Home KRYESORE Sa vjet, sa herë dhe çfarë shakash politike janë këto për bashkim

Sa vjet, sa herë dhe çfarë shakash politike janë këto për bashkim

Nga Kasem Seferi

Çdo “përrallë” e politikës shqiptare (veçanërisht, në prag të një fushate elektorale) ka prapa një të vërtetë, por jo vetë të vërtetën. Deklarata e fundit e Ministrit aktual të Financave, e theksoj aktual, për arsye se bashkimi i administratës tatimore me atë doganore është një “historizë” që daton nga prag viti 2005 me atë lëvizje të PD – së (KOP) që sfidoi dhe fitoi zgjedhjet e atij viti.

Jam një prej atyre që e kanë ndjekur proçesin e bashkimit të administratës tatimore me atë doganore që nga vigjilja e saj si dukuri. E filloi këtë strukturim administrativ Administrata Tatimore dhe Doganore e Hollandës (thënë më troç e dyta për nga aftësitë e administrimit tatimor të legjislacionit tatimor në botë, pas asaj të SHBA, edhe pse kjo e fundit nuk e ka një praktikë të tillë, sikundër nuk ka edhe sistemin politik të njëjtë).

Nga më të shënuarat në këtë dukuri do të ishte ajo e Mbretërisë së Bashkuar (UK), për të vazhduar zinxhiri i kësaj dukurie administrative para jo shumë vitesh në Italinë fqinje, një prej më shumë se 28 vendeve anëtare të BE – së, që kanë realizuar një bashkim të tillë.

Kush ishte thelbi i këtij bashkimi/strukturimi administrativ në këto vende të BE – së dhe çfarë pritet se do të jetë te ne, në Shqipëri?

Thjesht, nga pikëpamja administrative: ndjekja e së njëjtës gjurmë në sistemin e regjistrimit dhe gjurmimit të të dhënave (data base) nga administrat doganore te ajo tatimore; nga pikëpamja e kontrollit: kontrolle të përbashkët dhe të bashkërenduar tatimorë dhe doganorë (këto të fundit të njohur me termat kontrolle postdoganorë); nga pikëpamja politike: transparencë në lidhje me favorizimin dhe privilegjet në trajtimin doganor; nga pikëpamja ekonomiko – shoqërore: kosto më të vogla në importin e mallrave; dhe, e fundit fare, por jo nga rëndësia: konkurrencë e drejtë në treg (që ka munguar aq shumë në këto më shumë se njëzet vjet).

Duke e dëgjuar një “përrallë” të tillë prej kaq vitesh, nuk ka se si të mos i shkojë ndër mend çdo qytetari (dhe, veçanërisht, të çpojë hundën e “analistëve” servilë) fakti që kontrabanda ka qenë dhe mbetet një prej burimeve kryesore të pasurisë së paligjshme (natyrisht e padeklaruar).

Nga çfarë dallon fakti që në zgjedhjet e 2005 – s u premtua një bashkim i tillë administrativ por nuk u përsërit në vitin 2009 apo në vitin 2013, në krahasim me premtimin e të ardhurve në pushtet në vitin 2013 që po e përsërisin të njëjtin premtim në prag të zgjedhjeve të vitit 2017? Aq më shumë, kur dhe ku, ndër argumentet përfshihet dhe “këshilla” e mundshme e FMN – së në lidhje me efektivitetin?!

Po a nuk është dëshmi e efektivitetit bashkimi në 28 vende të BE – së (në mos qofshin më shumë)?! Apo, që nesër për çdo rast t’ia lemë FMN – së “kopilin” në derë?!

Ku fshihet “lepuri” në këtë rast?

Thuhet (rëndom i thonë “thashetheme”) se tatimpaguesit, subjet i TVSH – së dhe tatimit mbi fitimin, në lidhje me këtë të fundit, këtë fund viti, do të duhet të paguajnë një shtesë (nuk dihet sa për qind), duke shfrytëzuar formulën e përcaktuar në nenin 30 – të të ligjit Nr. 8438, të vitit 1998, amenduar disa herë që nga viti 1999 “Për tatimin mbi të ardhurat”, kur vetë Ministria e Financave ka deklaruar se të ardhurat nga TVSH dhe akciza nuk janë realizuar.

Në qoftë se nuk ka shitje, nuk ka TVSH, nuk ka akcizë, nuk ka tatim fitimi, nuk ka të ardhura personale, nuk ka tatim të mbajtur në burim, etj.

Po sikur bashkimi i dy administratave do të kishte ndodhur (të paktën brenda viteve 2013 – 2014), kur do të supozohej se shkëmbimi i informacionit ndërmjet dy administratave do të ishte një mundësi e padiskutueshme dhe sidomos e dobishme, krahasuar me situatën e tanishme, çfarë do të thuhej për faktin që kur nuk realizohet TVSH – ja dhe akciza dhe, ndërkohë që rriten të ardhurat nga tatimi mbi fitimin (një absurditet i paparë dhe i padëgjuar deri tani më përvojën ndërkombëtare – që mos qoftë shpikje shqiptare)?!

Dy janë hamendjet: Ose ka pasur kontrabandë masive dhe korrupsion në dogana?; Ose ka arbitraritet në mbledhjen e të ardhurave tatimore përsa i përket tatimit mbi fitimin, duke abuzuar dhe qenë arbitrar në interpretimin e legjislacionit tatimor?

Çfarë do të ndodhë nëse në të vërtetë do të ketë një rritje të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin?

Së pari, do të rëndohen bizneset në mënyrë të padrejtë por “ligjore” në dukje. Së dyti, do të hiqet nga qarkullimi një sasi paraje që, në kushte të tjera, do të shërbenin për të rritur qarkullimin/investimin e mundshëm. Së treti, do të krijohej një borxh i së nesërmes, kur parapagimet e tatimit mbi fitimin do të ballafaqoheshin me dorëzimin e bilanceve deri në 31 mars 2017.

Në rastin e mundshëm të bashkimit të administratave tatimore dhe doganore, të dhënat do të gjenin rrjedhën e bashkëpunimit vetëm për vitin 2017 dhe nuk dihet se kur saktësisht, për arsye të investimit që duhet bërë për bashkërendimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit që sot veprojnë më vete.

Në rastin e pamundur të bashkimit, gjendja mbetet e njëjtë sikundër është borxhi i hamendësuar më lart, por me një mundësi më të madhe për t’u përdorur nën “okelion” e të ardhurave të munguara (të pambledhura) për arsye të vitit elektoral, që njihet tashmë edhe pse deklarohet pasi ndodh.

Në rast se, vërtetë, do të ketë një rritje të parapagimeve të kësteve të tatimit mbi fitimin dhe, më pas, do të bëhen ose jo përpjekje për bashkim, rezultati do të jetë njësoj. Defiçiti buxhetor nga të ardhurat tatimore do të rritet dhe kjo të çon te rritja e borxhit të përgjithshëm.

Kasem Seferi – economist