Home KRYESORE Andi Bejtja: A ka një flirt të ri PD dhe PS?

Andi Bejtja: A ka një flirt të ri PD dhe PS?

Nga Andi Bejtja

Mbrëmë u përfshiva rastësisht, përveç të tjerave dhe emocionalisPht, me emisionin e Ylli Rakipit, ku ishte i ftuar Kryetari i Opozitës Lulëzim Basha, bashkë me dy kolegët e mi Fatos Lubonja dhe Andi Bushati. Them emocionalisht, sepse në fund të ditës u dëshpërova.

Gjithmonë kam pasur dhe kam një autocensurë kur hedh rreshta për opozitën, më ngel dora për ta mprehur lapsin, sepse përveç të tjerave jam i ndërgjegjshëm se po përballet me një pushtet arrogant dhe kleptokrat që kërkon t’i marrë dhe t’i kontrollojë të gjitha. Por pas ditës djeshme disa gjëra duhen thënë.

Po ndiqja votimin në Parlamentin shqiptar, kur në telefon më erdhi një sms nga gazetari Andi Bushati që ishte në emision, i cili më pyeti: “Ore e votoi dhe LSI atë të laboratorëve”. Bëhej fjalë për një amendament të kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, ku kërkonte moslëvrimin e fondeve për këtë koncesion. Argumentet ishin dhënë me kohë nga deputeti në fjalë, i cili publikisht i kishte bërë dhe një letër të hapur Kryetarit të Parlamentit. Dhe Bushati vetë i kishte hyrë me themel këtij problem në Portalin e tij lapsi.al.

I ktheva përgjigje Bushatit që amendamenti ra me një votim 60 e ca kundra ku ishin deputetë të Partisë Socialiste dhe çam, dhe rreth 39 LSI me PD. Pastaj i shtova dhe nga LSI një votoi si PS dhe një tjetër abstenoi i thashë, kjo ndodhi i thashë, mesa pashë se e gjithë PD-ja nuk ishte në sallë. Dhe ndërkohë ktheva telekomandën për të parë vazhdimin e emisionit të Ylli Rakipi.

Pashë Bushatin që i tha me të drejtë Kryetarit të Opozitës pse nuk ishin njerëzit e PD-së në sallë. Pashë liderin e Opozitës, që e harroi diplomën e Utrehtit dhe gjuhën Europiane dhe iu vërsul gazetarit me një gjuhë aspak etike duke e akuzuar se përdoret nga LSI, madje duke i zënë me gojë me emër të përveçëm dhe deputetin Petrit Vasili me konotacion për më tepër negativ. Pashë Liderin e opozitës që gënjeu kur tha grupi Parlamentar i LSI-së kishte votuar gjysmë për gjysmë. Pashë liderin e Opozitës që gënjeu kur tha se maxhoranca kishte bërë 74 vota, ndërkohë që ishin 63.

Nuk dua të hyj fare në analizë do them vetëm çfarë pashë dhe dëgjova gjatë ditës së djeshme. Kisha dëgjuar Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj gjatë debateve me deputetin Petrit Vasili, që përdori si argument për të mos e hedhur në votim amendamentin, faktin se nuk kemi çfarë të votojmë se paratë për koncesionin e laboratorëve nuk janë parashikuar në buxhet. Ndërkohë, pashë liderin e Opozitës që në emision gjatë debateve me gazetarin Bushati përsëriti “mo ta mo” të njëjtin argument si Arben Ahmetaj. Pra pashë liderin e Partisë Demokratike të fliste në mënyrë identike si Ministri Socialist i Ekonomisë.

Ç’kisha parë gjatë ditës?

Kisha parë dhe dëgjuar deputeten punëtore dhe nga më të angazhuarat seriozisht në komisionet parlamentare Albana Vokshi për këtë çështje, të mbante të njëjtin qëndrim si Petrit Vasili, identik. Madje, rastësisht kisha parë po këtë deputete në ABC News, që ndryshe nga lideri i saj që anatemonte Vasilin dhe e akuzonte për lojëra politike, ta falënderonte publikisht pikërisht Petrit Vasilin me emër mbiemër. Shkurt dhe shqip gjatë 24 orëve të vetme, pashë dy PD: Njërën të përfaqësuar nga deputetja Albana Vokshi në Parlament dhe tjetrën të përfaqësuar nga Lulzim Basha, me qëndrime krejt të kundërta në studion e News 24. Nuk jam i sigurt ata deputetë të Partisë Demokratike që munguan mbrëmë në sallë përfaqësojnë Lulin, apo ndoshta një PD të tretë që nuk e dimë kë mund të ketë si emër përfaqësues.

Ndërkohë, kam parë këto tre vjet – keni të drejtën në daç t’i gjykoni dhe si lojëra politike, por që kam parë e kam parë, kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI Petrit Vasili, jo thjesht të bëjë një luftë shembullore opozitare nëpër komisionet parlamentare, po të paraqesë dhe propozime konkrete që mund të ishin shumë mirë propozime të ardhura nga kampi i opozitës dhe jo nga një Parti aleate dhe në pushtet me Ramën. Kam parë për shembull zotin Vasili të propozojë ndryshime për taksat e biznesit të vogël duke u konfrontuar me qëndrimet e Qeverisë dhe PD-në nuk e mban mend njeri çka bërë. Kam parë për shembull Petrit Vasilin të bëjë një luftë më shumë se opozitare për ligjin e kamerave dhe PD-në nuk e kam parë ta mbështesë. Kam parë për shembull po zotin Vasili të ngrejë fort dhe me shqetësim projektligjin për pullat e barnave dhe PD-në e kam parë në gjumë. Mund t’ju numëroja me dhjetëra gjëra të tilla.

Teksa në orët e vona të natës, po hidhja këto radhë m’u mbyllën qepallat jo vetëm nga gjumi po dhe nga një dëshpërim i madh për atë ç’ka pashë atë ditë: Dhe në fakt siç e kuptoni dhe vetë nuk mbetet më gjë për të bërë ndonjë analizë, prandaj do vazhdoj t’ju tregoj se çfarë pashë në ëndërr dhe në zhgjëndërr: Pashë që Petrit Vasili dhe Ben Blushi ishin në kryesi të Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën e pashë të ulur në krahun e PS-së në parlament duke folur me Arben Ahmetajn dhe Anastas Angjelin ngjitur për disa projektligje. Dhe kur kalova nga zhgjëndrra në ëndërr të plotë pashë liderin e opozitës Lulëzim Basha që ecte ne rrugë dhe e takonin me dhjetëra demokratë duke i dhënë dorën dhe duke i uruar “suksese në jetë”. Dhe në fund fare pashë po Lulzim Bashën në aeroport që e takoi Ministrin i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe i bëri të njëjtin urim që i bënin dhe gjithë demokratët; “Suksese në jetë”. Dhe në gjumë, në dëshpërim e sipër nuk i thashë vetes “o njeri çohu shpejt”, po thashë “o Luli çohu nga gjumi shpejt”, ose përndryshe sinqerisht: suksese në jetë.(Syri)

Share: