Home KRYESORE Shqipëri – Greqi, kryqin problemeve!

Shqipëri – Greqi, kryqin problemeve!

arian-galdini-2

Nga Arian Galdini

Greqia ka nga 2 kryqa për çdo pasaportë shqiptari të kthyer mbrapsht. Nuk ka vulë. Nuk ka më as grisje pasaporte. Marrëveshja e Shengenit papritmas ka nisur të zbatohet me përpikmëri gjermane.

Është kaq kohë interesante të shohësh grekët të sillen me marrëveshjet dhe ligjin si gjermanët. Kaq të habitur janë me përpikmërinë e tyre edhe vetë grekët, saqë bëjnë kryqe në pasaporta shqiptarësh, njëlloj si kryqet që bëjnë me lëvizje duarsh në ballë kur u duhet të kthejnë sytë nga Zoti.

Së paku, tani nuk grisin më pasaporta. Përpikmëria e tyre e beftë, i bën si gjermanë dhe i bën ta kërkojnë seriozisht Zotin. Para hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për shqiptarët, në Kakavijë a Kapshticë e kudo ku kalohej ligjërisht nga Shqipëria në Greqi, pasaportat tona ishin kaq hallemëdha sa nuk dihej nëse do të vuloseshin për po, për jo, apo do griseshin. Ndjesia e të qenurit përballë 3 alternativave ishte kaq rraskapitëse dhe poshtëruese, saqë duhej patjetër të kishe ndonjë arsye të fortë për ta marë rrugën me pasaportë në dorë drejt Greqisë. Edhe në përallat e legjendat që i kemi kaq të ngjashme këtu në Ballkan, kurrë nuk gjendej njeriu përballë 3 alternativave.

Në përalla e legjenda flitet për 3 vëllezër, 3 motra, por asnjëherë për 3 alternativa. Rrugët kanë qenë ngahera 2, ajo që të çon e të kthen dhe ajo tjetra që të çon e stë kthen. Vetëm Sfinksi në Portat e Tebës, kishte 3 alternativa. E të gjithë e dimë sa mizor e i papëlqyer ka qenë Sfinksi, e ç’fund tragjik pati Teba.

Ndaj besoj se tani, jemi në kohë të tjera që i afrohen më shumë normalitetit, pra ose marim vulë e hyjmë në Greqi, ose na vënë 2 kryqe në pasaportë e nuk lejohemi të kalojmë më tutje.

E di që është paradoksale por besomëni them se është edhe lehtësuese kjo gjendja e 2 alternativave…

Imagjinoni a kthehuni pas në kohë kur rropateshim me ditë e javë e ndoshta muaj të tërë në dyert e Ambasadës Greke apo Konsullatave të Greqisë nëpër Shqipëri, duke mbajtur rradha të gjata, duke u kacafytur me njëri tjetrin, duke duruar përbuzjen e fyerjet, vetëm për të marë një vizë greke në pasaportë.

E nëse ishim me fat e mernim vizë pas këtyre stërmundimeve epike, shkonim drejt kufirit, e nuk e dinim nëse do të na linin të kalonim apo jo. Sepse polici andej mund të na e griste pasaportën, vetëm e vetëm se ashtu i tekej atij.

Kthehuni pas në kohë e kujtoni, kur përveç rradhave të gjata, na duhej edhe ti blinim shtrenjtë nëpër seksere e konsuj, nëpër shoqata, deputetë, politikanë e kryetarë partishë, vizat greke.

Dhe përsëri, ndonëse e kishim paguar sa frëngu pulën, vizën greke, kur paraqiteshim në kufi, një polic i andejshëm mund të na griste pasaportën e të na kthente mbrapsht, krejt si pa të keq.

Që grekët janë bërë këto ditë si gjermanë, e duan të zbatojnë pikë për pikë Marrëveshjen e Shengenit, ne nuk duhet të shqetësohemi.

Ky është nga ato raste kur e keqja na vjen nga dëshira e fqinjit për tu bërë si makthi i tyre që të na lëndojnë neve. Them makthi, sepse në këto kushte, i fundit që do të donte ti ngjante një grek është gjermani.

Gjermani është turisti, investitori, kreditori. Gjermani është edhe mikpritësi i aq shumë grekëve që kanë emigruar atje në Gjermani. Grekët e kanë ëndërr të jenë si gjermani, por e dinë se me sytë hapur shohin vetëm zhgjëndra. Janë aq larg nga gjermani sa fillojnë e urrejnë ëndrrën e tyre.

Prandaj, këto ditë që ata kanë vendosur të bëhen si gjermanë me ne, më shumë vuajnë ata se ne. Kjo është edhe arsyeja pse nuk do të zgjasë shumë.

Greku do që të jetë grek me ne. Ata duan të na kenë në rradhë për një vizë para Ambasadës e Konsullatave, e pastaj të na grisin pasaportën. Ata duan të na shesin viza me të cilat na blejnë e grazhdojnë deputetë, kryetarë partishë, politikanë, e shoqata që pastaj të na e grisin pasaportën në kufi.

Me dy kryqe në pasaportat tona, ata duket sikur ndajnë peshën me ne. Një kryq për ne e një kryq për ta. Ne e pësojmë pse nuk kalojmë dot matanë, ata vuajnë pse nuk janë dot grekë me ne. Nuk do të zgjasë. Ose do kthehen grekë e do braktisin gjermanin që janë bërë këto ditë, ose do gjejnë paqe e do heqin dorë nga kryqet.

Për këtë arsye, unë bëj thirrje që ti duam grekët, edhe me shumë se më parë, sot. Tu dëshmojmë dashurinë tonë duke i ftuar të na e grisin pasaportat. Mjafton që ata të gjejnë vetveten e të rikthehen në identitet.

Mos u ankoni shqiptarë të mirë pse jua kryqosin pasaportat. Jepuani tjua grisin. Po nuk jua grisën dot, atëherë ti përqafojmë e tu themi se ka ardhur koha që të na lënë të kalojmë. Kthim mbrapa nuk ka më. Me kryq, mohim e refuzim nuk i mbyllim dot problemet.

Deri sot kemi qenë si ata fqinjët që i trokasin në derë tjetrit me justifikimin për ti kërkuar farë kosi ndërkohë që përpiqen për ti zënë dashnore gruan.

Me komunikim, dialog, reciprocitet e dinjitet të plotë, ne mund të jemi, ne shqiptarë e ata grekë që hyjmë e dalim si fqinjë të mirë, të sinqertë që shkëmbejmë ekonomi, kulturë e bashkëjetesë të ndershme. Ata janë vërtetë në BE. Por vetëm nëse dimë të jemi me njëri-tjetrin në harmoni, do të jemi veç e veç dhe së bashku, Europë.

Share: