Nga Sokol Balla
Në historinë e Gjykatës Kushtetuese rrallë ka një moment si ky që ajo po kalon sot. Lindur pas vendosjes zyrtare të sistemit demokratik dhe fitores së formacionit të parë jokomunist në 1992, ajo ka kaluar faza të rëndësishme dhe të vështira, por kurrë, kurrë ajo nuk është ndeshur me një krizë identiteti si kjo aktualja.
Qëndrimi i saj i pezmatuar pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe Kushtetutës së re si dhe pezullimi që ajo i bëri Ligji të Vettingut, i kanë bërë anëtarët e saj të duken të squllët, të frikësuar dhe të anshëm politikisht. Pavaresisht se çfarë mund të themi e besojmë për influencat politike, presionet qeveritare e ato ndërkombëtare, duket se fajtorët e vetëm janë vetë, ata, gjykatësit supremë.
Hera e fundit kur ishim marrë me ta, ishte viti 2001, kur me një të rënë të lapsit kjo gjykatë rishpërndau dhjetëra mandate deputetësh. U fol atëherë, se ishte ndikimi i ambasadorit amerikan Limprecht, dhe i ndërkombëtarëve, të cilët ishin ende skeptikë ndaj PD dhe Berishës dhe frenuan rikthimin e tyre në pushtet, vetëm katër vjet nga kriza e piramidave dhe vetëm një, nga ngjarjet e dhunshme në Tropojë, ku PD, nuk fshehu se ishte pas, aq sa një përfaqësues i saj, e mori mandatin e deputetit kur ishte ende në burg.
Por efekti i formulës së zgjedhjes së gjykatësve supremë, përcaktuar në kushtetutën jo konsensuale të vitit 1998, ndërsa punoi për socialistët në vitin 2001, më pas iu kthye atyre kundër dhe me zgjedhjen e kryetarit të ri të saj në vitin 2011 dhe zëvendësimin e tre anëtarëve të tjerë, ajo ra përfundimisht nën influencën e Partisë Demokratike. Në radhët e saj tashmë ka juristë të njohur që nuk e kanë fshehur kurrë miqësinë me krerët blu. Bile ndonjë prej tyre, si Vladimir Kristo, ka qënë në qeveritë e PD, vetë dhe familjarisht.
Por kjo, jo domosdoshmërisht është një problem. Ky është një vend i vogël ku të gjithë dalim kushërinj me të gjithë. Sokol Berberi, është kunati i Fatmir Xhafës, por përtej anatemimit që i është bërë, ai ka gëzuar dhe gëzon respekt mes juristëve të të gjitha ngjyrave. Por nuk ishte ai, por Vladimir Kristo, i cili në seancën dëgjimore pas pezullimit të ligjit të VETTINGUT ndërmori një sulm të orkestruar ndaj politikës, deri në pikën që kërkoi që reforma të kapte fillimisht atë dhe jo drejtësinë.
Sigurisht ishte gabim. Politika është përfaqësuese e popullit. Populli zgjedh politikanë, dhe jo gjykatës. Gjykatësit zgjidheshin me votë, vetëm në kohën e Enver Hoxhës. Edhe në Amerikë, ku gjykatësit zgjidhen, ata supremët, kolegët e Kristos, zgjidhen nga Presidenti. Thënë kështu, Gjykata Supreme, apo Kushtetuese siç thirret në Shqipëri, është vërtet gardiane e Kushtetutës, por edhe përfaqësuese e frymës së popullit, që vjen indirect përmes votës së tij. Ndaj, jo më kot, Shtetet e Bashkuara i kërkuan një ditë më parë kësaj gjykate, pikërisht këtë: rikthimin e besimit të popullit tek drejtësia.
Mesazhi ishte i dyfishtë: e para, të certifikonte vettingun, por e dyta edhe veten e saj. Të tregojë se megjithëse raporti i saj politik është 5 me 4 ne favor të PD, ajo duhet të ngrihet mbi të. Ashtu siç u ngrit 37 herë kundër vendimmarrjeve të qeverive Berisha, përfshirë edhe super ligjeve, si ai i Lustracionit, apo Marrëveshja e Detit.
Thuhet se gjithçka është një negociatë. Edhe Qeveria, edhe gjykatësit supremë janë në të drejtën e tyre të negociojnë edhe terma personale. Besoj do ishte më e ndershme dhe korrekte, që gjykatësit supremë të mbaronin mandatin e tyre. Edhe Venecia në raportin e saj të parë në shkurt, sugjeroi një gjë të tillë, tek mandati i kryeprokurorit të Republikës. Por këto negociata nuk mund të bëhen me shantazhe publike, dhe aq më keq në kurriz të një ligji dhe një reforme që e do shumica dërrmuese e shqiptarëve, të cilëve nuk u intereson nëse gjykatësi suprem quhet Koli apo Ladi dhe se çfarë ata votojnë. Shqiptarët e duan reformën në drejtësi dhe sa për regjistër, e duan edhe gjithë partitë shqiptare që e votuan atë.
Siç e thotë dhe opinioni i Venecias “të gjitha partitë e kanë pranuar frymën e Reformës”, dhe ngritja e pikëpyetjeve për pika të caktuara, nuk është një gjë me shumë rëndësi për Gjykatën Kushtetuese. Me rëndësi për të, duhet të ishte opinioni i Venecias. I cili ishte i qartë në katër përgjigjet e tij.
Por më i rëndësishëm ishte konkluzioni i pestë. I përsëritur dy herë: se gjithçka ishte në dorë të Gjykatës Kushtetuese. Ajo tashmë ka në dorë fatin e reformës, dhe sic u tha sonte nga Brukseli, edhe fatin e të ardhmes europiane të Shqipërisë. Dhe nëse nuk kanë vendosur të jetojnë në ndonjë vend tjetër (këtu do t’i kuptoja nëse votojnë kundër Vettingut), atëherë edhe ata duhet t’i bashkohen 3 milion pa 300 shqiptarëve të tjerë, që ashtu si 26 dhjetorë më parë, vazhdojnë ta duan Shqipërinë me difekte, si gjithë Europa.
Megjithë difektet e saj./ Javanews.al/