Home KRYESORE Dështimi i Edi Ramës, jo vetëm me BE

Dështimi i Edi Ramës, jo vetëm me BE

Nga Mimoza Kociu

Vetëm në Shqipëri e me një kryeministër si zoti Rama, moshapja e negociatave me BE-në dhe sidomos mosvënia e një afati për të parë mundësinë e hapjes së tyre, cilësohet si arritje e qeverisë, e dështim I opozitës.

Akrobacitë e ethshme të kryeministrit për të varur në xhaketë një medalje, pas rekomandimit pozitiv të BE-së për hapjen e negociatave, pritshmëritë e ushqyera me kujdes, se do shfaqej përkrah kancelares Merkel, për të marrë nga kjo e fundit lajmin e mirë të hapjes së tyre dështuan me sukses, për fat të keq të qytetarëve të këtij vendi.

Eshtë krejt e pazakontë që asnjë prej strukturave filtruese të këtij rekomandimi, as ambasadorët e 28 vendeve anëtare, as këshilli I ministrave të BE, e pas tij as Këshilli Evropian nuk I besuan realitetit të paraqitur nga Komisioni Europian në raportin e progresit të Shqipërisë për këtë vit, madje as për të fiksuar një afat për rikthimin e vëmendjes tek Shqipëria.

Fleksibiliteti vullnet-plotë I burokratëve të Komisionit, në një raport që më shumë i mbulonte, se I evidentonte problemet e mprehta të vendit tonë, nuk bindi. E në qëndrimet e paunifikuara, edhe për Shqipërinë, BE kujtoi, përvec reformës në drejtësi me vettingun si kushti kryesor, edhe 5 prioritetet e njohura: administratë profesionale e të depolitizuar, pavarësia e institucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të drejtat e njeriut.

Bashkë to edhe sfida të krijuara gjatë qeverisë Rama, si largimi I personave të inkriminuar nga vendimmarrja, lufta kundër drogës, standardet e zgjedhjeve, e raportet me fqinjët. Mesa duket aftësitë e jashtëzakonshme lobuese të kryeministrit ngecën tek tre filtrat vendimmarrëse të BE. Moscaktimi I një afati kur BE do t’I kthejë sërish sytë nga Shqipëria, nuk është lajm I mirë për qytetarët e këtij vendi.

Por ai padyshim është një dështim personal I kryeministrit, sipas llogjikës që vetë përdori të enjten e fundit në parlament, kur tha se merita për marrjen e statusit të vendit kandidat I takon qeverisë së tij, apo që vettingu është kushti I vetëm, ndërsa 5 prioritetet, nuk do kenë rëndësi në vendimmarrjen për hapjen e negociatave.

Jo të gjithë e kanë memorien aq të shkurtër sa të kryeministrit, për të mos kujtuar së pari se ishte zoti Rama në opozitë, ai që me një pretekst lokal qesharak bllokoi për plot 18 muaj marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, i rekomanduar nga Komisioni Europian më 16 tetor 2012. Ishte I njëjti zoti Rama që I votoi tre ligjet-kusht të BE, dhjetë javë para zgjedhjeve parlamentare të 2013, vetëm pasi Ilir Meta u rreshtua krah tij në opozitë, e me kushtin e prerë, që ato të hynin në fuqi pas zgjedhjeve.

Kur kryeministri thotë se 5 kriteret nuk janë kushte, sërish minimumi ka kujtesë të dobët, e maksimumi nuk e thotë qëllimshëm të vërtetën. Të njëjtat 5 prioritete ishin kushti që iu vu qeverisë Rama pas 16 tetorit 2013, kur Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, me dakortësinë që vendi të dëshmonte përparim pikërisht në ato 5 fusha.

Qeveria paraqiti një udhërrëfyes me rezultatet e 5 kushteve të vëna nga BE, e bashkë me ndërhyrjen antikanabis në Lazarat, BE u bind për të dhënë statusin e vendit kandidat, “një meritë e qeverisë së mëparshme dhe e kësaj qeverie” tha komisioneri Fyle më 24 qershor 2014.

Por pse ato 5 kushte-prioritete I janë rikthyer sërish në tryezë kryeministrit Rama? Përgjigja nuk gjendet aq tek raport progresi I Komisionit Europian, por tek deklaratat e përfaqësuesve të rëndësishëm të vendeve antare, e sidomos tek ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Si nxitës I drejtpërdrejtë I finalizimit të ligjit për dekriminalizimin, duket krejt normale që ambasadori amerikan ta trajtojë këtë temë në public.

Anormale është të mësojmë prej tij se sa I mbrojtur është krimi në Shqipëri nga majat e strukturave politike e shtetërore. Anormale është të konstatojmë përmes fjalëve të ambasadorit amerikan, se një zyrtar vendor I kërkuar prej 7 muajsh për trafik ndërkombëtar droge nga Greqia, është I paprekshëm, edhe pse vetë SHBA-të I kanë nxitur të gjitha strukturat e larta “policinë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.”

E pas këtij konstatimi, shqetësim akoma më I madh është censura e butë, që me siguri e ka ndjerë vetë ambasadori amerikan Donald Lu. Ato akuza aq flagrante për mënyrën se si kjo qeveri sillet me krimin, u përcollën me ndonjë përjashtim, si lajm dite, pa jehonë a shqetësim për të marrë edhe një përgjigje nga vetë kryeministri I vendit, I akuzuari I parë për këtë situatë. Sfumimi I efektit të atyre deklaratave, ishte një përgjigje tejet elokuente, edhe për vetë ambasadorin amerikan, që I artikuloi publikisht akuzat.

E po në dhjetor, muajin kur BE duhej të shprehej për hapjen e negociatave, Shqipëria I jep një tjetër ilustrim të kriterit-kusht të luftës kundër krimit e korrupsionit: ish kreut të bandës së Durrësit, I arrestuar e dënuar me burgim të përjeshëm nga paraardhësi I Ramës për 5 vrasje e disa plagosje, pasi iu ndryshua dënimi me 25 vjet burg në 2014 ën, lirohet me kusht dy vjet më vonë, pak ditë para se BE të jepte një vlerësim për Shqipërinë, me një garanci punësimi nga kryebashkiaku i Durrësit, zyrtar I lartë politik në PS, e njeri I afërt me kryeminstrin.

Cfarë mendon vallë BE pas këtyre ilustrimeve? Po pas mosreagimit institucional, pas kërkesës së prokurorisë së përgjithshme për të larguar nga detyra dy deputetë, një I mazhorancës e një I opozitës dhe kryebashkiakun e Kavajës, pikërisht si efekt I ligjit të dekriminalizimit?

Në këtë panoramë kaq kokëfortë, ligjërimi europianist I një kryeministri, vendi I të cilit ofron shembuj të tillë, mund të bindë deri diku militantët e vet, edhe ndonjë burokrat të Komisionit Europian, por jo Bashkimin Europian, vlera kryesore e funksionimit të të cilit, nuk janë aq politikat, por burokracia e vendimmarrjes së lartë. E problemin kryeministri nuk e ka vetëm me BE, por edhe me vetë SHBA, aspak për shkak të qëndrimeve të papjekura gjatë fushatës amerikane për presidentin Trump.

Ka një kusht të qartë që ambasadori Lu e artikuloi, pavarësisht sfumimit elegant, se “Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi ynë i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i peshqve të mëdhenj nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin”

E nëse kryeministri nuk e ndan shpejt mendjen nëse do I shërbejë qytetarëve që e kanë zgjedhur, apo personave të inkriminuar, pyetjet e ambasadorit Lu, që nuk patën fort jehonë, por mbeten janë: “Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilin, si mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj? Kush do të donte të punonte me Shqipërinë? Kush do ta besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?”

Pa e bërë këtë zgjedhje të qartë, as vetting-u, justifikimi i deritanishëm i kryeministrit për këtë realitet, të cilit iu hap rruga nga Gjykata Kushtetuese, sipas variantit të miratuar nga qeveria, nuk do ketë fuqinë të godasë krimin e korrupsionin me mbrojtje politike institucionale. Që hapja e negociatave kërkon vetëm vullnet politik, ilustrimi janë vendet që vetë kryeministri cuditshëm deklaron se janë në të njëjtin nivel përparimi me Shqipërinë: Serbia ka hapur tashmë 6 nga 33 kapitujt e negociatave të antarësimit me BE, e Mali i Zi plot 26 kapituj.

Janë arritje të prekshme e të matshme, edhe pse as kryeministri i Serbisë e as ai i Malit të Zi, nuk kanë pasur një mbështetje aq të qartë nga kancelarja Merkel, e as kanë shantazhuar me aludimet amatore për tërheqje nga influenca e Rusisë. Thjesht kanë përmbushur detyrimet, cka dukshëm nuk është rasti i Shqipërisë, që ka pretendimin të integrohet me krimin e korrupsionin përkrah në BE.

Share: