Home KRYESORE Fatos Klosi: “Ja përse erdhi shefi i CIA-s në Tiranë”

Fatos Klosi: “Ja përse erdhi shefi i CIA-s në Tiranë”

Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, ardhja e drejtorit të CIA-s në Tiranë dhe takimet e tij në nivele të larta, mund të lidhen kryesisht me politikën ndërkombëtare dhe ndikimit rus.

“Në gjykimin tim diskutimet janë në frymën e re që po përhapet në Ballkan dhe më gjerë të rolit të Rusisë. Ka një situatë jo normale në Europë dhe Ballkan për sa i përket ndërhyrjes nga Rusia, që po kërkon për interes të saj shtrirjen më të gjerë, jo më me ndikim tradicional si në kohën komuniste, por në aspektin politik dhe ekonomik” -thotë Klosi, duke shtuar se qëllimi kryesor i saj mbetet ndikimi në Mesdhe dhe Ballkani është porta e parë, shkruan sot Mapo.

Ish-numri një i shërbimit inteligjent e përjashton mundësinë që kreu i CIA-s të ketë ardhur konkretisht për çështje të terrorizmit ndërkombëtar, veçanërisht atij Islamik, siç është ISIS.

“Për terrorizmin dhe dosje konkrete çështjet janë më shumë teknike dhe në raste të tilla nuk angazhohen nivele të larta të CIA-s. Këmbëngul se në qendër të diskutimeve mes Drejtorit të CIA-s dhe drejtuesve të politikës sonë besoj se lidhet kryesisht ndikimi rus në Ballkan” -komenton Klosi.

Për të qenë “politikisht korrekt” mbi këtë vizitë, Ambasada Amerikane në Tiranë, në një njoftim të shkurtër zyrtar u shpreh se: “Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh, përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe”.

Share: