Home KRYESORE BBC – Shqipëria, kryeqyteti i kanabisit në rrethinat e Evropës

BBC – Shqipëria, kryeqyteti i kanabisit në rrethinat e Evropës

Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh i kanabisit në Evropë. Bima quhet “Ari i gjelbër” për fermerët e varfër. Kurse në vendin e varfër është një industri miliardëshe.

Në një rrugë të keqe në një fshat të vogël në veri të Tiranës, duket një ndërtesë gjysmë e rrënuar me tulla. Ngjan si e braktisur. Nuk është ashtu. Nga njëra prej dhomave del një aromë e ëmbël dhe e fortë që e zbulon funksionin: prodhim kabanisi. Brenda, më shumë se gjysma e dyshemesë është e mbushur me bimën që thahet. I riu që e ka thotë se aty gjenden rreth 20 kg. Është një nga mijëra njerëzit që i nxjerr paratë nga bumi i kanabisit.

Në Shqipëri, një kile shitet mes 100 dhe 200 euro kurse në Itali 1500 euro. Shumica e prodhimit del jashtë, në veri nga Mali i Zi, në jug nga Greqia dhe në perëndim nga Adriatiku, për në Itali. Tregu vendas është i papërfillshëm.  Burimet vlerësojnë se vlera e gjeneruar është 5 miliard euro në vit.

I riu që than kanabisin në shtëpi thotë se disa fusha të mbjella me të, ka punësuar 15 njerëz, madje edhe roje të armatosur. Ai është përgjegjësi i vogël, por bën pjesë në një rrjet më të madh.

Po meqë e kultivojnë të gjithë kaq hapur, pse nuk ka aksione policore?

“I paguaj 20% policisë. Të gjithë e paguajnë. Po nuk pagove, shkon në burg. Nuk ka punë tjetër këtu. Po u more me perime, nuk nxjerr parà. E di që nuk është gjë e mirë kjo që bëj, po nuk kam rrugë tjetër”, shpjegon i riu për BBC.

25 vjet pas rënies së komunizmit, papunësia është e lartë dhe korrupsioni lulëzon, kushte që favorizojnë kanabisin.

Qeveria ka pasur një farë suksesi në luftën ndaj dukurisë. Këtë vit janë asgjësuar 2 milionë rrënjë dhe ka kapur disa herë sasi të mëdha si në një magazinë në Rrëshen ku u gjetën 4 ton.

Në këtë mision, Shqipëria ndihmohet edhe nga Italia, e cila bën vëzhgime me avionë ndërkohë që shifrat e saj citohen nga politikanët shqiptarë.

Por, nëse krahason shifrat italiane të 2015-ës me 2016-ën, del se sipërfaqja e kultivuar me kanabis është rritur 5 herë. Ka bashkësi banorësh që i janë futur për herë të parë këtë vit këtij biznesi.

Korrupsioni është kritik për suksesin e biznesit të paligjshëm dhe autoritetet e pranojnë që ka policë të korruptuar. Ministri Tahiri pranon se, që kur mori detyrën, 3,000 policë janë nën hetim ose akuzë për korrupsion, që do të thotë 20% e gjithë trupës.

Kritikët thonë se nëpër operacionet e policisë kapen më tepër punëtorët e fushave me kanabis, kurse peshqit e mëdhenj shpëtojnë. Edhe kur kapet ndonjë i lidhur me krimin e organizuar, pak prej tyre ngarkohen me akuza të rënda./360grade.al

Share: