Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Sputnik, në versionin frëngjisht ka shkruar një artikull rreth drogës që trafikohet nga Shqipëria. “Një mafie më e frikshme se kartelet e Kolumbisë”. Kështu titullohet shkrimi i prestigjiozes ruse që nënvizon se në 5 vitet e fundit, 75% e tregut global të drogës është në duart e mafias shqiptare.
Sputnik duke emërtuar vendin tonë me nofkën “Kanabistan”, tregon se në Shqipëri qarkullojnë mesatarisht në një vit 46 ton drogë e përkthyer ndryshe në 2 miliardë euro.
Agjencia e lajmeve raporton edhe aksionin në Rrëshen ku u arrestuan 15 persona dhe u sekuestrua 3 ton drogë. Ndërsa shkruan edhe për pistat e avionëve të vegjël që transportonin drogë në Itali. Sipas Sputnik, policia shqiptare nuk është efektive në luftën kundër krimit të organizuar.
“Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është shtyllë e krimit të organizuar në të gjithë botën dhe pika kryesore trafikimit të drogës, armëve, emigrantëve si dhe në falsifikimin e mallrave. Përveç kësaj, kartelet “kombëtare” dallohen nga mungesa e hierarkisë vertikale, dhe kontrollohen nga grupe familjare. Katër klane të mëdha kontrollojnë 20 familje që gjithashtu drejtojnë trafikun e qenieve njerëzore, prostitucionin, shantazhet, grabitjet e makinave dhe pastrimin e parave”, shkruan Sputnik.
Agjencia prestigjoze shkruan se turqit dhe italianët janë partnerët kryesorë të mafias shqiptare në trafikun e drogës. Këta të fundit, sipas Sputnik, ruajnë lidhjet me zyrtarët, policinë, doganën, shërbimet sekrete e madje ushtrinë në vendet e tyre./lapsi.al