Deklaratat e ish- deputetit socialit Ben Blushi mbi Programin e ri 1 miliard euro për Rindërtim, ministri i Financave Arben Ahmetaj i ka konceptuar si qesharake.
Sipas tij nuk është aspak faj të jesh fillestar në ekonomi kur futesh në politikë, por për të është e pafalshme të mbetesh i tillë kur qëndron gjatë në të rrugë.
Gjithashtu, ministri Ahmetaj e ka akuzuar Blushin si një kopje të ish kryeministrit Berisha si dhe të kreut të PD Lulzim Basha duke i thënë që mllefi që ai ka e shtyn atë në rrugën e gënjeshtrave.
“Pjesa me e dhimbshme është ajo ku Blushi i mban ison Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për shpenzimet e luksit të kryeministrisë. Në garën me ta se kush e shan më shumë Edi Ramën dhe qeverinë e tij, e fryn edhe më keq shifrën e sajuar nga Saliu, të recituar nga Luli e të amplifikuar me tej nga Blushi vetë.
E gjitha njëe propagande gënjeshtrash për të ardhur keq. Sepse Saliu e di të vërtetën por gënjen si zakonisht për të galvanizuar trupat e tij. Luli bën sikur s’e di të vërtetën se ia do puna që të përsërisë si robot ato që thote Saliu. Ndërsa më keq nga të dy këta është Blushi, që jo vetëm nuk e di si është e vërteta, sepse nuk kupton (dhe as pyet ngaqë kujton se kupton) dhe sepse mllefi e shtyn më tutje se sa vete Saliu e Luli në rrugën e gënjeshtrave…”, shprejet Ahmetaj.
Ministri Ahmetj i kujton mikut të tij Blushit, pasi sipas tij ai mbetet i tillë edhe pas largimit nga PS, kur kreu i Libra-s ka thënë se shifrat për të janë opinione që varen nga interesat e politikës, jo nga kokëfortësia e statistikës.
Për ministrin Ahmetaj kjo thënie tij tregon mjaft qartë që Blushit nuk i intereson e vërteta por krijimi i saj në funksion të garës me Saliun e me Lulin se kush i helmon me shume shqiptarët me baltën kundër qeverisë.