Home KRYESORE Rreziku i ISIS zhvendos ndeshjen Shqipëri- Izrael

Rreziku i ISIS zhvendos ndeshjen Shqipëri- Izrael

Ndeshja Shqipëri- Izrael është zhvendosur nga qyteti i Shkodrës në atë të Elbasanit, për arsye të forta sigurie.

Burime të AbcNews bënë me dije se zhvillimi i këtij aktiviteti sportiv mund të kërcënohej nga akte terroriste esktremiste dhe vendndodhja e stadiumit “Loro Boriçi”, në një zonë të rrethuar nga shtëpi banimi dhe rrugica të shumta, nuk ofronte garanci të plota për sigurinë e njerëzve gjatë ndeshjes së futbollit që do të luhet këtë të shtunë.

Lajmi i zhvendosjes së ndeshjes në “Elbasan Arena”, është konfirmuar zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, duke lënë të kuptohet se janë motivet e sigurisë ato që kanë sjellë këtë lëvizje. Sipas ekspertëve të sigurisë, stadiumi i Elbasanit është më i kontrolluar dhe masat e sigurisë janë plotësisht efikase atje.

Por çfarë ka qenë ky kërcënim apo sinjal për akte terroriste, që ka detyruar këtë masë të jashtëzakonshme tre ditë përpara takimit Shqipëri- Izrael? AbcNews ka mësuar se prej disa kohësh, agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe shërbimeve partnere, kanë përgjuar dhe mbajtur nën vëzhgim një celulë të dyshuar ekstremiste, të lidhur me ISIS. Një pjesë e kësaj celule, u godit pak ditë më parë duke arrestuar disa persona, të cilët thuhej se kishin planifikuar aksione terroriste në Shqipëri.

Pikërisht operacioni i fundit i policisë dhe prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët arrestuan 4 persona, besimtarë myslimanë, të dyshuar si pjesë e një celule ISIS-i në Shqipëri, duket se është i lidhur me zhvendosjen e ndeshjes për eleminatoret e botërorit.

Burime të Abc News thanë se arrestimi i Ergys Faslisë, Bekim Protopapës, Xhezahir Fishtit e Medat Hasanit, erdhi pas dyshimeve se këta të fundit po organizonin një sulm terrorist gjatë aktivitetit sportiv që do të organizohej të shtunën në “Loro Boriçi”.

Një akt i tillë mund të ndërmerrej ndoshta i nxitur nga prania e sportistëve hebrenj në Shqipëri, si një hakmarrje simbolike e terroristëve islamikë ndaj shtetit të Izraelit. Kjo simbolikë i ka shtuar më shumë dyshimet dhe verfikimet e institucioneve të sigurisë, të cilat kanë vendosur zhvendosjen e ndeshjes.

Burimet thanë se nga materialet e Shërbimit Informativ Shtetëror, i ndihmuar edhe nga agjensitë e huaja të spiunazhit, kanë referuar informacione se 4 të arrestuarit në Shqipëri, në bashkëpunim me 7 personat e arrestuar në Kosovë dhe disa të tjerë në Maqedoni, po planifikonin një sulm me shpërthim jashtë stadiumit “Loro Boriçi” dhe më pas me armë zjarri, gjatë ndeshjes Shqipëri- Izrael.

Katër të dyshuarit në Shqipëri po hetohen për akuzën e “akteve terroriste” të mbetur në tentativë, pasi janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë bërë disa veprime konkrete për të finalizuar sulmin me eksploziv dhe më pas me armë. Këtë sulm, grupi hetimor thotë se e kanë koordinuar edhe me disa shtetas të tjerë, të cilët gjithashtu janë nën hetim në Kosovë dhe Maqedoni.

Personat në fjalë kanë qënë në vëzhgim dhe përgjim prej disa kohësh, por shkak për ndërhyrjen dhe arrestimin e tyre mbrëmjen e së premtes së kaluar, është bërë frika e ndonjë incidenti të mundshëm terrorist gjatë meshës së lumturimit të 38 martirëve të kishës katolike në Shkodër. Kjo frikë, siç duket ka qenë edhe arsyeja që në ceremoninë në fjalë të mungonin disa krerë të institucioneve shtetërore.

Gjithsesi,AbcNews ka mësuar se masat e sigurisë në Elbasan do të jenë tepër të larta dhe forca të shumta të policisë dhe shërbimeve sekrete do të garantojnë zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit Shqipëri- Izrael. /lapsi.al/

Share: