Nga Jonida Koci
Ky nuk ishte një vit i zakonshëm për mua, sikurse ndodh në përgjithësi me të gjitha ato gra që bëhen nëna, sidomos për herë të parë. Si nënë e re më është dashur të përballem me sfida të mëdha, një prej të cilave ishte ushqyerja me gji e vogëlushit tim, Johan. Ditët e para në maternitet ishin një torturë e vërtetë, pasi pata probleme me gjirin.
Për shkak të lindjes time cezariane, qumështi më erdhi me disa ditë vonesë, gjë që solli edhe grumbullimin e tij nëpër damarë. Dhimbjet që ndieja ishin të mëdha, sidomos kur infermieret e maternitetit vinin për ta shtrydhur atë në mënyrë që të përftonin qoftë edhe disa pika për tim bir.
Përballë një dhimbjeje të tillë, si një nënë e re u vura në dilemë: Të zgjidhja rrugën e vështirë duke punuar me veten dhe bebin që qumështi të vinte në sasinë e duhur në mënyrë që të plotësoja nevojat jetike të tij, apo të zgjidhja rrugën e lehtë dhe të shkurtër me qumështin e blerë, atë të formulës.
Por jo, unë vendosa që me çdo kusht i vogli im të ushqehej me “lëngun magjik” që i madhi Zot ia kishte vënë në dispozicion përmes meje. Konsultohesha shpesh me mikesha me eksperiencë, të cilat kishin ushqyer fëmijët e tyre me qumësht gjiri, por edhe me ato me qumësht formule.
Mora mendime dhe sugjerime të ndryshme, por në fund vendosa të bëja siç e ndieja vetë. I theva këto rregullat që dëgjoja që fëmijën duhet ta mësosh me orar në ushqyerje apo ta ngresh edhe nga gjumi që të pijë. Më dukeshin pa logjike, e në këtë mënyrë zgjodha që Johanin ta vija sa më shpesh në gji dhe pa orare fikse.
Kurrë nuk e zgjova nga gjumi tim bir për ta ushqyer. Kështu kaluan ditët e vështira për të dy ne. Johani nisi të merrte nga mua sasinë që i nevojitej, ndërsa unë merrja prej tij kënaqesinë e madhe dhe të papërshkueshme me fjalë që përjeton një nënë kur ushqen të voglin e saj. Dita-ditës ai merrte peshën dhe gjatesinë e duhur.
Kur im bir mbushi 6 muaj, shumë më pyesnin edhe sa do ta mbaja me gji. Kishte nga ato që më thoshin se gjiri nuk ka më aq shumë vlera pas muajit të gjashtë. Ndonjëherë dëgjoja dhe nga ato opinionet egoiste se ushqyerja për një kohë të gjatë e fëmijës me gji të shëmton format e tyre. Por të gjitha këtyre mendimeve dhe sugjerimeve, ju përgjigja sërish me veprim sipas asaj që unë ndieja: vazhdova ta ushqeja me gji.
Nuk mendova në asnjë sekondë për format e mia, as për lodhjen time. Isha e vendosur që Johani do ushqehej të paktën derisa të mbushte 1 vjeç me gji. Muajt ikën dhe tashmë Johanin e ndan vetëm një muaj nga 1-vjetori i tij, por unë nuk jam ende gati t’i ndërpres gjirin.
Pse, do më pyesni ju?
Përgjatë këtij viti, kam parë me sytë e mi se çfarë dobish ka qumështi i gjirit në zhvillimin fizik dhe mendor të bebit. Sa shumë e ka ruajtur ai nga virozat e ndryshme të stinëve. Si e ka qetësuar ky qumësht tim bir gjatë procesit të vështirë të daljes së dhëmbëve. Çfarë magjish bën ky lëng kur ai ka temperaturë për shkaqe nga më të ndryshmet.
Perveç këtyre dobive që ndoshta shpesh i keni dëgjuar edhe nga mjekët, ka një anë tjetër të mrekullueshme të cilën nënat duhet të bëjnë të pamundurën që ta përjetojnë. Është i mahnitshëm dhe magjik momenti kur sheh vogëlushin tënd që me padurim pret të strehohet në krahët e tu për të pirë atë çka i ofron nëna e tij. E pasi është ngopur e ze shpesh gjumi në gjirin tënd.
E rrëfeva eksperiencën time, jo se unë kam bërë ndonjë gjë heroike apo të jashtëzakonshme që kam ushqyer djalin tim me gji, por thjesht për t’u bërë një apel nënave të reja: Bëni gjithçka që t’i ushqeni fëmijët tuaj me gji! Është e vërtetë që është jo pak e lodhshme dhe do shumë përkushtim, kohë fizike dhe sakrifica, por në fund të fundit prandaj Zoti na ka bekuar duke na dhënë titullin më të lartë “nënë”.
Sigurisht që ka nëna që e kanë të pamundur të bëjnë këtë dhe unë i respektoj e mirëkuptoj edhe ato, por ama një nënë s’duhet kurrë të lodhet së këmbënguluri për ta ushqyer të voglin me qumesht gjiri. Mos mendoni për format e gjirit. Gruaja bëhet edhe më e bukur kur bëhet nënë. Pastaj në syte e fëmijës tënd jeni gjithmonë gruaja më e bukur dhe kjo është e mjaftueshme, mendoj unë.
Ju ftoj vetëm për një moment të mendoni për ato gra që e kanë pasur të pamundur të lindin një fëmijë vetë. Mendoni se sa shumë na ka shpërblyer Zoti dhe se edhe ne duhet t’ia shpërblejmë në një farë mënyre duke përmbushur misionin tonë, sigurisht gjithmonë në kushtet kur kjo është e mundur dhe nuk rrezikon shëndetin tonë.
Ne s’duhet ta privojmë të voglin tonë nga një e drejtë e madhe. Kështu që, nëna, ushqejini të vegjlit tuaj me gji, ai është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i pazëvendësueshëm!