Home KRYESORE BE jep goditjen e parë në Shqipëri për Reformën në Drejtësi…

BE jep goditjen e parë në Shqipëri për Reformën në Drejtësi…

Shefi i EURALIUS në Tiranë zoti Rainer Deville, është larguar me urgjencë nga Shqipëria rreth një javë më parë. Ai është thirrur nga shefat e tij gjermanë në Bruksel.

Një burim i rezervuar diplomatik tha për Hashtag.al se të dhënat paraprake flasin për një shkarkim të zotit Deville nga detyra që mban. Në këtë moment ne jemi informuar në rrugë informale për pezullimin e tij, por gjasat janë që zoti Deville të jetë shkarkuar nga detyra”, – tha burimi.

Zoti Deville e mbaronte zyrtarisht mandatin e tij si Shef i misionit EURALIUS në Gusht të vitit 2017. Misioni EURALIUS është një entitet i Bashkimit Evropian i cili ndihmon Shqipërinë në jurisprudencë, për reformat ligjore dhe kushtetuese.

Rainer Deville dhe misioni që ai drejtonte ka pasur rol të dorës së parë në procesin e reformës në drejtësi. Zoti Deville u bë objekt debatesh kur u citua në media duke thënë se reforma në drejtësi do të sillte si rezultat largimin e 400 prokurorëve dhe 400 gjyqtarëve. I gjendur ngushtë nga buja e deklaratës së tij, më vonë ai tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar.

Zoti Deville cilësohej nën zë nga opozita si një burokrat i BE-së që ka mbështetur synimet e kryeministrit Rama për reformën në drejtësi. Këtë javë Gjykata Kushtetuese dërgoi për të dytën herë në Venecia një version të përkthyer me korrektime të ligjit për Vetingun.Versioni i parë i ligjit për Vetingun, u gjet me gabime në përkthim, versioni i parë ishte marrë nga publikimet zyrtare të misionit EURALIUS.

Pezullimi i gjermanit Deville vjen në të njëjtën kohë kur kreu i grupit parlamentar gjerman të CDU-së shigjetoi ashpër qeverinë Rama. / Hashtag.al

Share: