“16 mijë shqiptarë kanë një pasuri që arrin deri në 1 milionë dollarë. Ose thënë ndryshe 0.7 % të popullsisë e zënë milionerët”. Të dhënat publikohen në raportin e fundit mbi pasurinë globale të Credit Swisse, ç’ka tregon qartë për hendekun e madh që është krijuar mes të pasurve dhe të varfërve në vend.
Referuar këtij raporti mësojmë se pjesa më e shqiptarëve në moshë madhore janë relativisht të varfër. “73.3% e popullsisë shqiptare disponon në total një pasuri nën 10 mijë dollarë”, thuhet në raport. Ndërsa ata që mund të quhen shtresa e mesme dhe që zënë 26% të popullsisë kanë një pasuri që luhatet nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Në raportin për pasurinë globale për vitin 2016, të publikuar nga Credit Sëisse rezulton se totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë. Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9 200 dollarë. Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarë dhe ndër më të ulëtat në rajon.
Po sipas këtij raporti mësojmë se shqiptarët kanë qenë më të pasur para 10 vitesh. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë patur pasuri të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë. Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010.
Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013. Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë në 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse në 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve në 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit./Opinion.al