Home KRYESORE “Gjergj Fishta dhe Ahmet Zogu janë shovinistë, kosovarët i kemi miq, por...

“Gjergj Fishta dhe Ahmet Zogu janë shovinistë, kosovarët i kemi miq, por ata duhet të vëllazërohen me jugosllavët”

Nga Kastriot Dervishi

1946/Fjalimi i 18 dhjetorit 1946 i Enver Hoxhës për marrëveshjen me Jugosllavinë dhe për Kosovën

“Gjergj Fishta dhe Ahmet Zogu janë shovinistë, kosovarët i kemi miq, por ata duhet të vëllazërohen me jugosllavët”

Më 27 nëntor 1946 u nënshkrua në Beograd “Marrëveshja e madhe ekonomike” midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Marrëveshja u ratifikua nga Kuvendi Popullor në mbledhjen e tij të 57, me vendimin nr.388, datë 27.12.1946. Sipas marrëveshjes u hoqën doganat me Jugosllavinë dhe leku u zhvlerësua 12 herë. Në të dy vendet trajtohej në mënyrë të barabartë dinari dhe leku. Jugosllavët morën çfarë iu deshi qejfi në Shqipëri, tërhoqën gjithë rezervën ushqimore, mallrat industrialë, etj dhe në vitin 1948 e çuan vendin tonë në një katastrofë të paparë. “Tregtarët” shqiptarë nuk mund të blinin gjë në Jugosllavi sepse atje çdo gjë ishte e triskëtuar. Kjo është vjedhja më e paparë e historisë së Shqipërisë.

Për të mbrojtur këtë marrëveshje, Enver Hoxha mbajti një fjalim thellësisht antikombëtar më 18 dhjetor 1946, në të cilën i quajti shqiptarët e Kosovës “miq të mirë”, ndërsa deklaroi se nën regjimin e ri jugosllav ata kishin fituar të gjitha liritë që u mungonin më parë. Në këtë fjalim Hoxha i ka cilësuar Patër Gjergj Fishtën dhe Ahmet Zogun si “shovinistë” që kishin punuar kundër marrëdhënieve të mira me jugosllavët.

Pjesë nga fjalimi i Enver Hoxhës:

Pse populli jonë i shtypur, i nxitur (dikur-shënim) nga ndjenjat shoviniste, i shkelmoi këto parulla, i kuptoi qartë udhëzime e drejta të partisë sonë, populli nuk shihte (tashmë-shënim) atë që i kish paraqitur Zogu, Fishta, fashistët, etj…

Sikurse në zhvillimin e luftës ashtu edhe këtu në ekonomi, nuk tiganisemi me dhjamin tonë. Një vend i prapambetur, në një vend ku bujqësia ish e braktisur dhe ekziston akoma kjo situatë, nuk mund të kuptohet ngritje pa një bashkëpunim ekonomik, pa ndihmën e Jugosllavisë. Në këtë kohë Komiteti Qendror ka marrë vendim për akordin ekonomik.

Në lidhje me këtë, është edhe një çështje tjetër se unë mendoj se disa anëtarë partie që duan të na filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo që jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatën, përkundrazi duhet të bëjmë ç’është e munduar të kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi. Tash vjen çështja këtu kur ne të kemi arrirë në socializëm, do të thotë se atje dhe këtu mbeturinat e kapitalizmit kanë ngrënë dru. Ahere në një situatë të tillë Kosova dhe të bashkohet me Republikën Socialiste të Shqipërisë. Kjo është vija, këtë na mëson marksizmi.

Ne do ta shpjegojmë. Kush nuk e kupton ne kemi për detyrë ta luftojmë. Kur ne bëjmë një akord, hapim doganat, është një hap drejt socializimit e marrëdhënieve të Kosovës me popullin shqiptar. Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forca e argumenteve tona është më e madhe.

(Shënim: Teksti është korrektuar nga origjinali pasi kishte gabime të shumta gjuhësore, mungesë vendosje pikash, etj, pa ndryshuar mendimet dhe opinionet e autorit).

L'immagine può contenere: sMS
Share: