Home KRYESORE FESTIMI I FESTËS SË FLAMURIT NË CLEARWATER, FLORIDA

FESTIMI I FESTËS SË FLAMURIT NË CLEARWATER, FLORIDA

* DEGA E VATRËS NË TAMPA MBLODHI MË SHUMË SE 600 PJESËMARRËS NË CLEARWATER

* Ambasadorja shqiptare në Uashington nuk iu përgjigj Ftesës së Vatrës

*Festë e madhe e komunitetit shqiptar në Tampa Bay për 104-vjetorin e Pavarësisë

NGA FADIL SHEHU, FLORIDA

Më shumë se 600 shqiptarë të zonës së Tampa Bay në shtetin e Floridas festuan me një pjesëmarrje masive si asnjëherë tjetër në Clearwater.

Buzëmbrëmja e së premtes për shqiptarët të ardhur nga qytetet Tampa, Saint Petersburg, Largo, Sarasota, Pinellas Park, New Port Richey dhe Clearwater kishte diçka të bukur dhe të veçantë.

Pikëtakimet e tyre përbënin një fakt mjaft domethënës, një motiv të përbashkët, festimin e 104-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Erdhën këtu në Clearwater, të veshur si për dasmë, njerëz nga të gjitha moshat. Ishte kjo folezë, ku më shumë se 600 bashkatdhetarë do të përjetonin, preknin nga afër, flamujt shqiptarë, këngët e vallet shqipe, ku do të shpalosej me gjithë madhështinë e saj, vetë mrekullia shqiptare.

Janë shqiptarë të ardhur në shtetin e Foridas 30-40 vite më parë, por edhe të tjerë, të ardhur disa vite më parë. E përbashkëta e tyre qëndron në dëshirën për të festuar ditën e 28-Nëntorit, e cila këtë herë i ka gjetur shqiptarët më të bashkuar. Nuk ka rëndësi se cilës fe, krahine apo qyteti e fshati i përkasin, nuk ka rëndësi se janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Ajo që të emocionon, të mbush me shumë krenari, është fakti se të gjithë janë shqiptarë. Nën ekzekutimin e himnit tonë kombëtar, të shoqëruar me zërin e fuqishëm të mbi 600 shqipeve, çelet sipari i spektaklit të festës së madhe. Padyshim që këtë herë reportazhi do të marrë më shumë përmasa, më shumë hapësirë në faqet e gazetës sonë “Dielli” nën përkushtimin e drejtuesit të saj, Dalip Greca, me një numër prej 100 faqesh. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i degës “Vatra” Z. Tasim Ruko, do të përshëndeste të gjithë të pranishmit, do të falënderonte të gjithë ata që u përkushtuan dhe kontribuuan, që vatranët të organizonin sa më bukur Festën e Flamurit. Padyshim që nuk mund të organizohej pa përkushtimin dhe praninë e të zotërve të shtëpisë Isuf Spahiaj, Zamira Rubjeka, Jason Sulisufaj, Greta Monty, Arian Kushta, Piro Poloska, Endri Filipi, Luli Nurka, Mario Mihaj dhe grupi rinor Ari Abdi, Klarenc Novaku, Klevi Bejo e të tjerë, të cilët bënë çmos që të ardhurve të mos u mungonte as “maja e gjilpërës”.

Padyshim që këtë festë do e përshëndesnin fëmijët e shkollës shqipe “Vatra”. Edhe pse shkolla është hapur në shtator të këtij viti, fëmijët me dëshirë mësuan vargjet dhe këngët në një kohë shumë të shkurtër. Si cicërima zogjsh, të shoqëruar nga të ftuarit, nxënësit e drejtuar nga mësuesja e palodhur Yllka Bejo, kënduan këngë për flamurin dhe mëmëdheun.

Më pas, nën duartrokitjet e mirëseardhjes të bilbilit të Jugut, këngëtari Ylli Baka do të këndonte këngët popullore me motive nga jugu. Publiku këndon si një ansambël gjigant, ku kënga shqiptare si katarakt i fuqishëm, ngre peshë të gjithë të pranishmit. Mbrëmja nuk ka protokoll, të gjithë çojnë në skenën e valles dhe këngës shqiptare zemrën e tyre. Ku ka më bukur, kur syri të zë permetarin, tropojanin, prishtinasin, tetovarin, ulqinakun, tiranasin, fierakun, myzeqarin, labin, e malësorin, të gjithë të zënë prej dore në ekzekutimet e valleve brilante shqipe.

Është bukur kur shikon të rinjtë e të rejat teksa kanë pushtuar krejt skenën, si në një festival folklorik të vërtetë. Kërcejnë e lëvizin si valltarë të vërtetë. Atmosfera e kësaj nate dhuron gjithçka të bukur, krenare për dashurinë dhe mallin që të zgjon mjegulla loti, teksa interpretohet kënga shqiptare. Midis të ftuarve të tërheq vëmendjen prania e një zonje, që dhuronte buzëqeshje dhe falënderime, e cila merrte urime me rastin e marrjes së medaljes së shoqatës kulturore atdhetare “Motrat Qiriazi” dhënë nga Samiti i Diasporës, i para pak ditëve, i cili grumbulloi për herë të parë në historinë e Shqipërisë, nga mëse 40 vende. Quhet dr. Anna Kohen, kryetare e kësaj shoqate tregon se është hera e dytë që ajo vjen në këto evenimente historike në degën në Vatra Tampa. Ndonëse jeton në qytetin e Sarasotes ajo sfidon moshën e saj. Ka mwse 25 vjet që njihet si gruaja e hekurt e çështjes shqiptare në Nju-Jork dhe Florida. Motivet shqiptare shfaqen bindshëm dhe fuqishëm kur këngëtarja e madhe e këngës popullore, muzikës së lehtë dhe asaj moderne, Irma Libohova, nën shoqërimin e duartrokitjeve do të bëhej personazhi i kësaj feste. Madhështia e këngës shqiptare, e bukur, e hershme sa vetë historia e Shqipërisë, do të ekzekutohej mrekullisht nga zëri brilant i saj. Sërish Ylli Baka në duet me Irmën. Gjerdani i këngëve të tyre, bëhet më i fuqishëm kur atë e përforcojnë të ftuarit. Asnjë prej tyre nuk përcaktohet se është dikush, të gjithë kanë emërtimin e bukur, dasmorë në këtë dasmë të madhe shqiptare. Tingujt shqiptarë, kënga madhore “Shqipëri o nëna ime”, “Rreth flamurit të përbashkuar”, do të jenë të pranishëm gjatë 6 orëve të këtij koncerti festiv, ku muzika shqiptare me këngën vlonjate, tiranase, tropojane, gjirokastrite, prizrenase, ulqinake, korçare, beratase etj. vjen e përmalluar në këtë vend të largët. Madhështia e këngës shqiptare “çan” muret e ndërtesës, duke bërë që kalimtarët e kësaj nate, të ndalin paksa hapin dhe të shijojnë mrekullinë shqiptare.

Janë rreth 65 tavolina të rrethuara nga lule shumëngjyrëshe, flamuj dhe tullumbace kuq e zi, ku ndizen biseda, ku njihen më nga afër vetë shqiptarët. Këtu pothuajse të gjithë kanë ardhur familjarisht. Nga belbëzimi i foshnjave, fëmijëve deri te të moshuarit 70 dhe 80-vjeçarë. Të gjithë janë dashuruar me këngën, vallen, atmosferën e ndezur festive. Në një tavolinë takohemi me Aliko Hilën nga Fieri, Myzafer Mukën dhe Arbër Novakun nga Pogradeci, Ferdinand Gjylin nga Vlora, Thimaqi Poloskën dhe Mirela Armatën nga Korça, në një tjetër tavolinë poeti Luan Kalaja nga Devolli, Arben Jakupi nga fshati Burim i Pejës, Drita Vocaj nga Shkodra, Burbuqe Elezi nga Elbasani, Bert Aga nga Tirana… këtu kanë zbritur gjithë shqiptarët, gjithë trojet e vendet nga ata vijnë…

Gëzohemi që këtë festë historike e festojmë së bashku mes gëzimit dhe haresë të shokëve e miqve tanë të hershëm dhe të rinj, na thonë në tavolinën 57. Atmosfera në “barkun” gjigant të ndërtesës është ndezur dhe dollitë e urimet pasojnë njëra-tjetrën. Kjo natë është ndryshe me shkëlqimin në sytë e të gjithëve, me shumë diell në zemër. Mesnata ja lë vendin trokitjeve të mëngjesit. Ora ka kaluar dy e mëngjesit dhe sërish këngëtarët Irma Libohova, Ylli Baka, klarineta në buzët e Nokes së Beratit, sfidojnë lodhjen. Shqiptarët e pranishëm shkëmbejnë adresa dhe numra telefoni me njëri-tjetrin. Organizimi madhështor i koncertit dhe pjesëmarrja e madhe, na befasoi, thonë znj. Florisiana dhe Ermal Metollari nga Vatra Orlando, bën që të jemi sërish të pranishëm në evenimente shqiptarësh. Pas orës dy, deri në tre, dasmorët e viseve shqiptare që sollën motivet e këngëve dhe valleve të trevave të tyre shpalosur bukur në këtë mbrëmje festive, largohen me emocione mbresëlënëse, duke falënderuar nga zemra organizatorët e Vatra Tampa për këtë natë të paharrueshme.

shqiptaret-florida

Share: