Home KRYESORE “ROSSIJSKAJA GAZETA” – Zgjohet Janukoviçi: prishja me Rusinë, e keqja më e...

“ROSSIJSKAJA GAZETA” – Zgjohet Janukoviçi: prishja me Rusinë, e keqja më e madhe

Ish presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, u mor në pyetje nga një ekip hetuesish e gjykatësish ukrainas e rusë në qytetin Rostov.

Në seancën që zgjati 6 orë, ai falënderoi për faktin që pala ukrainase i dha një shans për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Në seancën e lodhshme, ku dëshmoi edhe ish komandant i trupave policore të Ukrainës, gjeneral-nënkoloneli Stanislav Shuljak, Janukoviçi deklaroi se ajo që ndodhi në sheshin “Meidan” ishte një operacion i veçantë e i planifikuar nga opozita.

Kjo ishte paraqitja e parë publike e Janukoviçit në dy vitet e fundit dhe shkaktoi një zhurmë jot ë vogël në mediat ruse dhe ukrainase.

“Nënshkrimi i marrëveshjes me BE-në dhe shkatërrimi i marrëdhënieve me Rusinë ishte gjëja më e keqe që mund të bëhej”, tha Janukoviçi. “Sot, vendi duhet të mendojë si të kombinojë dy pjesë të ndryshme të tij. Gjendja në Ukrainë nuk është përmirësuar në këto dy vjet, por është përkeqësuar”, tha ai.

“Kam takuar shpesh ukrainas të zakonshëm, veçanërisht të brezit të vjetër, që më thonë: Çfarë kemi bërë për ta merituar një tallje të tillë me veten?” Janukoviçi tha se është gati të flasë edhe me presidentin aktual ukrainas Poroshenko apo kryeministrin Jaceniuk.

Ai pretendoi gjithashtu paligjshmërinë e shkarkimit të tij dy vjet më parë. Rikujtoi se më 22 shkurt 2014, gjatë vendimit të parlamentit për shkarkimin e tij, ndodhej në Doneck. “Në dokument thuhet se u shkarkova pasi braktisa territorin e Ukrainës, po kjo nuk është e vërtetë”, tha ai duke shtuar se u largua jashtë vendit vetëm pas shkarkimit, duke anuluar edhe një takim në qytetin Kharkiv pasi pati sinjalizime se në tubim mund të depërtonin njerëz të armatosur.

Share: