Home KRYESORE Shërbimi Informativ Shtetëror në alarm?

Shërbimi Informativ Shtetëror në alarm?

I dënuari i Fushë-Krujës alarmon antiterrorin

Një i dënuar me 25 vite burg për akuzën e grabitjes me pasojë vrasjen e një taksisti me 3 tetor të vitit 2005, ka kërcënuar se do të kryente akte terroriste në Tiranë. Naim Behari, i njohur ndryshe edhe si Nikolas Konstandinos ka vënë në alarm shërbimet e antiterrorit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror me mesazhet e tij kërcënuese.

Madje në një telefonatë të kryer në sallën operative të Policisë së Shtetit, ai iu ka kërkuar efektivëve të Policisë të rrëmbejnë armët dhe kallashnikovët dhe të dalin kundër qeverisë aktuale shqiptare. Kjo pasi qeveria aktuale ka dalë kundër Greqisë, në lidhje me marrëveshjen e detit por edhe për situatën e acaruar të marrëdhënieve me këtë vend sipas tij.

Kaq mjaftoi që efektivët e njësisë së Antiterrorit të mbërrinin në qelinë e tij në burgun e Fushë- Krujës, ku ai vuan dënimin me 24 vite burg për vrasjen e një taksisti në Lapardha të Beratit me 3 tetor të 2005-s. Menjëherë ai është nxjerrë nga qelitë e burgut të Fushë- Krujës dhe është transferuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku është marrë në pyetje dhe ku do t’i nënshtrohet edhe një ekzaminimi psiqik.

Nga verifikimet e kryera është mësuar se prej disa javësh Naim Behari, është transferuar në burgun e Fushë- Krujës, ndërsa më parë ai qëndronte i izoluar në burgun e Zaharisë në Krujë. Hetuesit thonë se vitet e fundit, që prej marrjes së dënimit prej tij, ai ka pasur çekuilibrime mendore, por ky fakt pritet të verifikohet nga një grup ekspertësh mjeko- ligjorë.

Pavarësisht kësaj oficerët e antiterrorit kanë vënë re se ai arrinte të përdorte mjaft mirë telefonin celular dhe programet e tij. Kjo ka bërë që specialistët e Antiterrorit dhe të Shërbimit Informativ ta marrin me rezervë faktin se ai ka pasur çrregullime mendore. Ndaj kanë kërkuar edhe ekzaminimin psqikik të tij./ TV KLAN

Share: