Home KRYESORE ARROGANCA PARAZGJEDHORE E VMRO-DPMNE DHE BDI-së

ARROGANCA PARAZGJEDHORE E VMRO-DPMNE DHE BDI-së

Nga Dr. Sulejman Abazi.
Situata parazgjedhore në Maqedoni është shumë interesante, me këto lloj koalicionesh pa koalicion, të ndara si krahë kundrshtarë brenda përfaqësimit etnik. PDSH-ja po lëngëzohet të vijë në pushtet, kur tashmë dihet se BDI ka kohë që shfaqet si bashkëqeverisëse e VMRO-DPMNE-së, në emër të “stabilitetit politik” të Maqedonisë dhe si shumicë në palën shqiptare.
Votuesit shqiptarë janë të shqetësuar për këtë situatë kaotike, e cila shfaqet sot me një thërrmimin edhe më të madh, për shkak të humbjes së shpresave për një ndryshim pa VMRO-DPMNE në pushtet. Zajev deri tani ka luajtur shumë keq dhe e shumta në këto zgjedhje mund të arrijë një opozitë bllokuese.
Ai nuk arrin t’i tërheq shumicën e shqiptarëve në kolaicion kundër Nikola Gruevskit, pasi marrëveshjet parazgjerdhore bindëse nuk mund të bazohen vetëm në deklarata propogandistike elektorale, por me marrëveshje zyrtare, me fuqi prapavepruese pas zgjedhjeve. Kjo realisht nuk ka ndodhur.
Shqiptarët nuk mund të gënjehen vetëm me çështjen e pranimit të gjuhës apo me probleme anësore, kur në fakt kushti kryesor i marrëveshjes së tyre duhet të ishte federalizimi i Maqedonisë, për ta stabilizuar përfundimisht këtë shtet mbi rrugën e reformave, për ta shpëtuar dhe për t’i hapur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Zhgënjimi nga shtyrja e zgjedhjeve nuk kalon pa pasoja.
Mjafton të vlerësojmë faktin që, shtyrja e zgjedhjeve dy herë në Maqedoni nuk solli asgjë të re në përmirësimin e klimës politike, përkundrazi, u kthye në një farsë mashtrimi, në një lojë pa asnjë kuptim, pa shpresa ndryshimi për opinionin shqiptar dhe atë maqedon. Vetëm kapitullimi i Gruevskit mund ta sjellë Zajevin në pushtet, por me një kryeministër shqiptar.
Edhe kjo mund të ndodhë. Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar shfaqet i dyzuar, për shkak se presioni për reformat ka qenë konstant, si në një situatë të zakonëshme, kur Maqedonia po përjeton kaos moral dhe politik. Ai, nuk mund të deklarojë skemat e pritëshme, por analiza politike në palën shqiptare duhet të ishte e kujdesëshme, duke respektuar një pragmatizëm politik të dobishëm, për ta mbështetur fushatën jo në frymën emocionale patriotike, por në kalkulimet politike për të shkuar drejt këtyre skemave.
Për kundër këtij opsioni dobiprurës, patritë e tjera shqiptare që bëjnë kaq zhurmë dhe tregojnë muskujt pa muskuj, janë thjeshtë partiçka dhe presin kujt t’i bashkëngjiten pas zgjedhjeve për ta marrë pjesë në “tortën” e pushtetit. Nëse Gruevskit nga faktori ndërkombëtar i është hapur “drita jeshile” në rast të kapitullimit të tij në ndryshimin e detyruar të kursit politik të deritanishëm, atëherë, BDI në palën shqiptare i fiton përsëri zgjedhjet në shumicë të shqiptarëve.
Ndoshta kokëfortësia dhe deklaratat “në delir” të Ali Ahmetit lënë të nënkuptohet që, ky version politik është i mundshëm. Si VMRO-DPMNE dhe BDI, të dy partitë bashkë, mund t’i fitojnë përsëri këto zgjedhje me para, struktura të specializuara në manipulime, me mafien politike, në bashkëpunim me njera tjetrën, për ta mbrojtur njera tjetrën nga akuzat për bllokimin e reformave dhe të proceseve të integrimit, duke synuar mbi 60 për qind të parlamentit.
Ata ose fitojnë të dy, ose do të largohen po të dy nga skena politike. Arroganca e tyre parazgjedhore deri tani ka shfaqur pozitën e tyre të vështirë, por kokëforte, duke përdorur manipulimin politik dhe etnik të opinionit, veçanërisht mbi elektoratin maqedon, për të mos i hapur rrugë ndryshimit të pushtetit.
Nëse kjo skemë do të funksionojë mbi bazën e manipulimit të zgjedhjeve dhe jo të opsioneve të mundëshme të pranuara nga faktori ndërkombëtar, atëherë mundësitë janë që Maqedonia të përfshihet nga ngjarje të pakëndëshme. Ka një arësye më shumë për ta pranuar këtë opsion.
Nuk duhet të harrohet dhe të injorohet fakti që deri tani qeverisjet e Gruevskit e kanë orientuar Maqedoninë drejt ndikimit rus, duke krijuar shumë lehtësi për depërtimin e tyre në sistemin bankar dhe degë të rëndësihme të ekonomisë së vendit, me ndikim të fuqishëm edhe në strukturën politike.
Pavarësisht kësaj situate të trubullt, është e vështirë të vlerësohet “asi nën mëngë” që mund të ketë në dorë faktori ndërkombëtar, për të rekomanduar pas zgjedhjeve një formë qeverisëse, që do t’i jepte rrugëzgjidhje të pranuara jetës politike në Maqedoni dhe do të ruante stabilitetin e vendit.
Share: