Home KRYESORE Aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” prishin takimin e Erion Veliajt me FRESSH-istët

Aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” prishin takimin e Erion Veliajt me FRESSH-istët

Aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” nuk kanë lejuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të zhvillojë një takim me të rinjtë e FRESSH në mjediset e Universitetit të Tiranës.

Mësohet se të rinjtë e FRESSH kishin organizuar një takim me Veliajn pasditen e sotme në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Por, ky takim është detyruar të anulohet nga organizatorët për shkak të rezistencës së studentëve. Këta të fundit nuk lejuan që FRESSH dhe Erion Veliaj të zhvillonin takime politike në ambientet universitare, siç në fakt e ndalon edhe ligji.

Në videon e mëposhtme, të publikuar nga lëvizja ‘Për Universitetin’, shihet kryetari i FRESSH-it Eljo Hyskaj dhe koordinatorja Maura Linadi që debatojnë me aktivistët e kësaj lëvizje, të cilët nuk lejuan që të zhvillohet takimi në ambientet e universitetit.

 “Në shkelje të ligjit të arsimit të lartë dhe rregullores së Universitetit të Tiranës, që ndalojnë veprimtaritë politiko-partiake në mjediset universitare, sonte në orën 17:00 ishte parashikuar të mbahej një takim me kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i organizuar nga FRESSH-i. Një grup aktivistësh të Lëvizjes Për Universitetin u futën në sallën e takimit për t’i përballur organizatorët me shkeljen e ligjit dhe rregullores, si edhe për t’i kujtuar z. Veliaj përgjegjësinë e tij (jo vetëm) politike për vrasjen në punë të Ardit Gjoklajt, të riut që punonte skllavërisht në landfillin e Sharrës që të kishte mundësi të vazhdonte shkollën.

Përderisa dyert e jetës dhe universitetit janë të mbyllura për Arditët, nuk kanë pse të jenë të hapura për pushtetarët keqbërës. Për shkak të këmbënguljes sonë, takimi u anulua. Rezistenca sjell efekte. Sonte Universiteti i Tiranës ka një turp më pak në fytyrën e vet”, shkruan në Facebook lëvizja ‘Për Universitetin’.

Kujtojmë se kjo lëvizje, 1 muaj më parë sulmoi ministren e Arsimit Lindita Nikolla duke i hedhur salcë në kokë./opinion.al

Shiko videon: 

Share: