shqiptare në Australi apo Argjentinë, teksa të jesh shqiptar në Kosovë nënkupton tani të bësh pjesë në një shtresë të shtypur qytetarësh, të cilët ndonëse përbëjnë shumicën, janë të përbuzur, të përndjekur, të sulmuar dhe të kërcënuar më keq se ç’pësonin kur ishin po shqiptarë nën pushtimin serb.

E pra, të injorosh në mënyrë burracake këtë gjueti ndaj “shqiptares” në Kosovë e nga ana tjetër të shpenzosh paratë e shqiptarëve për të bërë diplomaci artistike në Nju Jork, kjo është një tallje cinike.

Ndërkohë vrasja barbare e shqiptarit Astrit Dehari në sfondin e një kapitullimi të plotë të Shqipërisë në Kosovë është vetëm nga aktet më të fundit të një qeverie mistrece që s’po lë rast pa dekurajuar haptas apo fshehtas avancimin e axhendës sonë kombëtare në gjysmën tjetër të atdheut.

Se ç’interes mund të ketë Rama dhe qeveria e tij për mbijetesën e rrezikuar të diasporës në vende ku demokracia ka raporte problematike me të drejtat e njeriut si Greqia a Turqia, këtë e kuptojmë po të shohim se sa pak i digjet barku atij për ankorimin e ngadaltë po të sigurtë të Kosovës në një regjim politik represiv.

Një Kosovë demokratike dhe e lirë është në interesin e Shqipërisë dhe e ndihmon gjithashtu Shqipërinë që të jetë demokratike dhe e lirë. Një Kosovë që rrëshqet në protofashizëm dhe oligarki mafioze mund të tolerohet dhe inspirohet vetëm nga një Shqipëri që e ka ndjekur vetë më herët të njëjtin itinerar. Franko dhe Salazari kanë nevojë për njëri tjetrin.

Ja përse një qeveri shqiptare që hesht në mënyrë inferiore përballë djallëzisë të atyre që minojnë shqiptaren deri në Kosovë, nuk ka sesi të jetë serioze kur merr poza atërore përballë diasporës turistike ditore. Të paktën jo kaq herët pas vrasjes së toleruar të një shqiptari që donte të ishte shqiptar. Në Kosovë.

SYRI.net

Share: