Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit.
Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve.
Për këtë arsye, këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur t’i kërkojnë Kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
I kërkoj sot Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë menjëherë hetimet për konspiracion kriminal të Kryebashkiakut Dako në favor të krimit.
Kur krimi bashkohet me politikën, vritet liria, shpresa dhe fatet e njerëzve. Shoqëritë ku politikën e dominon krimi janë shoqëritë ku njerëzit vdesin, vuajnë, mbeten injorantë, dhe kërkojnë zgjidhjen vetëm në emigrim.
Sikurse e kanë treguar qartë rastet e Lul Berishës, Klement Balilit, Elvis Rroshit, Armando Prengës, Artur Bushit, Tërmet Peçit, etj, njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbahet në këmbë qeverisja e Edi Ramës.
Përditë e më shumë po bëhet e qartë se Edi Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm dhe tashmë është vegël dhe peng i disa prej kriminelëve dhe interesave më të fuqishme kriminale në vend.
Edi Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politik, tani kriminelët po e përdorin Edi Ramën për të fuqizuar pushtetin e krimit. Të dy bashkë janë në simbiozë për të grabitur sa më shumë para dhe pushtet nga shqiptarët.
Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama.
Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit ku është ulur për të luftuar krimin. Krimi nuk njeh ngjyra, nuk njeh palë politike, vret dhe shkatërron njësoj si demokratët ashtu edhe socialistët.
I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë të ushtrojnë gjithashtu të gjithë trysninë që mundet ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama për ta detyruar atë të marrë veprime të menjëhershme kundër krimit të organizuar dhe për të filluar urgjentisht procesin e dekriminalizimit të politikës. Krimi i organizuar në Shqipëri është sot një rrezik për të gjithë.